Nis Fushata Kundër Trafikimit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinator Nacional Kundër Trafikimit, Sasha Rashiq, tha se trafikimi me njerëz është fenomen i karakterit global, të cilit nuk i shmanget as Kosova dhe se kjo formë e krimit të organizuar prek direkt, apo indirekt, gjithë shoqërinë kosovare.

“Kjo formë e krimit të organizuar në pjesën më të madhe të shoqërisë prek fëmijët dhe gratë, të cilat janë më së shpeshti viktima të këtij krimi të rëndë, i cili e dehumanizon dhe i shkel të drejtat elementare të njeriut dhe dinjitetin e tij. Kjo kampanjë do të ketë karakter intensiv, duke i përfshirë institucionet nivelit qendror dhe lokal me përkrahje të plotë të partnerëve ndërkombëtarë dhe synon të arrijë një efekt afatgjatë në vetëdijesimin dhe sensibilizimin e opinionit”, tha Rashiq.

Në fjalën e tij, kryeministri Hahsim Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka treguar se është e angazhuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Sipas tij, këtë gjë e provon edhe renditja e shtetit të Kosovës në raportin vjetor kundër trafikimit me qenie njerëzore që publikohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ku Kosova rangohet në shkallë të njëjtë edhe me disa shtete të Bashkimit Evropian dhe vende anëtare të NATO-s.

“Dua të shfrytëzoj rastin dhe të theksoj se Kosova dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuara që të luftojnë këtë dukuri negative dhe të arrijnë rezultate edhe më të mëdha. Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur të reformojë policinë, legjislacionin përkatës, dhe të forcojë sundimin e ligjit, në mënyrë që të jemi më të përgatitur t’u përgjigjemi sfidave që dalin në luftimin e dukurive negative të krimit të organizuar”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson, theksoi se institucionet e Kosovës dhe grupi punues që janë të përfshirë në luftimin e kësaj dukurie kanë bërë hapa të mëdhenj në përmirësimin e situatës në luftimin kundër trafikimit dhe ne jemi krenarë që japim kontributin tonë përmes Departamentit të Shtetit dhe USAID-it

“Ne gjatë viteve kemi punuar krahë për krah në institucionet e zbatimit të ligjit, me prokurorinë dhe këshilltarë për viktimat, për përmirësimin e teknikave hetimore të shërbimeve që ju ofrohen viktimave. Por ka ende punë për tu bërë, hetimet më efektive nga policia dhe përmirësimi i përkujdesjes ndaj viktimave nuk kanë domethënie nëse keqbërësit nuk ndiqen penalisht dhe denohen”, tha ambasadorja Jacobson.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, vuri në dukje se trafikimi me qenie njerëzore është një lloj i skllavërisë moderne, ku gjithmonë preken grupet më të ndjeshme, siç janë fëmijët, prandaj fushata e këtij viti në Kosovë përqendrohet drejt fëmijëve.

“Luftimi i trafikimit me qenie njerëzore është prioritet kryesor si politik ashtu edhe i agjendës tonë për Kosovën dhe ne në punët tona i përkrahim institucionet e Kosovës dhe Koordinatorin Nacional Kundër Trafikimit në mënyrë që t’i dizajnojmë politikat dhe rregullat që janë për përmirësimin ndaj luftës së kësaj dukurie”, theksoi Zhbogar.