27 Milionë për Ngrohjen e Kryeqytetit

Komisioni Evropian, Banka gjermane për investime KfW dhe Qeveria e Kosovës, nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshjen për huadhënie, për projektin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.

BE-ja ka alokuar 13.8 milionë euro për përmirësimin e shërbimeve të ngrohjes qendrore për qytetarët e Prishtinës. Ky grant i shtohet kontributeve financiare të KfW-së Entwicklungsbank përmes një granti të kombinuar dhe një huadhënie në vlerë prej 11 milionë euro si dhe një granti prej 2 milionë euro të Komunës së Prishtinës.

Granti i Komisionit Evropian është nga instrumenti i përkrahjes i para-anëtarësimit, ka saktësuar Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, përmes një komunikate shtypi.

“Projekti është pjesë e Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për të mbështetur investimet për zhvillim socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Korniza përfshinë asistencën teknike të financuar përmes granteve të KE-së, si dhe huadhëniet dhe grantet për të financuar projekte të cilat janë të përgatitura sipas kësaj asistence teknike”.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se ky është një projekt i rëndësishëm, i cili do të kontribuojë në cilësinë dhe kualitetin e jetës së qytetarëve, por i cili do të ketë impakt edhe në zhvillimin ekonomik.
Hamza tha se Ministria e Financave së bashku me Komunën e Prishtinës, ka pasur këtë si prioritet shumë të lartë dhe se ka bashkëpunuar shumë ngushtë me Komisionin Evropian, Qeverinë gjermane dhe Bankën Gjermane për Zhvillim.

Projekti për ngrohtoren “Termokos”, sipas Hamzës ka dy komponent, rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të ngrohjes në Prishtinë dhe lidhjen e sistemit të ngrohjes me Termocentralin “Kosova B”, në mënyrë që të mundësohet bartja dhe shfrytëzimi i avullit për ngrohjen e qytetit.

Sipas KE-së, të mirat e këtij projekti janë të shumëfishta: së pari, projekti do të ketë ndikim të rëndësishëm në ambient, duke ulur CO2 dhe gazrat tjera të liruara, e që është gurthemeli i politikës së BE-së për ndryshim klimatik; së dyti, projekti ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të përgjithshëm të sistemit të energjisë duke e shfrytëzuar nxehësin e cila del nga Termocentrali Kosova B për ta ngrohur ujin i cili qarkullon në rrjetin e ngrohjes qendrore, dhe së treti, projekti ndihmon në uljen e shpenzimeve operative të kompanisë për ngrohje qendrore –Termokos diku rreth 50% për shkak të zëvendësimit të lëndës së rëndë djegëse (mazutit) i cili ka qenë në përdorim deri më tani me teknologji të pastër duke u bazuar në bashkëprodhim të kombinuar të koogjenerimit termike dhe elektrike. Projekti do ta rinovojë edhe rrjetin e ngrohjes qendrore, i cili aktualisht është duke pësuar humbje të mëdha të ujit, për shkak të sistemit të vjetër të gypave.

“Në përgjithësi, qytetarët e Prishtinës do të përfitojnë shërbime të ngrohjes më të mira, ndërsa shfrytëzimi i energjisë për ngrohje do të ulet dhe kjo energji do të jetë në dispozicion për furnizim të rajoneve të tjera të Kosovës”.

KE thotë se gjatë viteve 2002-2006 ka investuar tetë milion euro në sektorin e ngrohjes qendrore për përmirësimin e shërbimeve të ngrohjes në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë.

Pavarësisht investimeve, kryeqytetasit janë përballur me mungesë ngrohjeje, pothuajse çdo dimër.