Vazhdon Gjyqi i Çakallëve

Slavica Bjelanovic, dëshmitar i palës mbrojtëse në rastin “Çyshku” dhe një koleg i të pandehurit, Zvonomir Cvetkoic, tha në gjyqin e mbajtur të hënën, se ka punuar me orar të plotë në firmën DDR Trans në Pejë në Kosovë, gjatë bombardimeve të NATO-s.

 “Ishim të detyruar të punonim gjatë bombardimeve. Punuam me orar të plotë, çdo ditë. Gjatë asaj periudhe, edhe Cvetkovic po punonte”, tha Bjelanovic.

 “Me sa di unë, nuk ka munguar asnjë ditë në punë, gjatë atyre muajve”, shtoi ajo.

Zvonimir Cvetkovic, bashkë me 12 ish-anëtarë të formacionit paramilitar serb “Çakallët”, është i paditur për krime lufte ndaj civilëve në fshatin Çyshk, afër qytetit Pejë në Kosovë, më 14 maj 1999.

Sipas aktpadisë, 13 ish-anëtarët e “Çakallëve” në gjyq, janë akuzuar me vrasjen e 44 shqiptarëve, përdhunim, grabitje dhe shkatërrim të pronave të civilëve në Kosovë.

Sulmi në Çyshk ndodhi në mes të konfliktit në Kosovë midis forcave të sigurisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe gjyqi është një ndër rastet më të mëdha të krimeve në gjykatën e Beogradit.

Sipas aktpadisë, pas sulmit, më shumë se 400 fshatarë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, lanë shtëpitë e tyre. Para konfliktit, Çyshku kishte rreth 2000 banorë, shumica të etnitetit shqiptar.

Një nga viktimat e vrara në Çyshk është Hasan Çeku, i ati i ish-kryeministrit kosovar, Agim Çeku. Gjyqi vazhdon të martën.