Objekti i ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani’ në Prishtinë. Foto: KALLXO.com.
Mbyllja e Qendrës për Praktikë Narrative acaron raportet mes komunitetit artistik dhe Komunës së Prishtinës
Bienalja Nomade Europiane “Manifesta” e kishte mbyllur Qendrën për Praktikë Narrative (CNP), ish-Bibliotekën e Qytetit “Hivzi Sulejmani” (objekti i vjetër) më 01.02.2024 për shkak të mungesës së fondeve.
“Manifesta” kishte qenë organizata joqeveritare që e kishte pasur përgjegjësi ta menaxhonte këtë hapësirë që nga përfundimi i “Manifestës 14” para 1 viti.
KALLXO.com që e kishte vizituar CNP-në me 13.05.2024, kishte gjetur xhamat tek hapësira për debat publik në CNP të thyera dhe oborrin e mbushur me mbeturina. Por, asnjë organizatë apo pjesëtar i komunitetit kulturor në Prishtinë nuk kishte reaguar për 4 muaj sa i ishte dashur kësaj ndërtese për të filluar të demolohet.
Por, pasi që Drejtoria e Kulturës (DK) e Komunës së Prishtinës vendosi të bartej në këtë ndërtesë para disa ditësh duke zënë 3 zyre nga përafërsisht 10 hapësira të ndryshme që i ka kjo ndërtesë, një pjesë e caktuar e komunitetit të kulturës ka filluar të protestojë.
Një iniciativë që quhet PART, organizata (lëvizja) “Punëtorët në Art” (PART), një organizim joformal, që përbëhet nga artistë, hulumtues, kuratorë si dhe punëtorë të pavarur kulturorë, e ka kundërshtuar vendosjen e stafit 6-anëtarësh të Drejtorisë së Kulturës.
Ky staf ishin bartur në ndërtesë kur stafi i “Manifestës” nuk ishte më në ndërtesë dhe nuk kujdesej për këtë ndërtesë që është trashëgimi e mbrojtur e Kosovës.
Vendimi i Komunës së Prishtinës për të transferuar DK-në në 3 zyre të CNP-së ishte marrë në fund të muajit maj 2024, gati katër muaj pas mbylljes së kësaj qendre.
“Manifesta” në deklaratën e saj për shtyp në janar 2024 tha që do e hapte CNP-në në pranverë, por ajo nuk u hap as në mars, as në prill e as në maj.
Por, përmes një letre publike të datës 04.06.2024, aktivistët kanë reaguar.
Letra e PART-it “Shuarja e hapësirave publike të artit dhe kulturës: Përvetësimi i ish-bibliotekës ‘Hivzi Sulejmani’ nga Komuna e Prishtinës” kërkon nga Komuna që të tërhiqet nga vendimi për të transferuar DK-në në hapësirat e CNP-së.
PART po e akuzon e Komunën se me këtë veprim përveç se po zvogëlon hapësirat publike kulturore për komunitetin po krijon një precedent që hapa të tillë të merren edhe në nivele të tjera që këto hapësira të shndërrohen në zyra administrative. Por, PART nuk ka reaguar kur CNP ka mbetur e mbyllur mbi 4 muaj, dhe nuk protestoi kur CNP nuk u hap në pranverë ashtu siç kishte thënë që do të rihapej pas dimrit dhe kur kishte filluar të demolohej.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Sibel Halimi, drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se veprimi i Komunës është keqkuptuar nga komuniteti artistik.
Sipas saj, DK-ja është zhvendosur në Qendrën për Praktikë Narrative (CNP) jo për ta shuar atë, por për ta ndihmuar, për t`ia rikthyer komunitetit.
Për më tepër ajo ka shtuar se DK-ja do të shfrytëzojë vetëm tri zyre të kësaj Qendre, dhe jo tërë Qendrën. Prandaj, sipas saj, do të ketë hapësira të mjaftueshme për shfrytëzim nga komuniteti kulturor e artistik.
Pas marrjes së kësaj përgjigjeje, Kallxo.com ka shkuar në CNP për të vërtetuar se sa hapësira në CNP janë të papërdorura prej Komunës.
Në katin e parë të kësaj ndërtese janë 2 salla të leximit edhe 2 zyre të zbrazta prej gjithsej 6 në total.
Kjo do të thotë që në katin e parë Drejtoria e Kulturës është duke përdorur 2 prej 6 hapësirave. Në katin e dytë, hapësira kryesore që ka qenë për galeri është e papërdorur nga Drejtoria dhe dy zyre të tjera, duke llogaritur dhomën ku “Manifesta” ka pasur projektim të filmit, janë të zbrazëta,
Në pjesën e pasme të CNP-së janë edhe 3 hapësira që janë përdorur për punëtori për print, vizatim etj.
Të gjitha këto hapësira për punëtori janë të zbrazëta dhe të papërdorura prej Komunës në momentin që Kallxo.com kishte shkuar për t’i vizituar, më 12.06.2024.
“Manifesta” nuk e kishte komentuar vendimin e Komunës për transferimin e DK-së në objektin e saj.
Përparim Rama konfirmoi për KALLXO.com që bartjen e Drejtorisë së Kulturës në CNP ai e kishte bërë në marrëveshje me Hedwig Fijen, drejtoreshë e ‘Manifestës”.
Ai sqaroi që shpenzimet e ujit, rrymës dhe shërbimeve të tjera për këtë ndërtesë me 13 hapësira i kishte kryer Komuna e Prishtinës edhe në kohën kur këtë ndërtesë e kishte menaxhuar “Manifesta” dhe që bartja e Drejtorisë është bërë edhe për shkaqe sigurie për t’u siguruar që të gjitha këto hapësira nuk mbesin pa përkujdesje që kishte rezultuar në xhama të thyer në oborr.
Po ashtu, kryetari Rama tha se Komuna ka bërë 200,000 euro investim në renovim të objektit.
Kërkesat e PART-it
Lëvizja PART, përmes letrës publike, të cilës ia ka bashkëngjitur një listë (https://shorturl.at/wT9UT) ku figurojnë emrat e mbi 43 OJQ-ve dhe emrat të shumtë të personaliteteve të ndryshme kulturore, ka kritikuar vendimin e Komunës, duke i kërkuar që të tërhiqet nga vendimi për transferimin e DK-së në Qendrën për Praktikë Narrative.
“Kundërshtojmë vendimin e Komunës për të zhvendosur DK-në në Qendrën për Praktikë Narrative. Ky vendim, përveç që e zvogëlon hapësirën publike, edhe ashtu të kufizuar në shërbim të komunitetit, po ashtu paraqet një precedent të rrezikshëm i cili hap rrugë që edhe në nivele tjera qeveritare që për çfarë do nevoje t‘i shndërrojnë hapësirat e pakta kulturore publike në zyra administrative. Andaj kërkojmë anulimin e këtij vendimi dhe rikthimin e hapësirës në shërbim të Komunitetit”- thuhet në letrën publike të PART-it drejtuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe DK-së së kësaj Komune.
Sipas letrës, Komuna e ka përgjegjësinë të përkrahë dhe të mbrojë krijimtarinë e pavarur në art dhe kulturë dhe të ofrojë hapësirë për zhvillim të qëndrueshëm komunitar.
Për më tepër, PART thotë se zhvendosja e DK-së në CPN po bëhet në mungesë të plotë të transparencës, informimit dhe konsultimit me komunitetin. Sipas PART-it, kryeqyteti duhet të jetë shembull për përkrahjen për shfrytëzimin e hapësirave publike nga komuniteti. Në fund, PART ka renditur edhe tri kërkesa drejtuar Komunës për lirimin e CNP-së dhe hartimin e politikave për shfrytëzimin e hapësirave publike në dobi të komunitetit:
1. Lirimin e hapësirës së ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani” nga DK-ja, si dhe organizimin e një procesi pjesëmarrës mbi qeverisjen e kësaj hapësire publike duke pasur parasysh kontekstin e shfrytëzimit të pronave komunale dhe rëndësisë së hapësirave kulturore.
2. Ndërmarrjen e një politike dhe praktike pozitive komunale ndaj shfrytëzimit të pronave të Komunës për nevoja të komunitetit, duke përkrahur në mënyrë institucionale dhe sistematike shfrytëzimin e hapësirave publike adekuate dhe rritjen e numrit të cilësisë së tyre:
3. Angazhim publik dhe institucional që politikat dhe ligjet qendrore për shfrytëzim të pronave komunale të jenë pozitive dhe mundësuese për realizimin e interesit publik.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje PART-it, por edhe disa prej OJQ-ve nënshkruese të letrës, lidhur me letrën publike drejtuar Komunës dhe arsyet e mosreagimit të tyre për mbylljen dhe lënien pa përkujdesje të CNP-së.
Por, vetëm PART dhe ORCA kanë kthyer pergjigje deri në publikimin e artikullit.
Lëvizja PART ka thënë për KALLXO.com se për dallim nga herat e tjera kur kanë reaguar, këtë herë PART është një ndër nënshkruesit e letrës dhe bashkautore së bashku me platforma dhe organizata të tjera.
PART thotë se për shkak të problemeve të shumta në lidhje me shfrytëzimin e hapësirave publike, vendimi arbitrar për rastin në fjalë ka shërbyer për të gjithë si një momentum i përshtatshëm për të reaguar ndaj tkurrjes së hapësirave publike, por mbi të gjitha, për ta zgjeruar diskutimin në problemet strukturore dhe kornizën ligjore që rrezikojnë edhe hapësira tjera tash dhe në të ardhmen. Kjo është e elaboruar më gjerësisht në letër.
Në pyetjen e KALLXO.com pse nuk kanë reaguar në momentin e mbylljes dhe fillimit të degradimit të objektit ku funksiononte CNP, PART thotë se trajton çështje që kanë të bëjnë me politika publike dhe nuk e ka mandat t’i monitorojë organizatat e shoqërisë civile lokale apo ato ndërkombëtare.
“Ne e kemi përkrahur këtë Letër Publike për shkak se i adresohet përfaqësuesve tanë të cilët kanë për detyrë që përmes rregulloreve, sistemeve të monitorimeve etj., t’ i shmangin problemet e tilla, siç është mbyllja e papritur e një hapësire publike dhe pastaj ndryshimi i funksionit të saj. Ne po kërkojmë që të bëhet një diskutim publik, jo rreth fatit të Fondacionit Manifesta por rreth menaxhimit të asaj hapësire në të ardhmen, pavarësisht se kush do ta menaxhojë atë. Ky rast asesi nuk duhet të bëhet precedent për shkatërrimin e hapësirave tjera publike”- thuhet në përgjigjen e PART-it për KALLXO.com.
Ndërkaq ORCA ,në një përgjigje për KALLXO.comthotë se ka mbështetur kolegët nga shoqëria civile që merren me artin dhe kulturën, duke pasur parasysh qëllimin dhe përpjekjen e tyre për krijimin e më shumë hapësirave publike dedikuar artit.
“Lidhur me ndërtesën në fjalë, ORCA nuk ka një mendim se kujt do të duhej t’ i shërbente ajo në të ardhmen. Por, për sa kohë institucionet lokale dhe qendrore nuk kanë krijuar hapësira të reja të dedikuara për artistët sipas konceptit të Manifesta-s, ne jemi kundër përvetësimit të asaj hapësire apo uzurpimit të një pjese të saj nga cilido institucion, në këtë rast nga Komuna e Prishtinës”- thuhet në letrën e ORCA-s për KALLXO.com.
Pozicioni i Komunës
Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunës e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se vendimi për transferimin e DK-së në CNP është keqkuptuar nga komuniteti artistik.
Ajo ka thënë se DK është zhvendosur në “Hivzi Sulejmani” (Qendra për Praktikë Narrative), jo për ta shuar atë, por për ta ndihmuar, për t`ia rikthyer komunitetit.
Për më tepër, sipas saj, DK-ja do të shfrytëzojë vetëm tri zyre të Qendrës, dhe jo tërë Qendrën. Prandaj, do të ketë hapësira të mjaftueshme për shfrytëzim nga komuniteti kulturor e artistik.
“Më tutje, kjo Qendër ka qenë e mbyllur një kohë të gjatë në mungesë të programit e buxhetit, objekti ka qenë pa përkujdesje dhe si rezultat ka filluar të degradohet dhe shkatërrohet. Pas intervenimit të Kryetarit Përparim Rama dhe Drejtorisë së Kulturës, kjo Qendër është rivitalizuar në tërësi dhe është në mbrojtje institucionale 24 orë në ditë dhe janë angazhuar shumë staf ndihmës e janë ofruar e mbuluar shpenzime të shërbimeve publike”- ka thënë Halimi.
Drejtoresha Halimi ka thënë se stafi i DK-së ka marrë vetëm tri zyre e cila ka qenë e domosdoshme për shkak të mungesës së zyrave adekuate në ndërtesën e Komunës. Ndaj, ka shtuar ajo, e gjithë hapësira tjetër tani është e gatshme për iniciativa të reja të komunitetit artistik e kulturor.
Prania e disa zyrtarëve të DK-së në Qendër, sipas Halimit, do të rezultojë në komunikim më të afërt me artistët e kryeqytetit, bashkëpunim të përditshëm gjithmonë në të mirë të kulturës e artit në kryeqytet dhe do të ketë ofrim të shërbimeve më efikase.
“Ashtu si në shumë vende të qytetëruara drejtoria e kulturës, është më shumë se administratë e burokraci, por përcaktohet në një pozitë më të afërt gjithmonë në sinkronizëm të përpjekjeve tona të përbashkëta”- ka thënë ajo, duke shtuar se sikurse në shumicën e vendeve objektet e tilla me vlera kulturore e historike kanë një prezencë të institucionit mbikëqyrës për shkak të mbrojtjes së këtyre vlerave dhe ofrimit të masave të sigurisë.
“Prandaj, i siguroj komunitetin artistik dhe kulturor që Qendra do të vazhdojë të jetë në shfrytëzim të komunitetit dhe se avancimi i kulturës dhe artit në kryeqytet vazhdon të jetë një prej prioriteteve të qeverisjes tonë, ndaj për të arritur këtë synim, më shumë se kurrë na duhet dialogu dhe bashkëpunimi”- ka pohuar drejtoresha e DK-së, Sibel Halimi.
Mbyllja (e përkohshme) e CNP
Më 30 janar 2024, Bienalja Nomade “Manifesta” përmes një komunikate bëri të ditur se Qendra për Praktikë Narrative do të mbyllet përkohësisht për shkak të problemeve financiare.
“Pas një viti të suksesshëm plot aktivitete, shfaqje dhe programe edukative dhe të shoqërisë civile me partnerë publikë dhe privatë, CNP po mbyllet për disa muaj gjatë pushimit të dimrit për shkak të sfidave që rrjedhin kryesisht nga mungesa e financimit”- thuhet në komunikatë, pa dhënë më shumë arsye. Po sipas komunikatës, CNP-ja do të përgatitet për një rihapje të suksesshme.
Por, që nga njoftimi 30 janarit 2024, CNP nuk ka bërë të ditur se kur do të rihapet Qendra e as si dhe nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me vendimin e Komunës për të transferuar DK-në në CNP.
E themeluar në ish-bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, e cila iu caktua “Manifesta-s 14” nga Komuna e Prishtinës në vitin 2021, CNP është rinovuar përmes investimit të Qeverisë së Luksemburgut, si dhe Ambasadës holandeze dhe UNDP-së si partner implementues në vitin 2022.
CNP u bë vendi qendror i bienales “Manifesta 14 Prishtina”, si dhe trashëgimia e saj e qëndrueshme për qytetin e Prishtinës.
“Në vitin 2023, CNP ka funksionuar falë mbështetjes së Fondacionit ‘Manifesta’, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe Komunës së Prishtinës, dhe disa partnerëve të tjerë publikë. CNP kërkon partneritete të qëndrueshme për të krijuar një trashëgimi afatgjatë dhe për të riinvestuar kapitalin material dhe jomaterial të shpenzuar tashmë në ndërtesë dhe programet e saj institucionale”- thuhet në komunikatën e “Manifesta” më 30.01.2024.
Po sipas kësaj komunikate, që nga rihapja e suksesshme më 1 shkurt 2023, CNP priti mbi 9,000 vizitorë me më shumë se 150 aktivitete dhe ngjarje të organizuara nga CNP në bashkëpunim me partnerët e jashtëm të huaj dhe kosovarë. Kjo arritje, sipas komunikatës, e ka forcuar CNP-në si një institucion ndërdisiplinor vibrant për bashkëkrijimin e programeve artistike, edukative dhe komunitare në kryeqytet, duke ofruar një program të larmishëm dhe hapësirë bashkëpunimi për të gjitha grupmoshat dhe profilet.
Ish-objekti i bibliotekës “Hivzi Sulejmani” është futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përhershme me vendim të MKRS të marrë më 23.06.2023.