Thaçi: E Drejta e Protestës u Keqpërdor

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur keqardhjen “për protestën e dhunshme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, këtë të shtunë, në afërsi të dy pikave kufitare me Serbinë.

Nëpërmes një deklarate për shtyp, shefi i Ekzekutivit thotë se Kosova është shtet demokratik dhe se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë.  “Por, unë me vendosmëri e riktheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdor të drejtën e protestës për të vënë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjitime të shtetit tonë”.

Protesta e organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, në mbrojtje të mocionit të Kuvendit të Kosovës për masa të plota reciprociteti me Serbinë, përfundoi me arrestimin e gati 150 protestuesve, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Për të shuar protestën, policia përdori gaz lotsjellës, pompa uji dhe “dhunë të panevojshme”, sipas disa organizatave siç është KMDLNJ. Nga gurët e protestuesve, po ashtu, mbetën të lënduar një numër policësh. 

Por, Qeveria e Kosovës konsideron se policia, si autoritet kompetent për zbatimin e rëndit dhe ligjit, ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore sipas standardeve dhe procedurave operacionale për të mbajtur situatën e qetë dhe nën kontroll gjatë protestës.

“Për më tepër, policia e Kosovës ka bërë publik me kohë gjithë planin e saj operativ lidhur me menaxhimin e protestës dhe të njëjtin plan paraprakisht ia ka sqaruar edhe atyre që kanë organizuar protestën. Për fat të keq, protestuesit kanë dështuar që të përmbahen nga bllokimi i rrugëve, dhe, për më tepër, nga përdorimi i dhunës. Kjo ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e policisë në zbatim të rëndit dhe të ligjit. Si rrjedhojë, policia e Kosovës ka përdorur mjetet e lejuara sipas ligjit dhe standardeve më demokratike për shpërndarjen e protestuesve dhe zhbllokimin e rrugëve”.

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, sipas komunikatës shpërndarë mediave, do të bëjnë analizën e detajuar lidhur me këtë protestë dhe do japin sqarime profesionale, të cilat duhet të saktësojnë qartë se a ka pasur tejkalim të përdorimit të mjeteve dhe metodave për zbatimin e operacionit për garantimin e lëvizjes së lirë gjatë protestës. Në rast se konstatohet se ka pasur shmangie nga respektimi i procedurave, keqpërdorim të autorizimeve, përdorim të tepruar të forcës policore, atëherë organet e pavarura dhe kompetente do të marrin masa përkatëse disiplinore në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.

“Si kryeministër, e kam për detyrë kushtetuese që të mbështes sundimin e rendit dhe ligjit dhe me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen time për profesionalizmin e treguar nga policia e Kosovës, e cila edhe pse e përballur me forcën e dhunës së përdorur nga protestuesit, ka mbajtur nën kontroll situatën dhe ka shmangur çdo eskalim të situatës, që do të mund të ishte me pasoja katastrofave”, thuhet në deklaratën e Thaçit, e para që nga protesta e së shtunës.

Ai ka falënderuar dhe protestuesit dhe qytetarët, “të cilët janë përmbajtur dhe nuk kanë lejuar që situata të përshkallëzohet edhe më shumë”.

Si kryeministër, Thaçi bën apel publik për maturi qytetare dhe politike dhe i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se qeveria mbetet tërësisht në shërbim të qytetarëve të saj në mbrojtje të interesave të shtetit.