Gjilan, aktakuzë ndaj personave që shantazhuan seksualisht doktorin

Prokuroria Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.K. dhe M.K., për shkak të veprës penale ‘’Shantazhi’’ nga neni 341 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 14 nëntor 2018, në ordinancën e Pulmologjisë, në Spitalin Regjional në Gjilan, e pandehura F.K., me dashje ka ndërmarrë veprime për të kryer këtë vepër penale, pasi kishte shkuar fillimisht në ordinancën e të dëmtuarit E.E., për t’u kontrolluar, pastaj e kishte provokuar duke e prekur në pjesë intime dhe veprimet e saj i kishte incizuar me telefon, të cilin inçizim pastaj ia kishte dhënë bashkëshortit të saj.

Aktakuza thotë se i pandehuri M.K., me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fizikisht dhe përmes telefonit, e kishte kanosur të dëmtuarin, se nëse ai nuk ia jep 2.000 euro, i njëjti do t’ia zbulonte një video incizim, i cili do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e të dëmtuarit. Ai fillimisht ia kishte marrë 1.000 euro, e më pas i kishte kërkuar edhe pjesën tjetër të të hollave, e që të njëjtat i dëmtuari ia kishte dhënë më 19 nëntor 2018, në një kafiteri, ku ishte kapur në flagrancë së bashku me bashkëshorten e tij, nga ana e zyrtarëve policorë.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata, që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale, e cila i’u vihet në barrë dhe të njëjtëve t’iu shqiptojë sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Operacioni i arrestimit në flagrancë të të dyshuarve ishte xhiruar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, emision i cili është transmetuar të premten e kaluar.

Shantazhi ndaj doktorit në Gjilan