
Thaçi: UNMIK-u S’Mund të Pengojë Rindërtimin në Veri
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi tërhoqi po ashtu vërejtjen se UNMIK-u nuk ka të drejtë të pengojë ndërtimin e shtëpive të djegura që nga lufta e vitit 1999 dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm ndërtimin e shtëpive në pronat e tyre për qytetarët në veri, pa dallime etnike. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve aty që të mos ketë asnjë pengesë prej kujtdo qoftë. UNMIK-u nuk ka të drejtë as morale, as legale, as legjitime të pengoj apo të pretendoj të pengoj ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre”, tha Thaçi, në hapje të mbledhjes së Qeverisë.
“Ne do të diskutojmë edhe me ministrin e Brendshëm që Policia e Kosovës të jetë atje dhe të siguroj kushte për qytetarët atje, për vazhdimin e punimeve dhe zgjerimin e punimeve edhe në hapësirat tjera në veri, ku qytetarët kanë pronat e tyre. Unë do të diskutoj këtë çështje, në rastin e parë, edhe me përfaqësuesin e UNMIK-ut”, shtoi kryeministri i Kosovës.
Një shpërthim ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku aktualisht po kryhen rindërtime në shtëpitë e djegura shqiptare, që nga lufta. Policia e Kosovës tha se dyshon se shpërthimi ka qëllim frikësimin dhe ngritjen e tensioneve.
Por, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se “përkundër kërcënimeve dhe incidenteve që janë duke krijuar strukturat paralele serbe”, rindërtimi nuk do të ndalet.
Ndërsa të martën, policia ka raportuar se ka pasur shkëmbim të të shtënave me armë zjarri ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në lagjen Kroi i Vitakut. Mediat kanë raportuar se incidenti filloi kur inspektorë të ndërtimit të UNMIK-ut dolën në vendngjarje dhe kërkuan nga punëtorët shqiptarë që t’i ndërpresin punimet.
Komuna e Mitrovicës thotë se nuk ka nevojë për leje ndërtimi për shtëpi të djegura.