Sërish Ndalohet Nxjerrja e Rërës

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim pozitiv dhe ka pranuar ankesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), duke ndryshuar aktvendimin e saj të mëhershëm, me të cilin ishte paraparë shtyrja e ekzekutimit të vendimit të Qeverisë për ndalimin e nxjerrjes së rërës nga lumenjtë e Kosovës.

Duke u bazuar në ankesën e MMPH-së, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, e cila ishte bërë nga OJQ “Zhavorri” nga Leshani, Komuna e Pejës, “Union Comerc” nga fshati Vragoc, “Dakaj-M” nga fshati Gllaviqicë,” Ermali” nga Deçani dhe N.T.N. “Besniku-Q” nga fshati Qyshk, komuna e Pejës.
   
Kolegji i shkallës së dytë i Gjykatës Supreme pranoi ankesën e parashtruar me kohë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht MMPH-ja, ku ishin paraqitur dëshmitë se vendimi paraprak i datës 13 janar 2012, ishte vendim jo i plotë dhe i pabazuar në gjendjen faktike, ka njoftuar Zyra e Informimit e MMPH-së.
   
“Kolegji i shkallës së parë kishte miratuar kërkesën e paditësve për shtyrje të ekzekutimit të vendimit. Por, Kolegji i Shkallës së dytë i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka konstatuar se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet nga ana e paditësve dhe rrjedhimisht kuptohet se vendimi i Qeverisë konsiston në ruajtjen e shtretërve, brigjeve dhe hapësirave përreth lumenjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
   
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përshëndet aktvendimin e Gjykatës Supreme dhe siguron se do të jetë e vendosur në zbatueshmërinë e vendimit Qeveritar dhe ligjet tjera të cilat garantojnë interesin publik në Republikën e Kosovës.