Gjilani

Gjilan - Shtyhet seanca për ryshfet

Gjykimi për dhënie dhe marrje ryshfeti ndaj dy të akuzuarve Sabri Miftari rojtar pylli nga komuna e Vitisë si dhe ndaj Reshat Bajrami nga Gjilani nuk është mbajtur sot.

Seanca e paraparë për ditën e sotme është shtyrë pasi kryetari i trupit gjykues Islam Thaçi ka njoftuar se gjendet në një trajnim të organizuar nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, Sabri Miftari dyshohet se në cilësinë e rojtarit të pyllit ka pranuar mito.

“Sabri Miftari akuzohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti sepse duke qen zyrtar- rojtar pylli pranë drejtoratit në komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë përkatësisht të holla nga i pandehuri Reshat Bajrami nga Gjilani, në atë mënyrë që duke kërkuar dhe marr të holla për të mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, të pandehurit Reshat i ka lejuar që të marrë në mënyrë kundërligjore dru në pyllin e pronës shtetërore ashtu që për këtë nga i njëjti ka marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në vitin 2013 në kohë dhe datë të papërcaktuar shumën prej 60 eurosh kurse në vitin 2014 shumën prej 100 eurosh dhe po ashtu gjatë këtij viti edhe dy herë nga 50 euro përmes Besim Ukës dhe kështu i pandehuri Sabri Miftari kishte lejuar të pandehurit Reshat Bajrami që të merr dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë kundërligjore pa pagesë”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Reshat Bajrami akuzohet se ka kryer veprën penale dhënie ryshfeti, sepse si kundër-shpërblim për të hollat që ia kishte dhënë të pandehurit Sabri Miftari, kishte marrë dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë kundërligjore.

Seanca për këtë rast është caktuar të vazhdoi më datë 5 dhjetor 2018.