Rrëfimi i këpuctarit nga Drenasi (VIDEO)

Bujar Zymberi nga Drenasi filloi punën si këpucëtar që nga mosha 14 vjeçare.

Bujari që 15 vjet mbanë diplomën e fakultetit të Kriminalistikes, por në pamundësi për të punuar në këtë fushë, vazhdoi zanatin familjar – këpucëtarinë.

Ai thotë se këtë profesion e filloi pasi që ishte i detyruar të mbaj familjen.

‘Si këpucar punoj që 21 vite. Për fillim kam vendos se jam kanë i detyruar si mbajtës i familjes, pasi nuk e kisha prindin e vëllain, ishin të zhdukur për momentin dhe jam detyruar. Por tash m’u ka bë pjesë e jetës. Riparojmë të gjitha llojet e këpucëve, prej fëmijëve, të dy gjinive, të gjitha llojet e këpucëve. Po zakonisht të na është vend pak ma i varfër, i sjellin këpucët mbathur, të rrallë janë personat që i bien këpucët p.sh të pastra. Çmimet janë të lira, prej 50 centëve, 1 euro, janë shumë të lira se vend i varfër në krahasim me komunat tjera”, thotë ai.

Dikur thotë se ky profesion ishte shumë i vlerësuar. Përderisa sot, disi ia del të siguroj të ardhura për familjen e tij.

“Fitimi krahasuar me vitet tjera, është shumë më i vogël. Se në Drenas ka pasur shumë popullatë, por tash kanë ikur për arsyeje të punësimit e kanë lëshuar shumë vendin. Qeveria na ka ndihmuar dy herë ka 170 euro, por 50 ditë nuk kemi punuar. Nuk e rekomandoj me dal në pension si këpucëtar se çdo ditë e më shumë puna po bie. Ky zanat është çdo ditë në zhdukje, ka ma pak punë, nuk i kisha rekomandu fëmijës tim ta vazhdoj këtë zanat. Nuk është punë e vështirë, se të bahet zanat, po është e përlyer”, thotë ai.

Bujari punën në lokalin e tij që gjendet në qytetin e Drenasit, e fillon nga ora 07:00 deri në orën 18:00.