Mes klithmave ekzistenciale dhe heshtjes së publikut “Pa mua” shpërfaq vuajtjet e gruas

Në një ambient të hapur, në natën e pestë të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, në fshatin Kukaj, u dha shfaqja “Pa mua” e nobelistit irlandez Samuel Beckett, me regji të Shkurta Aliut.

E gjithë shfaqja u përcjell me emocione, klithma ekzistenciale, gjuhë të trupit, tension, britma e lojë skenike të protagonistes, aktores Donika Ahmeti, e cila mundohet të shpërfaq barrën fizike dhe psikike që detyrohet ta përjetoj një grua.

Foto: Urim Krasniqi/ KALLXO.com

“Është hera e parë pas një kohe të gjatë që e kemi dhënë shfaqjen pas pushimeve verore edhe që kemi lëviz me shfaqje. Publiku në Kukaj ishte shumë i mrekullueshëm edhe feedbacku, apo vlerësimi i publikut ke diçka i jashtëzakonshëm që po më lë me shku te shpia të mbushur plotë”, tha për KALLXO.com, aktorja Donika Ahmeti.

Regjisorja, Shkurta Aliu e emocionuar tha që shfaqja është pritë nga publiku në Kukaj, më morë se që e ka paramenduar.

Foto: Urim Krasniqi/ KALLXO.com

“Nuk ka qenë e vështirë, por normalisht pak që po, për shkak se skena e Teatrit i ka predispozitat e veta, i ka mundësitë e ndryshme. Pak për aktoren kam menduar për shkak se dyshemeja ka qenë pak problem. Por kur e pashë shfaqjen deri në fund, Donika ia ka dalë shumë mirë edhe pse mendoja që ka me pas probleme shkaku i ndriçimit, gurëve, sepse tjera mundësika skena e Teatrit. Por mendoj që shkoj shumë mirë se edhe kjo zhurma e natës, fëmijët, njerëzit sa flisnin e kjo qetësia e natës ishte një lloj muzike në prapavijë të shfaqjes”, tha Aliu.

Dita e pestë e festivalit filloi me promovimin e kompletit të librave të Anton Çettës nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në të cilin përmblidhet jeta akademike, krijuese, humane e folkloristike e Anton Çettës.

Leontina Gega-Musa nga Instituti Albanalogjik tha që krijmtaria e plotë e profesor Anton Çettës është e përfshirë në këto 12 vëllime.

“Libri përmban kryesisht materiale folklorike të krijimtarisë gojore të cilat profesor Antoni i mblodhi, botoi e studioi si një dëshmi e pasurisë tonë shpirtërore e të cilat u bënë dëshmi e identitetit tonë kulturor dhe kombëtar”, thotë Gega-Musa.

Foto: Urim Krasniqi/ KALLXO.com

Me këngë e me valle në natën e pestë të EtnoFest u mbajtën edhe rite për tokën dhe ujin nga Etno Ansambli Visaret e Krrabës nga Tirana.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në fund të aktiviteteve, atmosfera e mbrëmjes vazhdoi me muzikën e zgjedhur nga DJ Robi.