Përfundon Protesta te Dheu i Bardhë

Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë shpallur të përfunduar për sot protestën në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë, te Kamenica. 

Vendimi është marrë, me arsyetimin se Policia e Kosovës ka konfiskuar materialet logjistike, të cilat do ta bënin të mundshëm mbarëvajtjen e protestës.
 
Ndërkohë mediat kanë raportuar edhe për një incident ndërmjet dy grupeve protestuesish, njëri nga Ferizaj dhe tjetri nga Gjilani, të cilët janë zënë se kush do të hipte në një autobus që do t’i kthente protestuesit në shtëpitë e tyre.

Më herët, nëpërmes një komunikate, VV ka njoftuar se policia rreth orës 18 u ka konfiskuar një tendë, 10 reflektorë, 2 fuqi të zbrazëta për ngrohje, 1 fuçi me vaj për ngrohje dhe të gjitha mjetet e punës të cilat do të ndihmonin protestuesit në këto temperatura të ulëta.

“Bashkë me mjetet, Policia ka detyruar edhe aktivistët, Agron Kabashi, Agron Reka dhe Rexhep Sylejmani, që të shkojnë deri në stacionin policor në Gjilan”.
 
Vetëvendosje ka kërkuar nga Policia e Kosovës që urgjentisht t’ua kthejë këto mjete, të cilat janë
“shumë të nevojshme për mbarëvajtjen e protestës dhe shëndetin e protestuesve dhe ta respektojë të drejtën tonë për protestë paqësore”.

VV: Policia po shkel të drejtat elementare të protestuesve

Vetëvendosje është ankuar se tek protesta paqësore që po zhvillohet në afërsi të pikës kufitare Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës po e ndalon dhe pamundëson depërtimin e ushqimit dhe materialeve logjistike që janë esenciale për mirëqenien e protestuesve që po vazhdojnë të qëndrojnë atje.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës po ushtron presion ndaj protestuesve duke i detyruar vozitësit e autobusëve që të afrohen tek protestuesit dhe t’i mbledhin ata nga vendi i protestës.
“Ata iu kanë dhënë vozitësve të autobusëve afat prej 20 minutave për t’u kthyer mbrapa me apo pa protestuesit”, sipas një komunikate të VV-së.

Po ashtu, edhe afër vendit ku po protestohet në Merdar, policia ka ndaluar një furgon që bartte dru për ngrohje duke i konfiskuar drutë dhe duke e përcjellë vozitësin për në stacionin e policisë.

“Policia kësaj radhe në vend të intervenimit po privon protestuesit nga gjërat elementare, si ushqim, pije  dhe ngrohje, duke rrezikuar kështu shëndetin e të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë në protestë paqësore”.

VV e dënon këtë akt të dhunshëm dhe i bënë thirrje Policisë së Kosovës që të mundësojë furnizimin me ushqim, pije, e materiale të tjera të nevojshme për protestuesit dhe shëndetin e tyre.

Iu bëjmë thirrje organizatave që po e mbikëqyrin protestën që të reagojnë ndaj presionit që po ushtrohet për të pamundësuar protestimin paqësor. VV iu ka bërë thirrje edhe medieve që të vazhdojnë të përcjellin ngjarjet në dy pikat ku po protestohet.