Të Pagjeturit iu Dorëzohen Familjarëve

Familjarë dhe përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Serbisë për personat e pagjetur kanë pranuar sot, në Merdare, katër mbetje mortore të personave të zhdukur në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Këta persona u identifikuan nga ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it me anë të kombinimit të analizave të ADN-së dhe analizave mjeko ligjore antropologjike.

 Alan Robinson, bashkë-drejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, tha se nesër do të dorëzohen edhe më shumë mbetje mortore. 

“Me këto numri i përgjithshëm i mbetjeve të dorëzuara arrin në 291 që prej fillimit të misionit tonë. Së shpejti do t’i dorëzojmë së paku edhe dhjetë mbetje mortore të identifikuara,” thuhet në kumtesën për shtyp të EULEX-it.

Ai thekson se janë ende 1,790 persona të pagjetur të cilën e konsideron si një çështje të ndërlikuar dhe të ndjeshme. 

“EULEX-i dhe DML-ja do ta vazhdojnë punën e tyre intensive për ta ndriçuar fatin e sa më shumë prej tyre që është e mundur”, tha Robinson.