Meta i bllokon në WhatsApp hakerët e lidhur me Iranin

Meta i ka paralajmëruar fushatat e dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara të jenë syçelë, pasi zbuloi se një grup hakerësh i lidhur me Iranin u përpoq ta përdorte WhatsApp-in, aplikacionin për dërgimin e mesazheve.

Meta është kompania më e fundit e teknologjisë që paralajmëron për kërcënimet e mundshme që përbëjnë hakerët për zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, mes nënpresidentes Kalama Harris dhe ish-presidentit Donald Trump.

Më herët, Google dhe Microsoft zbuluan tentime të ngjashme që iu atribuuan Iranit.

Llogaritë në WhatsApp të lidhura me një “aktor kërcënues” iranian dërguan mesazhe duke pretenduar se ato ishin mbështetje teknike për AOL, Google, Yahoo, apo Microsoft, sipas Metës.

Meta tha këto llogari të përfshira në “inxhinieri sociale” u bllokuan.

Më herët këtë muaj, Inteligjenca amerikane konfirmoi se Irani e ka hakuar fushatën e Trumpit.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe agjenci tjera federale, thanë më 20 gusht në një deklaratë të përbashkët se Irani ka vendosur të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane “për të nxitur përçarje dhe për të minuar besimin në institucionet tona demokratike”.

Fushata e Trumpit e fajësoi Iranin më 10 gusht për hakimin e mesazheve të brendshme.

Zyrtarë të Iranit i hodhën poshtë akuzat./REL