Zvicra ua Kthen Pensionet Kosovarëve

Mehmet B. është gëzuar të dielën. Një lajm i mirë i ka ardhur nga Zvicra. Këtë burrë rreth të pesëdhjetave e kanë thirrur në telefon shokët e tij nga Cyrihu, qyteti ku ka jetuar për shumë vjet, për t’ia dhënë lajmin e mirë. Pensionin që Zvicra ia ka ndërprerë tash e 18 muaj, do ta marrë përsëri. Edhe atë në mënyrë retroaktive për gjithë muajt që nuk ka marrë asnjë rapi nga shteti helvetik, shkruan Gazeta Express.

“Qe 18 muaj nuk kam e marrë pensionin. Me këtë vendim mua më takojnë më shumë se 18 mijë franga”, thotë Mehmet B. nga Prishtina.

Ky qytetar dhe shumë të tjerë nga Kosova që marrin pensione nga Zvicra mund t’i gëzohen lajmit se Gjyqi Federal i Zvicrës ka vendosur se është i paligjshëm vendimin i Qeverisë së Zvicrës, që e mori në prill të vitit 2010, për ndërprerje mbi Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë.

Qeveria zvicerane në dhjetor të vitit 2009, kishte marrë vendim për ndërprerjen e pagimit të pensioneve në Kosovë, duke filluar nga 1 prilli 2010. Në këtë mënyrë, ajo ishte përcaktuar për mosvazhdimin e marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore me ish-Jugosllavinë në raport me Kosovën.

Lajmin e mirë për pensionistët kosovarë e ka bërë të ditur Sindikata e Punëtorëve të Zvicrës, “Unia”.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashic, tha se e kanë pritur një lajm të tillë. “Por për këtë meritat i kanë vetë pensionistët, të cilët i kanë quar kërkesat e tyre deri në gjykatë”, ka thënë Rashic, për Express.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, ka thënë se “ky vendim u jep konotacion pozitiv shteteve të tjera perëndimore, të cilat kanë pasur marrëveshje me ish-Jugosllavinë në lidhje me pensionet”.