E pranon fajin mësuesi nga Drenasi që falsifikoi notat

Falsifikimi i 12 notave në lëndën e biologjisë për nxënësit e klasës së 9-të të shkollës fillore “Shote Galica” në Drenas e uli sot në bankën e të akuzuarve Fehmi Ramajn.

Mësuesi nga Drenasi u ballafaqua sot me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve. Kjo pas hulumtimit të emisionit “Jeta në Kosovë” që zbardhi skemën e falsifikimit të notave dhe fshehjes së kësaj vepre në disa shkallë të përgjegjësisë në Drenas.

Pasi iu lexua akuza, Fehmi Ramaj e pranoi fajësinë.

” Qysh ditën e parë e kam pranu fajin me ditar në dorë para shkollës, para hetuesisë, para mediave,  edhe sot e pranoj para trupit gjykues”, tha Ramaj.

Fehmi Ramaj premtoi se do të përmirësohet në të ardhmen.

“Më vjen keq që sot ndodhem këtu, dhe premtoj se në të ardhmen nuk do të ketë lëshime etike, pedagogjike dhe tashme ligjore  nga ana ime”, tha ai.

E pranimin e fajësisë e mbështeti edhe prokurori i çështjes, Shkëlzen Ibrahimi.

 

I akuzuari Ramaj gjykatës i propozoi që me rastin e shqiptimit të dënimit, të ketë parasysh edhe rrethanat lehtësuese që sipas tij janë pranimi i fajësisë, faktin që është suspenduar nga puna dhe se është familjar.

Shpallja e vendimit do të bëhet me datën 9 mars.

Aktakuza për këtë rast u ngrit më 27 dhjetor të vitit 2019, thuajse 6 vite pasi ishte kryer kjo vepër dhe tre vite pasi emisioni “Jeta në Kosovë”, kishte transmetuar hulumtimin lidhur me falsifikimin e notave që e kishte bërë ky mësues.

Kolegu i Fehmi Ramajt, mësuesi Ramadan Ramaj ishte kallëzuesi që kishte bërë raportime lidhur me këtë rast tek të gjitha organet kompetente, përfshirë edhe policinë dhe prokurorinë.

Aktakuza e Prokurorisë ka marrë për bazë kallëzimin penal të bërë nga Ramadan Ramaj më 6 janar të vitit 2017, ndërsa si provë ka marrë edhe hulumtimin e emisionit “Jeta në Kosovë”.

Prokuroria po e ngarkon Fehmi Ramajn për keqpërdorim detyre për shkak të ndryshimit të notave të 12 nxënësve të klasës së nëntë, duke përfshirë edhe djalin e tij.

Ai po ashtu po akuzohet për falsifikim të dokumentit për shkak se falsifikoi notat në ditarin e shkollës.

Prokuroria megjithatë ka pushuar hetimet lidhur me akterë të tjerë në këtë rast, duke përfshirë edhe tre inspektorë të arsimit që kishin inspektuar rastin në Drenas, pas publikimit të hulumtimit nga “Jeta në Kosovë”.

Sipas aktvendimit për hudhjen e pjesshme të kallëzimit penal  të datës 27 dhjetor 2019 të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se për të dyshuarit Sokol Ramaj, Kamer Ramaj dhe  Sadik Tahiraj nuk ka dyshim të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Pas aktakuzës, vetë Fehmi Ramaj në intervistën e dhënë në Prokurori e kishte pranuar se e ka bërë ndryshimin e notave mirëpo sipas tij këtë e ka bërë “në afekt”.

Ai ka shtuar se ndjen keqardhje për këtë që ka ndodhur dhe e pranon se ka gabuar.

Kallëzuesi (Ramadan Ramaj) që tentoi ta vinte në pah këtë rast u shantazhua e stigmatizua, madje i prishi edhe marrëdhënie me dy vëllezërit e tij që ishin bashkëpunëtorë në vargun e mbulimit të këtij falsifikimi. Ai në kallëzimin e tij penal i ka përmendur të dy vëllezërit.

Njëri vëlla i kallëzuesit (Ramadanit), Sokol Ramaj ishte drejtor i shkollës në të cilën kishte ndodh falsifikimi, ndërsa tjetri Kamer Ramaj, Kryeauditor në Komunën e Drenasit.

Ai gjithashtu kishte përmendur ish-Drejtorin e Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj i cili nuk kishte ndërmarrë asgjë tjetër lidhur me këtë rast përpos vërejtjes me shkrim ndaj mësuesit Fehmi Ramaj.

“Punë nuk është kry se në aktakuzë mungojnë edhe tre persona që u dasht me u akuzu: Sokol Ramaj, Kamer Ramaj dhe Sadik Tahiraj”, thotë Ramadan Ramaj për KALLXO.com

Lidhur me këtë hulumtim, “Jeta në Kosovë” ishte shpërblyer me çmimin për storjen më të mirë në arsim për vitin 2017.

Më poshtë mund të lexoni në detaje se si kishte rrjedhur e gjithë ngjarja e falsifikimit të notave në vitin 2014.

Falsifikimi i Notave në Drenas