Ilustrim

OJQ-të lokale me hapësirë të kufizuar mediale 

Digjitalizimi dhe koncentrimi i mediave në qendër i ka lënë jashtë vëmendjes së publikut organizatat që veprojnë në zona të thella të vendit dhe në hapësira jashtë Prishtinës. 

Tash e një dekadë Organizata joqeveritare “Femra Vizionare e Shekullit XXI” punon për edukimin, pavarësimin ekonomik, mirëqenien familjare dhe përkrahjen e bizneseve të vogla për gratë.

Target i tyre janë gratë e viseve rurale në rajonin e Prizrenit, përkatësisht në Has dhe në Krushë të Vogël.

Edhe pse Kosova ka një përdorim të gjerë të internetit, televizioni mbetet mjeti kyç për informimin e qytetarëve.

“Ka rrjete sociale por nuk do të thotë se mund të mbërrijnë informatat përmes rrjeteve sociale te çdo grua, ka gra nëpër fshatra, nëpër zona të atilla ku unë punoj që nuk kanë mundësi m`u informu përmes rrjeteve sociale ndërsa televizionin të gjithë e ndjekin. Unë mendoj që mediat televizive duhen me vazhdu dhe me pas hapësirë (për) OJQ-të”- shpjegon për KALLXO.com Marte Prekpalaj, drejtoreshë e kësaj OJQ-je.

Logoja e OJQ-së “Femra Vizionare e Shekullit XXI”.

Mungesa e hapësirës mediale nga mediat e mëdha, del të jetë një problem për informimin dhe që sjellë puna dhe impakti i kësaj organizate.

Sipas Prekpalaj, hapësirë më e madhe kësaj OJQ-je i jepet në mediat lokale, gjersa dhënia e hapësirës në mediat më të mëdha ka ngelur si diçka që ndodhte më shpesh në të kaluarën.

“Për mediat lokale jam e kënaqur… Unë për mënyrën e mbulimit të mediave (të mëdha) nuk jam e kënaqur, sidomos për ta marrë informatën në viset ruarle sepse çdo gjë zhvillohet në qytete, në qendra”- thotë Prekpalaj.

Një sfidë të njëjtë e ka edhe OJQ “Hareja” në Rahovec e cila merret me kujdesin dhe trajtimin e fëmijëve, të rinjve me aftësi të kufizuara, të moshuarve dhe me fushatat vetëdijesuese për të drejtat e grave.

Si e vetmja shoqatë e tillë në Rahovec, hapësira mediale për ta mbetet e vogël krahas punës që e bëjnë.

Adelina Paçarizi, drejtoreshë e kësaj organizate, shpjegon se kanë kaluar tri vite që nga hera e fundit që kjo OJQ ka qenë e ftuar në një media.

“Neve si OJQ nuk na jepet hapësirë mediale aspak nga mediat e mëdha, kurse sa i përket mediave lokale për momentin nuk e kemi asnjë radio apo televizion… kur ka funksionu ‘Radio Aktivi’ para pandemisë ne kemi qenë vazhdimisht prezent”- shpjegon Paçarizi.

Logoja e OJQ-së “Hareja”.

Ajo thekson se hapësira mediale do të mund t’i ndihmonte kësaj OJQ-je edhe në problemin me buxhetin e limituar për shkak se siç shpjegon Paçarizi, shpesh stafi i kësaj shoqate e lëshon punën për shkak të pagave të ulëta dhe jo stabile.

Sipas Paçarizit, kjo shkakton që përpos largimit nga organizata, punëtorët fillojnë të kërkojnë punë edhe jashtë Kosovës për të synuar një pagë të dinjitetshme.

“Nëse do te kishim më shumë hapësirë mediale do të na ndihmonte shumë për t`u promovuar si organizatë pasi që ne vijmë nga një qytet i vogël i Kosovës, pra nga Rahoveci, por që e bëjmë një punë të madhe pasi që jemi e vetmja organizatë në komunë që i trajtojmë fëmijët dhe të rinjtë me nevoja te veçanta dhe persona të moshuar, por që ballafaqohemi me shumë sfida dhe vështirësi për shkak të buxhetit të limituar. Prandaj promovimi në media do të na ndihmonte shumë”- thotë ajo.

Opinion të ngjashëm ka edhe Valbona Doli Rizvanolli nga OJQ “Femrat Aktive të Gjakovës”.

Ajo shpjegon se kësaj OJQ-je i ofrohet hapësirë kryesisht nga mediat lokale në Gjakovë.

“Sa punojmë nuk kemi hapësirë, zakonisht kur kemi ndonjë projekt që i ftojmë, varet çfarë punë bëjmë. Ka raste kur gjithë ditën vetëm me një rast merremi. Sa punën e bëjmë, shko në polici, shko në prokurori…. E mundohemi në çdo formë të ndihmojmë si në aspektin kur ka raste penale, si në komunikim me institucione që m`i përcjell rastin që m`u trajtu një rast tamam siç duhet”.

“Ndoshta edhe qytetarët e dinë (punën që e bëjmë) se bukur moti punojmë por për opinionin më të gjerë publik nuk e di sa e dinë”, thotë ajo.

Logoja e OJQ-së “Femrat Aktive të Gjakovës”.

Programi i Kosovës Për Barazi Gjinore 2020-2024” shpjegon se në mungesë të monitorimit të vazhdueshëm të medias dhe specifikisht praktikave (institucionale, ligjore) që do t’i mbanin ato përgjegjëse dhe llogaridhënëse, mediat mbesin pothuajse të paprekura nga kërkesat për drejtësi shoqërore dhe adresim të diskriminimit.

“Gjithashtu, ndërhyrja e vazhdueshme politike është vlerësuar si faktor pengues në Kosovë, si në krijimin e hapësirave për shprehje të lirë ashtu edhe në krijimin e shoqërisë dhe mediave demokratike. Në këtë kontekst, krijohet qasje e cila gjininë nuk e konsideron si temë relevante të trajtimit”- thuhet në program.

Aty tutje theksohet se politikat publike janë të domosdoshme për të caktuar kritere, etike dhe profesionale, të cilat do t’i kontribuonin shprehjes së lirë, pjesëmarrjes së barabartë qytetare dhe zhvillimit të profesionalizmit në media.

“Në përgjithësi mungon monitorimi dhe raportimi i vazhdueshëm dhe rrjedhimisht treguesit të cilët do ta mundësonin njohjen më të mirë të situatës sa i përket mediave dhe gjinisë në Kosovë”- thuhet në program.

Edhe aktivistja për të drejtat e grave, Bjeshka Guri pohon se OJQ-ve nuk u jepet vëmendje e mjaftueshme mediatike.

“Vëmendja mediatike inkurajon llogaridhënien nga qeveria dhe institucionet të cilat fatkeqësisht nuk janë të përkushtuara ndaj barazisë gjinore. Ekspozimi publik i dështimeve mund të inkurajojë institucionet të ndërmarrin veprime konkrete”- thotë Guri.

Sipas saj, ofrimi i hapësirës mediatike për OJQ-të që punojnë për barazinë gjinore është thelbësor për nxitjen e ndryshimeve sociale.

Guri thotë se paraqitja e OJQ-ve në media ndikon që të përforcohen përpjekjet e tyre, të rritet ndërgjegjësimi, të ndikohet në qëndrimet e masës dhe të mbahen përgjegjëse institucionet e vendit, duke kontribuar kështu në një shoqëri më të barabartë për të gjitha gjinitë.

“Fatkeqësisht, prezenca e OJQ-ve që punojnë për barazinë gjinore në mediat tona është e kufizuar dhe limituar në raste specifike që ndodhin aty për aty, pasi rastet e dhunës në baza gjinore ende trajtohen si senzacion në domenin publik”- shton ajo.

Gratë me shumë kapacitet e pak hapësirë në media

Paulina Nushi ka rreth 10 vite që ushtron profesionin e gazetares.

Gjatë këtyre viteve ajo përmes punës në media ka punuar për promovimin e grave të suksesshme dhe promovimin e punës së OJQ-ve të ndryshme të cilat kërkojnë barazi gjinore.

Megjithatë, Nushi- Muhaxhiri thotë se gratë jo vetëm si përfaqësuese të OJQ-ve që lobojnë për të drejtat e grave, por edhe gratë nga fushat tjera janë më pak të pranishme në media.

Nushi- Muhaxhiri shpjegon për KALLXO.com se barazia gjinore në media duhet të jetë një synim i gazetarëve meqenëse mediat edukojnë masën përmes përmbajtjes që transmetojnë.

“OJQ-ve hapësira ju jepet sa herë që promovohet ndonjë raport apo bëhet ndonjë protestë. Por hapësirë për të promovuar ndryshimet dhe edukuar masën bashkë me OJQ-të që gjithashtu kanë qëllim të tillë ju jepet pak”- thotë ajo.

Paulina Nushi Muhaxhiri, gazetare.

Përpos mungesës mediatike për OJQ-të, Nushi- Muhaxhiri si problem përmend edhe mënyrën se si gratë janë pak të pranishme në diskutime serioze e me peshë për shoqërinë.

“Gratë duhet të paraqiten aty ku diskutohen temat që ende konsiderohen se janë për ‘burrë-shtetasit’ dhe duhet me qenë pjesë e ndryshimit të mentalitetit të kësaj shoqërie. Ajo çka shohim në mediat tona është pak përballë kapacitetit që gratë e kanë”- thotë ajo.

Gjithëpërfshirja e perspektivave dhe barazisë gjinore nëpër artikujt gazetaresk dhe storiet televizive janë pjesë e mësimeve themelore kur studentëve të gazetarisë iu ligjërohet për etikën gazetareske.

Remzie Shahini- Hoxhaj, profesoreshë në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” shpjegon rëndësinë që kanë marrëdhëniet me publikun për çdo institucion dhe organizatë.

Ajo thekson se në media do të duhej të shpalosej më shumë puna e OJQ-ve për shkak se një gjë e tillë do të krijonte një lloj relacioni dhe do të kishte një reprezentim më të mirë të projekteve që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme.

“Natyrisht që sa i përket reprezentimit të OJQ-ve që merren me të drejtat e grave është shumë i rëndësishëm, fillimisht për ta njoftuar publikun për punën që bëhet, e së dyti mediat mund ta luajnë edhe rolin e vetëdijesimit të publikut nga çështjet që kanë me të drejtat e grave”.

Remzie Shahini Hoxhaj, profesoreshë e Gazetarisë. FOTO: Departamenti i Gazetarisë – UP/Facebook.

Si anë tjetër pozitive të përfshirjes së aktiviteteve të OJQ-ve në media, Shahini- Hoxhaj ka përmendur edhe vetëdijesimin e njerëzve për të drejtat a tyre, duke thënë se kjo gjë ndikon që njerëzit t’i shuajnë paragjykimet.

“Kjo është shumë e rëndësishme në periudhën në të cilën gjendet Kosova sidomos kur kemi të bëjmë me OJQ të cilat merren me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo do ta hiqte stigmën ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale në Kosovë dhe do të krijonte një atmosferë më të pranueshme në Kosovë dhe do t’i vetëdijesonte njerëzit që ta ndihmojnë këtë grup të njerëzve në Kosovë”- shton ajo.

Promovimi, inkurajimi dhe përmirësimi i gazetarisë cilësore dhe të hapur në Kosovë janë pjesë e misionit të Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë ekzekutive e AGK-së, shpjegon se mbulimi mediatik luan rol jetik në fuqizimin e aktivisteve dhe grave, sepse u jep atyre  një platformë për të ndarë përvojat, sukseset dhe sfidat e tyre.

“Për AGK-në si organizatë me 65% anëtare gra (sipas gjetjeve të raportit për vitin 2022), dhënia e hapësirës mediale për gratë nga shoqëria civile – në pozita udhëheqëse apo jo, mund  të ndihmojë në sfidimin e stereotipave dhe paragjykimeve tradicionale që mund të ekzistojnë  në lidhje me udhëheqjen, rolet gjinore dhe ndikimin e organizatave (posaçërisht atyre më të  vogla dhe nga lokalitete më të vogla)”- thotë Mulliqi.

Getoarbë Mulliqi, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së. FOTO: Screenshot, AGK/Facebook.

Ajo tutje ka treguar edhe disa prej mënyrave që përdor ky Asociacion në ngritjen e kapaciteteve të grave.

“Për më tepër, AGK-ja bashkë me partnerët e vetë ndërkombëtarë kontribuon në  ngritjen e kapaciteteve të grave nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, vizitave studimore e të tjerë”, shpjegon ajo.

Ndër të tjera, Mulliqi thotë se është evidentuar se në Kosovë ka gra në pozita udhëheqëse. Mirëpo, sipas  saj ky numër jozyrtar, është në disproporcion me burrat në pozitat vendimmarrëse.

Sipas Mulliqit, kjo gjë vërehet edhe në prezencën e grave moderatore, analiste apo të ftuara në emisionet prime-time, në të gjitha televizionet kryesore në vend.

“Sipas observimeve, si dhe përgjigjeve të gazetarëve nga  grupet e fokusit, burrave iu besohen më shumë pozitat udhëheqëse, ndërsa në terren vërehet  prezencë shumë më e madhe e grave gazetare – kjo mund të vërehet nga raportimet në veri të  vendit, gjatë tensioneve në periudhën maj-qershor”-shton ajo.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.