Qeveria emëroi anëtarin e Vetëvendosjes në bordin e KRU Gjakovës
Qeveria e Kosovës ka injoruar tetë kandidatë që janë vlerësuar me më shumë pikë dhe ka emëruar Jeton Haxhijahën, në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”. Haxhijaha, i cili ishte renditur i 12-ti në listën prej 15 kandidatëve të rekomanduar, është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Qeverisë së Kosovës i ka shkuar lista me 15 kandidatët e emërueshëm edhe pse me Ligjin për ndërmarrjet publike thuhet që lista duhet të pëmbajë së paku pesë emra më shumë se i pozitave për drejtor të zgjedhur në bord.
“Kurdo që është e mundshme, Komisioni Rekomandues do t’i rekomandojë Qeverisë një numër të kandidatëve të kualifikuar që është së paku pesë (5) më shumë se numri i pozitave për drejtor të zgjedhur në Bordin e Drejtorëve” – thuhet në paragrafin e 7-të të nenit 15 të Ligjit për ndërmarrje publike.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Qeveria dhe Komisioni vlerësues pse janë dërguar 15 emra për vetëm 4 anëtarë të bordit që është dashur të zgjidhen, më shumë se pragu minimal i kërkuar me ligj.
Kryetari i Komisionit vlerësues, Blerim Hasani, ka thënë për KALLXO.com se janë udhëzuar nga njësia përkatëse që shërben si sekretari e komisioneve rekomanduese në Zyrën e Kryeministrit, t’i rekomandojnë së paku 12 kandidatë.
“Prandaj, numri 15 i kandidatëve është caktuar marrë për bazë rezultatin e arritur nga të njëjtit në intervistën me gojë. Ne si komision, nuk kemi pasur asnjë preferencë për asnjërin kandidat, e absolutisht ndonjë vlerësim paraprak se si renditen me radhë. Renditjen e tyre në listë, pra e kanë përcaktuar pikët që i kanë marrë kandidatët në intervistën me gojë. Ndërsa, pas përfundimit të listës dhe deri tek emërimi i tyre nga Qeveria, janë edhe disa faza konsultative e sigurisht se ZKM ju ka ofruar sqarime për këtë” – ka thënë Hasani.
Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës kanë deklaruar për KALLXO.com se është në diskrecion të plotë të Qeverisë që secili kandidat i cili është në listën rekomanduese mund të emërohet nga Qeveria në bord të Ndërmarrjes Publike pavarësisht rankimit apo poentimit të kandidatëve në listën rekomanduese.
“Në nenin 15.7 shih pjesën – Komisioni Rekomandues do t’i rekomandojë Qeverisë një numër të kandidatëve të kualifikuar që është së paku pesë (5) më shumë se numri i pozitave për drejtor të zgjedhur në Bordin e Drejtorëve që do të thotë se në rast të përzgjedhjes se pesë (5 ) apo shtatë (7) anëtarëve komisioni mundet të rekomandojë me shumë se sa ky numër dhe nuk është i limituar” – theksohet në përgjigjen e ZKM-së.
Njeriu i Vetëvendosjes në bord
Jeton Haxhijaha e ka pranuar për KALLXO.com se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje duke potencuar se është anëtar i thjeshtë dhe nuk ka aktivitet në parti. Anëtari i emëruar në bordin e KRU “Gjakova” e ka mohuar që Lëvizja Vetëvendosje ka ndikuar në emërimin e tij.
“Jo, nuk ka ndiku partia, sepse unë nuk kam aktivitet aty, por vetëm anëtar i thjeshtë, jam anëtarësu më herët. Për besë unë nuk e di në cilin rend kam qenë, cilin numër e kam pas nuk e di. Unë jom shku atje, më kanë thirrë në intervistë edhe kjo është çka e di unë. Renditjen nuk e di. Kjo nuk është pyetje për mu, është pyetja për ata që më kanë përzgjedh, nuk mundësh më me thonë ti mu, duhet me i pytë ata që më kanë përzgjedh” – ka thënë Haxhijaha përmes telefonit.
Haxhijaha në Facebook ka të publikuar edhe fotografi me deputetin e LVV-së nga Rahoveci, Visar Korenica. Edhe vetë Haxhijaha është nga komuna e Rahovecit.
Deputeti i LVV-së, Visar Korenica, gjithashtu e ka mohuar se partia ka gisht në emërimin e Haxhijahës. Madje ka thënë se përgatitja profesionale e Haxhijahës ka ndikuar në emërimin e tij në bord.
“Ka ndikuar përgaditja e tij dhe vlerësimi që e kanë bo për to. Nuk kas asnjë pozitë në degën e VV në Rahovec, është vetëm anëtar. Më e mira kish me qenë që procesi të ishte i monitoruar, nuk kam informacione qysh ka shku. Është jashta përgjegjësisë time si deputet. Te përzgjedhja është e padenjë unë me u marr në përgjegjësi, se as nuk kam qenë pjesë e procesit e as nuk e di kur është shpallë, as kur ka përfundu. Është jashtë kompetencave për çka unë jam aktiv në Kuvend” – ka thënë Korenica përmes telefonit për KALLXO.com.
Premtimi për depolitizim
“Ndërmarrjet publike duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal e të cilët e kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo zhvillimin e interesave të ngushta, që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin” – thoshte kryeministri Albin Kurti, në një video-mesazh më 12 shtator 2021 drejtuar qytetarëve kur u bënte thirrje profesionistëve që të aplikojnë në konkurset në ndërmarrjet publike.
“Me qeverisjen tonë kemi siguruar meritokraci e transparencë të plotë në proceset e rekrutimit në sektorin publik..” – vazhdonte video-mesazhi i Kurtit.
Në fushatën zgjedhore Kurti kishte premtuar departizim dhe depolitizim të bordeve të ndërmarrjeve publike.
Bashkë me Haxhijahën, në bord janë emëruar edhe tre kandidatë të tjerë, që janë radhitur në pozitat 4, 5 dhe 6 në listën e kandidatëve më të suksesshëm, përderisa tre kandidatët e parë më të vlerësuar nga komisioni, janë anashkaluar.
Haxhijaha është renditur i 12-ti me 150 pikë, i 4-i ishte renditur Urim Gashi, me 196 pikë; e 5-ta ishte renditur Arjaneta Nura, me 191 pikë dhe e 6-ta ishte renditur Vildane Maloku, me 191 pikë.
Tre kandidatët më të poentuar, Agon Haxhikadrija me 204 pikë; Miranda Zherka me 203 pikë dhe Hysni Ahmeti me 197 pikë, edhe pse ishin vlerësuar më së shumti nga komisioni dhe ishin renditur në krye të listët, asnjëri nuk është emëruar në bordin e KRU “Gjakova”.
KALLXO.com ka kontaktuar me Agon Hixhikadrinë, i cili është renditur në krye të listës nga Komisionit përzgjedhës pas procedurës së rekrutimit, testi me shkrim, testi me gojë dhe përvoja e punës. Ai ka treguar edhe arsyen pse nuk është emëruar në bordin e ndërmarrjes KRU “Gjakova”.
“Unë profesionalisht kam qenë më i rekomanduari, politikisht nuk jam dhe nuk kam qenë asnjëherë në asnjë parti. Arsyeja kryesore që më është thënë ka të bëjë me emërimin tim në Këshillin Drejtues të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Atje jam i emëruar si zv.kryesues i KD dhe rrjedhimisht, sipas Qeverisë nuk ka qenë e pëlqyer me qenë në dy pozita zyrtare” – ka thënë Haxhikadrija.
Në anën tjetër, Kryesuesi i Komisionit përzgjedhës të konkursit, Blerim Hasani, nuk ka pranuar të përgjigjet rreth procesit dhe ka kërkuar që të kontaktohet Zyra e Kryeministrit.
“Ju lutem, mos e nënkuptoni këtë si mungesë e vullnetit për bashkëpunim dhe ofrim të përgjigjes, por ZKM apo njësia përkatëse që merret me menaxhimin e procesit të selektimit/rekomandimit të kandidatëve për emërim në borde publike, e ka të gjithë dokumentacionin dhe raportet që e përshkruajnë në faza, prandaj merrni për bazë përgjigjen e tyre. Ne kemi qenë të angazhuar vetëm si komision rekomandues” – ka thënë Hasani për KALLXO.com.
Qeveria ka thënë se është në diskrecion të saj emërimi i Bordit të Drejtorëve të një ndërmarrje publike, duke u bazuar në listën rekomanduese të Komisionit, pavarësisht renditjes në poentim.
“Qeveria e Republikës së Kosovës plotësisht është bazuar në listën rekomanduese, është në diskrecionin e plotë të Qeverisë që secili kandidat i cili është në listën rekomanduese,Qeveria mund ta emërojë në Bord të Ndërmarrjes Publike, pavarësisht rangimit apo poentimit të kandidatëve në listën rekomanduese” – thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Nga shpallja e konkursit deri te emrat e rekomanduar
Konkursi për anëtar të bordit të drejtorëve të KRU ‘Gjakova’ është shpallur më 15 tetor të vitit 2021, për katër pozita, kryesues dhe tre anëtarë të bordit.
Për katër pozita fillimisht kishin aplikuar 47 kandidatë. Prej tyre, 23 i kanë plotësuar kriteret fillestare dhe janë proceduar më tutje për testim.
Më 22 shkurt të vitit 2022, zv.sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Arben Krasniqi, ka emëruar Komisionin Përzgjedhës prej 7 anëtarëve.
Fahrije Tërrnava – Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ishte emëruar kryesuese e Komisionit, ndërsa Fikrije Zymberi, Valon Gashi, Merita Dedinca – Uruqi, Besad Halilaj, Violeta Hoxha dhe Bajram Mustafa ishin emëruar anëtar të Komisionit. Këta tre të fundit ishin ekspertë të jashtëm.
Më pas, më 8 mars 2022, Arben Krasniqi kishte zëvendësuar kryesuesen e Komisionit, Fahrije Tërrnaven, me Blerim Hasanin, i cili është Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.
Nga 23 emrat që ishin proceduar më tutje për testim, Jeton Haxhijaha ishte futur në këtë listë pasi që kishte bërë ankesë.
Komisioni Përzgjedhës pasi kishte zhvilluar procedurat e rekrutimit, si testi me gojë, me shkrim dhe pasi që kishte vlerësuar përvojën e punës të secilit kandidat, kishte përpiluar listën prej 15 kandidatëve të rekomanduar, e cila është dërguar në Qeverinë e Kosovës.
Në fillim të këtij viti KALLXO.com ka raportuar edhe për zgjedhjen e Hasan Krasniqit si kryeshef të ndërmarrjes KRU “Gjakova”, i cili ka qenë kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2021.