Sarajeva Shënon 20-Vjetorin e Rrethimit

Karriget u vendosën në 825 rreshta, për t’u dukur si një lumë i gjatë i kuq në rrugën “Marshall Tito” në qytet. Numri i 11,541 viktimave është vendosur nga Qendra për Hulumtim dhe Dokumentim në Sarajevë.

Shumë artistë dhe të rinj do të marrin pjesë në programe të ndryshme, të cilat do të përfshijnë koncerte dhe shfaqje arti gjatë ditës.

Gazetarë të huaj dhe fotografë, të cilët raportuan nga Sarajeva gjatë rrethimit, janë mbledhur në Hotelin “Holiday Inn” për të ndarë kujtimet dhe të diskutojnë të shkuarën e Bosnjës, të shkatërruar nga lufta.

Aktivistë të të drejtave të njeriut kanë thënë se do të mblidhen të premten në urën Suada dhe Olga, që mban emrat e dy grave që konsiderohen viktimat e para në Sarajevë.

Do të diskutojnë gjithashtu, se pse, 20 vjet më vonë, krimet e luftës ende mohohen në vend.

Shumë të rinj nga Beogradi, Tuzla, Mostari, Banjalluka dhe Stambolli pritet t’iu bashkohen. Njerëzit do të shkruajnë mbresat e tyre nga jeta në Sarajevë, sot, në një mur të improvizuar.

Të mërkurën, në “Holiday Inn”, vend ky ku mbaheshin mbledhjet e medias gjatë luftës, u hap një ekspozitë e fotove nga koha e luftës dhe u mbajt një koncert.

Disa OJQ kanë prezantuar gjithashtu një projekt mediatik të rrethimit të Sarajevës dhe rënies së Jugosllavisë. Koleksioni, i cili mbledh të gjitha faktet e njohura për luftën në vend, është në gjuhët vendore dhe në anglisht, dhe është i hapur të enjten, në Marijin Dvor në qendër të qytetit.

Një koncert nga violonçelisti i njohur boshnjak, Vedran Smajloviq, u mbajt të enjten, gjithashtu në “Holiday Inn”. Smajloviq luajti me violonçelin e tij në rrugët e qytetit të rrethuar gjatë luftës, dhe bashkë me disa nga kolegët e tij muzikantë, rrezikoi jetën për të treguar shpirtin e tij të rezistencës.

Smajloviqi, i cili tani jeton në Warrenpoint, Irlandën Veriore, erdhi në vendlindjen e tij për të përsëritur disa nga ato pjesë, duke kujtuar kohët e errëta të rrethimit.

Duke kujtuar kohët kur luajti me violonçel nëpër rrugë, tha se ndjen keqardhje që u thirr për ta bërë këtë nga gazetarët e huaj, dhe jo nga autoritetet e qytetit.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 44 muaj, dhe konsiderohet si më i gjati në historinë moderne. Shumica e personave të vrarë në qytet u qëlluan nga snajperë dhe bomba, të hedhura nga malet përreth që ishin nën kontrollin serb.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY, ka dënuar dy ish-gjeneralë serbë të Bosnjës për rolin e tyre në rrethimin e Sarajevës.

Stanislav Galiq dhe Dragomir Miloseviq u gjetën fajtorë për terrorizim të civilëve në Sarajevë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm dhe 29 vjet burgim, respektivisht.

Përkujtimi i të premtes do të jetë hera e parë që Sarajeva ka përgatitur një program zyrtar të këtij lloji në kujtim të viktimave të rrethimit.

Ky artikull fillimisht është publikuar në “Drejtësia Tranzicionale në Ballkan”
www.balkaninsight.com/al/page/drejtesia-tranzicionale-ne-ballkan-ballina