Thaçi: Sovraniteti Nuk Vihet në Pikëpyetje

Duke folur në takimin e Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian, shefi i Qeverisë ka thënë se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të vihet në pikëpyetje.

“Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike, anëtare të Bashkimit Evropian, unë edhe sot do të ritheksoj vazhdimin e rrugës sonë të përbashkët, vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe vizionit të politikës kosovare, të filluar në vitin 2008, për një Kosovë sovrane, të pavarur dhe evropiane”, ka thënë Thaçi, transmeton zyra e tij e informimit.

Përfaqësimi rajonal i Republikës së Kosovës dhe rregullimi i brendshëm kushtetues i Republikës janë dy gjëra të ndara, sipas kryeministrit të vendit. “Kosova do të përfaqësohet edhe në marrëdhëniet regjionale me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që konfirmon ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës, që bazohet në dokumentin e presidentit Ahtisaari, do të përfaqësohet edhe me Rezolutën 1244, që njeh dhe garanton integritetin territorial të Kosovës dhe siguron prezencën e NATO-s në Kosovë, pra Kosova do të përfaqësohet si e barabartë dhe si shtet”.

“Të gjithë ata që pretendojnë të vënë sot dilema, kanë një qëllim të kundërt, Kosovën e izoluar, anti-evropiane dhe anti-amerikane. Kjo nuk do të ndodhë”, ka shtuar ai.