Foto: KALLXO.com.

Filmi për Bajrush Mjakun shfaqet në natën e 5-të të Festivalit ‘Etno Fest’

Në fshatin Kukaj të Prishtinës kanë vazhduar aktivitetet në kuadër të Festivalit “Etno Fest”.

Ekspozitat e shumta e shfaqje muzikore skenike tashmë janë bërë pjesë e pandarë e Festivalit.

Një film dokumentar për aktorin shkupjan, Bajrush Mjaku, është shfaqur në ditën e 5-të të këtij Festivali.

Filmi “Një jetë në skenë” i regjisorit Filip Herin ka shpalosur pjesën më të madhe të veprimtarisë artistike të aktorit të njohur shqiptar.

Regjisorë, aktorë e filmbërës shqiptarë e të huaj kanë dhënë vlerësime në superlativ për 44 vjetët e krijimtarisë artistike të Mjakut.

Vetë aktori Bajrush Mjaku është shprehur se ka mbetur i kënaqur nga realizimi i këtij dokumentari.

“Unë ndihem i favorizuar në këtë rast dhe jam tejet i kënaqur me atë, siç thotë ajo kënga ‘knoma këngën sa të jem gjatë se kur vdes mos kofsha falë’, kështu që është kënaqësi kjo për mua dhe u jam mirënjohës gjithë atyre që janë prononcuar e që kanë dhënë mendimet e vlerësimet e tyre” – tha ai.

Mjaku thotë se në fund të këtij viti do të fillojë transmetimi i një filmi 8-episodësh në televizionin maqedonas ku do të pasqyrohet më e përmbledhur puna e tij artistike.

Pas filmit për Mjakun, në kuadër të skenës së teatrit u dha shfaqja “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrim Koliqit.

Drama “Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore.

Regjisori Kushtrim Koliqi tha se hapësira e festivalit i është përshtatur goxha mirë natyrës së shfaqjes.

“Megjithatë impaktin duhet me pa te publiku, unë sa mundem me pa, atë që kemi dashtë me arritë, e kemi arritë. Po besoj që njerëzit, atë që e kanë pa në “Emingjik” kanë mundur me marrë edhe këtu, po flas në aspektin e emocionit, lojës, konceptin regjisorial dhe gjithë elementeve që ne i kemi përdorur për këtë shfaqje” – tha regjisori Koliqi.

Emocionet që dha për publikun shfaqja “Babai dhe Babai” u vazhduan me “Unë sipas Magbethit” me regji të koreografit Kreshnik Musollit.

Koreografi tha pas shfaqjes se po ndihet mirë me reagimet e publikut pas shfaqjes.

“Jam i lumtur sepse e dimë që nuk është e lehtë për një shfaqje që është paraparë për një skenë teatri, të realizohet në këtë ambient, mirëpo e kemi bërë më të mundshme që shfaqja të dalë në atë nivel që ka qenë me premierën në dhjetorit, dhe siç u pa, publiku e ka pëlqyer mjaft shumë” – shtoi ai.

Nata e 5-të e Festivalit është mbyllur me performancën muzikore të rock grupit “Gillespe”.

Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.
Foto: KALLXO.com.