Kremlini. Foto: Wikimedia Commons/NVO.

Rusia shënon ditën e fitores ndaj nazizmit - 'arsyeton' agresionin e saj ushtarak në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin të hënën u përpoq ta konsideronte veprimin ushtarak të Moskës në Ukrainë si një reagim të detyruar ndaj politikave perëndimore dhe një lëvizje të nevojshme për ta shmangur një agresion të mundshëm.

Duke folur gjatë një parade ushtarake në Sheshin e Kuq që shënonte fitoren e Luftës së Dytë Botërore mbi nazistët, Putin tërhoqi paralele midis luftimeve të Ushtrisë së Kuqe kundër trupave naziste dhe veprimit të forcave ruse në Ukrainë.

Ndërkohë që kritikonte Perëndimin, Putin nuk dha asnjë indikacion për një ndryshim në strategji ose nuk dha ndonjë indikacion se do të shpallte një mobilizim të gjerë, siç janë diku u frikësuar disa në Ukrainë dhe Perëndim.

Duke iu drejtuar falangave të trupave elitare ruse që kishin mbuhsur Sheshin e Kuq, Putin tha se fushata e tij ushtarake në Ukrainë ishte një lëvizje e nevojshme për të shmangur atë që ai e përshkroi si “një kërcënim që ishte absolutisht i papranueshëm për ne (që) është krijuar në mënyrë metodike pranë kufijve tanë”.

“Rreziku po rritej nga dita në ditë”, pohoi ai, duke shtuar se “Rusia i ka dhënë një përgjigje parandaluese një agresioni” në atë që ai e përshkroi si një “vendim të detyruar, në kohë dhe të vetëm korrekt nga një vend sovran, i fuqishëm dhe i pavarur”.

Udhëheqësi rus e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për qëllime agresive, me mbështetjen e SHBA-së dhe aleatët e saj – pretendime që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë i kanë mohuar vazhdimisht.

Në fjalimin e tij në këtë paradë, Putini e qortoi përsëri Perëndimin për dështimin për t’iu përgjigjur kërkesave ruse për garancitë e sigurisë dhe një kthim prapa në zgjerimin e NATO-s, duke argumentuar se ajo nuk i la Moskës zgjidhje tjetër përveçse të niste një aksion në Ukrainë.

Udhëheqësi rus theksoi se trupat ruse po luftojnë për sigurinë e vendit në Ukrainë dhe apeloi për një minutë heshtje për t’i nderuar ushtarët që ranë në luftime. Putin vuri në dukje se disa nga trupat që merrnin pjesë në këtë paradë kishin luftuar më parë në Ukrainë.

Ai tha se trupat në Ukrainë kanë “luftuar për Atdheun, në mënyrë që askush të mos i harrojë mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe të mos ketë vend në botë për xhelatët, ekzekutuesit dhe nazistët”.

Dita e Fitores të cilën Rusia e shënon më 9 maj është festa më e rëndësishme e vendit, e festuar me parada ushtarake dhe fishekzjarre në të gjithë qarkun.

Bashkimi Sovjetik i ka humbur 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, të cilën e quan Lufta e Madhe Patriotike. Ky konflikt ushtarak i cili e pati shkatërruar këtë vend dhe pati shkaktuar vuajtje të mëdha, ka lënë një mbresë të thellë në psikikën kombëtare.

Disa në Ukrainë dhe Perëndim kanë pritur që Putini do ta përdorte fjalimin e tij në paradë për ta deklaruar luftën kundër Ukrainës në vend të asaj që deri më tani zyrtarët rus në Ukrainë e kanë quajtur “operacion special ushtarak”.

Putini nuk bëri ndonjë ndryshim të tillë në retorikë ose nuk dha ndonjë tregues se Kremlini mund ta ndryshojë strategjinë e tij dhe ta shpallë një mobilizim të gjerë të trupave të tij ushtarake.

Kremlini zyrtar është përqendruar në qendrën industriale lindore të Ukrainës, të njohur si Donbas, ku rebelët e mbështetur nga Moska kanë luftuar kundër forcave qeveritare të Ukrainës që nga viti 2014. Ky konflikt shpërtheu disa javë pas aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Ushtria ruse ka riarmatosur dhe rifurnizuar forcat e saj të tërhequra nga zonat afër Kievit dhe rajone të tjera në verilindje të Ukrainës dhe i ka zhvendosur ato në Donbas në një përpjekje të dukshme për t’i rrethuar dhe shkatërruar trupat më të afta dhe më të sprovuara ukrainase të përqendruara atje./Associated Press