Reklama Më e Madhe për Prishtinën

Këtë të shtunë është vendosur në youtube video-klipi i këngës “Shine Ya Light” i këngëtares Rita Ora që është xhiruar e tëra në Prishtinë dhe përreth saj.

Qeveria e Kosovës kishte ndarë 1 milionë euro që të reklamonte “NewBornin” në CNN në fillim të këtij viti, por iniciativa ishte kthyer në një skandal 24-orësh kur në rrjetin më të njohur botëror ishte prezantuar si “NewPorn”.

Këtë herë nuk do të ketë as gabime as skandal.

Videoklipi i Rita Orës mund të jetë reklama më e madhe për kryeqytetin e vendit në historinë e tij. Ajo shihet disa herë me flamurin e Kosovës në të dhe po ashtu disa herë rikthehet pamja e tabelës rrugore për Prishtinën siç është – në gjuhët shqipe, serbe e angleze. Shumë njerëz do ta shohin këtë flamur dhe këtë emër për herë të parë.

 

 
Rita Ora | Foto: foto marrë nga video-klipi i këngës “Shine Ya Light”   

 

“Rita po vjen”, “Rita po vjen”, kështu thërret një djalë i vogël në shqip derisa shikon nga terraca e banesës. Rita prezantohet më pas duke u pritur si një yll Holliwood-i në Prishtinë nga qytetarët, kur erdhi para disa javësh.

Ajo paraqitet teksa këndon para audiencës së vendlindjes, tek vozitet me motor në rrugët e saj, mes të rinjëve, me fëmijë në dorë, duke ecur rrugicave të vjetra e tradicionale, me një qen etj.

Pamjet që ka gjetur duket qartë se janë kërkuar me vullnetin për të bërë një përzgjedhje që do ta prezantojë Prishtinën dhe Kosovën sa më bukur.

Në një vend për të cilin flitet gati vetëm në kontekst dhune në mediat botërore, kjo është pamja më pozitive që i ofrohet botës. Dhe nuk vjen “përmes investimeve nga jashtë”, por prej një këngëtare 22 vjeç që ka lindur në Prishtinë.