Foto: Komisioni i Pavarur i Mediave/ Facebook

Në mungesë kuorumi shtyhet votimi në parim i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave

Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës nuk e ka hedhur në votim më 15.02.2024 Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Pas përfundimit të diskutimeve, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujveci, tha se kjo pikë do të bartet në një seancë tjetër të Kuvendit.

Para deputetëve këtë Projektligj e ka prezantuar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ai tha se me këtë Projektligj përcaktohen kompetencat e Komisionit të Pavarur të Mediave në rregullimin e një tregu të shëndoshë medial.

“Qëllimi i hartimit të këtij Projektligji është harmonizimi me Bashkimin Europian në fushën e rregullimit të mediave audio-vizive. Me këtë Projektligj përcaktohen kompetencat e Komisionit të Pavarur të Mediave në rregullimin e një tregu të shëndoshë medial. Në këtë drejtim Projektligji në fjalë përcakton politikat e transmetimit dhe ritransmetimit, zgjeron kompetencat e KPM-së në mbikëqyrjen e përmbajtjes audio-vizive në mediat online dhe platformat për shpërndarjen e videove”- tha ai.

Ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës, deputeti Isak Shabani tha se kjo parti kërkon që Projektligji për KPM-në të dërgohet në Komisionin e Venecias për vlerësim.

“Si grup parlamentar kërkojmë nga kryetari i Kuvendit dërgimin në Komisionin e Venecias, në të kundërtën e konfirmoni qasjen armiqësore ndaj mediave. Për këto dhe arsye të tjera ne si grup parlamentar kundërshtojmë dhe nuk do ta votojmë”- tha ai.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara për Ligjin e ri të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Edhe organizatat prestigjoze ndërkombëtare dhe rajonale i janë bashkuar kërkesës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës  drejtuar Qeverisë së Kosovës që të tërheqë Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

Qendra Europiane për shtyp dhe liri të medias (ECPMF) përmes një komunikate i ka bërë thirrje urgjente Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta rishikojë këtë Projektligj.

Sipas tyre, mungesa e transparencës gjatë hartimit ngre shqetësime, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së gazetarëve dhe shoqërisë civile.

Ky Projektligj i dorëzuar më 27.12.2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa pasur nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Organizatat ndërkombëtare me thirrje urgjente për Qeverinë të rishqyrtojë ligjin e propozuar për KPM-në