Bordi i ARKEP, Pikëpyetje për Politizimin dhe Kualifikimet

Me dyer të mbyllura, sigurim dhe gaz, maska deputetët e pozitës në fund të vitit 2015 miratuan propozimin për anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Njëri nga të përzgjedhurit është Kreshnik Gashi, i cili me të marrë detyrën në bord të ARKEP-it ka dhënë dorëheqjen nga pozita e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila udhëhiqet nga Hashim Thaçi.

Kallxo.com ka raportuar për dorëzimin e postit të Sekretarit të MPJ-së nga Kreshnik Gashi.

http://kallxo.com/sekretari-i-mpj-se-le-detyren-per-bordin-e-arkep-it/

Gashi ishte emëruar si sekretar i përgjithshëm i MPJ-së më 18 shkurt 2015. Nga 21 aplikantë për këtë pozitë ai ishte përzgjedhur më i miri për të ushtruar funksionin e sekretarit të përgjithshëm për tri vitet e ardhshme.

Nga 14 dhjetori Gashi është zgjedhur për në Bordin e ARKEP-it.

Sipas biografisë së publikuar në faqen e MPJ-së, Gashi ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë elektrike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Universitetin e Cranfield në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe ky bord është i përfshirë nga njerëz të politikës në pushtet.

E i përfshirë në politikë është edhe anëtari tjetër i Bordit të ARKEP-it, Nijazi Ademaj. Ai ka lindur më 14 prill 1954 dhe me profesion është Inxhinier i Makinerisë.

Ka punuar si Këshilltar në Asamblenë Komunale të Prizrenit në zgjedhjet e para dhe të dyta pas lufte.

Ademaj aktualisht është kryetar i degës së LDK-së në Zhur të Prizrenit. Po ashtu është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ndërsa në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat për deputet por nuk ka arritur të jetë pjesë e kësaj legjislature për shkak të numrit të vogël të votave.

Ai thotë se pozita e tij në Bordin e ARKEP-it dhe bindjet apo përfshirja në politikë nuk kanë asgjë të përbashkët, dhe kjo vlen edhe për pozitat e mëparshme që ai ka mbajtur.

“Them të drejtën kjo pozitë nuk ka të bëjë fare me politikë, kjo ka të bëjë aftësinë profesionale dhe menaxheriale të kandidatit”, tha Ademaj.

Sipas tij, pozita e anëtarit në ARKEP është vetëm vazhdimësi e mandatit.

“Në vitin 2009 kam qenë anëtar i Bordit të ARKEP-it atëherë i quajtur ART. Jam votuar prej Kuvendit të Kosovës dhe ky është për mua vazhdim i mandati”, deklaroi Ademaj.

Por Ademaj edhe më herët ka mbajtur pozita nëpër borde të Ndërmarrjeve Publike si në atë të Higjienës, Hidroregjioni Jugor në Prizren si dhe në Shoqatën e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës SHUKOS.

I përzgjedhuri tjetër për në Bordin e ARKEP-it është edhe Hazir Hajdarit i lindur më 15 dhjetor 1958 dhe jeton në Suharekë.

Edhe ky anëtar vjen nga politika. Në vitin 2007, Hajdari ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ( PDK) që udhëhiqet nga zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Deri në qershor të vitit 2014 ai ka qenë nënkryetar i nëndegës së PDK-së në Suharekë ndërsa thotë se që nga 2010 nuk është propozuar nga ky subjekt politik për ndonjë post vendimmarrës.

Hajdari ka të kryer Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Telekomunikacionit.

Shkollimi i tij është kritikuar nga kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, në njërën nga mbledhjet e rregullta ku është diskutuar për Bordin e ARKEP-it.

“Duhet të konstatojmë që nuk e ka fakultetin përkatës edhe pse e ka përvojën në atë fushë”, pati thënë Mustafa.

Por Hajdari mendon që ka kualifikime për këtë post dhe se është duke vepruar sipas ligjit.

“Në moment që ligji nuk e kufizon është në rregull ndërsa kur ligji e kufizon të jesh anëtar atëherë jep dorëheqje nga postit. Jam i përgatitur profesionalisht, kam kualifikim…”, tha Hajdari.

Edhe deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela në mbledhjen e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të mbajtur më 8 dhjetor pati kundërshtuar miratimin në pako të emrave për anëtarë bordesh të ndërmarrjeve të rëndësishme.

“Dërgimi në bllok edhe pse është sot i ligjshëm mendoj se nuk është ndonjë zgjidhje fatlume”, tha Qela.

Në këtë Bord janë zgjedhur edhe Bahri Anadolli i cili është i punësuar në operatorin ekonomik, RTV Dukagjini si teknik.

Antari tjetër i këtij bordi është edhe Shqipërim Pula. Ai ka lindur më 1982 ndërsa aktualisht është shef i zyrës ligjore në ARKEP. Këtë pozitë e mban që nga vitit 2013.

Ka përfunduar studimet në Bacheolar për Jurist në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master në të njëjtën fushë i ka përfunduar në Hungari.

Pula aktualisht është student –doktorantë në Belgjikë. Ai në vitin 2005 ka qenë zyrtar i lartë për Integrime Evropiane në Zyrën e Kryeministrit e cila udhëhiqej nga ish kryeministri Bajram Kosumi.

Ai ka qenë edhe pjesë e Gjykatës Ekonomike të Qarkut Prishtinë gjatë vitit 2004- 2005.