Ilustrim

Ndihma shtetërore në kontekstin e COVID-19

Rregullat ekzistuese të ndihmës shtetërore në vend, nuk mund të braktisen edhe kur bëhet fjalë për pakon emergjente të ndihmës dhe atë që do të pasojë si pako potenciale e shpëtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike. Për t’i plotësuar ato, konform emergjencës së krijuar, Qeveria e Kosovës, në mbështetje të ekonomisë, duhet të krijojë një portë shtesë, dhe të nxjerrë Rregulloren e Përkohshme të Ndihmës Shtetërore në kontekstin e Covid-19.

 

Përmes një serie të webinareve të organizuara javën që shkoj, zyrtarë të Komisionit Evropian në Bruksel – Drejtoria e Përgjithshme e Konkurrencës, pjesë e të cilës është edhe ndihma shtetërore, në disa panele me profesionistë të fushës nga universitete e organizata të ndryshme, kanë diskutuar sfidat e ndërhyrjes buxhetore të shteteve anëtare, dhe rregullat e ndihmës shtetërore të aplikueshme në rimëkëmbjen e ekonomive, si pasojë e pandemisë Covid-19.

Duke ditur se Buxheti i BE-së, është vetëm 1% të ekonomive të kontinetit të vjetër , është e qartë që shumica e ndihmës për të ruajtur ekonomitë do të vijë nga buxhetet e vetë shteteve të cilat me urgjencë po shpalosin masat e ndihmës, subjekt i autorizimit paraprak nga Komisioni Evropian (Bruksel). Për Komisionin Evropian në këtë kohë është posaqërisht e rëndësishme të sigurohet që të gjitha shtetet anëtare të veprojnë në bazë të rregullave të njëjta në kontekstin e ndihmës shtetërore (pavarësisht se masa monetare e ndihmave do të variojë dukshëm nga shteti në shtet), dhe kësisoj të shmanget dëmtimi i konkurrencës dhe tregtisë në mes shteteve të tregut të përbashkët evropian. Konform kësaj emergjence Komisioni Evropian ka plotësuar kornizën aktuale ligjore të ndihmës shtetërore për të adresuar realitetin e ri.

Ndihma shtetërore, reagimi i Komisionit Evropian karshi shteteve anëtare 

Fillimisht, u mendua se korniza fleksibile ligjore për autorizimin e masave të ndihmës, si shtesë ndaj rregullave ekzistuese, do të aplikohej vetëm për Italinë e goditur rëndë, por ditë më vonë, duke ndjekur zhvillimet e përhapjes së virusit dhe rrjedhimisht goditjen (edhe) ekonomike të gjitha shteteve brenda tregut të përbashkët evropian, u kuptua se e njëjta do të duhet të aplikohej dhe përfshijë trajtimin e masave të ndihmës shtetërore, për të gjitha shtetet anëtare, pa dallim.

Duke pasur përvojën me krizën financiare të vitit 2008, Komisionit Evropian nuk iu deshtë gjatë, pas një komunikimi me shtetet anëtare, më 19 mars 2020, si plotësim i rregullave aktuale, nxorri Kornizën e Përkohshme të Ndihmës Shtetërore në kontekstin e Covid-19, që i referohet ndihmës për të sanuar shqetësimet serioze në ekonomi (neni 107 (3) (b) i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian). Për më pak se dy muaj, Komisioni e përditësojë dy herë Kornizën e Përkohshme, duke inkorporuar edhe masa të tjera të ndihmës, që nga perspektiva e shteteve anëtare ishin të nevojshme. Kjo kornizë do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2020, në rast se nuk vendoset të shtyhet më tutje. Gjashtëdhjetë masa të ndihmës shtetërore të propozuara nga shtetet anëtare dhe të autorizuara nga Komisioni Evropian, aktualisht, kanë për bazë Kornizën e nxjerrë nga KE. Shembuj të këtyre masa janë ato që ka propozuar Belgjika p.sh. njëra në formë të grantit për të ndihmuar aeroportet dhe e dyta në formë të shtyerjes së pagesës së tarifës koncesionare nga aeroportet e Ëalloonisë për autoritetet shtetërore. Një tjetër masë e ndihmës shtetërore është edhe ajo e Kroacisë në formë të garancisë për kredimmarje, me kushte preferenciale, për kompanitë eksportuese.

Ndryshe, shumë më pak popullore është treguar propozimi I masave të ndihmës nga shtetet anëtare që për bazë kanë kompensimin e dëmit të shkaktuar nga dukuri të jashtëzakonshme, ku është përfshirë edhe pandemia Covid-19 (Neni 107 (2) (b) i Traktatit). Franca dhe Danimarka deri tash, kanë propozuar masa të tilla të ndihmës sic është rasti me kompensimin e dëmeve të të gjitha kompanive që kanë anuluar ngjarjet/eventet e tyre të rezervuara për data specifike dhe që janë prekur nga vendimet e qeverisë për anulim dhe izolim apo edhe shtyerja e afatit të pagesës së tatimeve nga aviokompanitë (Francë).

Natyrshëm, si shtesë nga këto, shtetet anëtare janë duke përdorur edhe masat e përgjishme ekonomike (JO ndihmë shtetërore), që nuk janë selective, por të hapura për të gjithë (p.sh. shtyerja e pagesës së tatimit për të gjithë, skemat sociale etj) për të adresuar problemet në ekonomi. Ndërsa instrumentet e zakonshme për masat e planifikuara të ndihmës vazhdojnë të mbeten në dispozicion sic është rasti me ato që do të vlerësohen përmes udhëzuesit për ndihmën e dhënë për shpëtim dhe ristrukturim në kuadër të nenit 107 (3) (c ) të Traktatit, të cilën deri tash e ka përdorur Luksemburgu dhe Republika Ceke, duke hartuar masa të ndihmës që lidhen kryesisht me hulumtim dhe zhvillim (R&D) dhe produkte medicionale, të lidhura me Covid-19.

Masat e ndihmës shtetërore deri tash (ende nuk është e qartë si do të vazhdohet më tutje) të autorizuara nga KE për shtetet anëtare, ngjashëm sikurse në vitin e krizës financiare 2008, dukshëm targetojnë NVM-të, në formë të garancive (61% e masave të autorizuara të ndihmës në krizën 2008), normat e subvencionuara të interesit (26% e ndihmës së autorizuar), grante direkte, avantazhe tatimore, pagesa avanci etj. Një pjesë e masave të ndihmës së sheteve anëtare lidhet direkt me hulumtimin dhe zhvillimin rreth pandemisë, ndërsa disa prej tyre që nuk janë parë në krizën financiare të vitit 2008, janë shumë specifike për emergjencën e shëndetit public të lidhur me Covid-19.

Ndihma shtetërore në Kosovë, trajtimi i dëmit në ekonomi si pasojë e Covid-19 

Edhe pse jo në pozicionin e shtetit anëtar, përvoja e BE është me rëndësi të vecantë për institucionet e Kosovës, duke filluar nga popozuesit/dhënësit e masave të ndihmës (p.sh., pakoja emergjente e qeverisë), dhe vazhduar me autoritetet e ndihmes shtetërore të mandatuara për shqyrtim dhe autorizim paraprak të masave të ndihmës, përfituesit e këtyre ndihma, komunitetin e biznesit të reprezentuar përmes Odave Ekonomike, ndërmarrjet publike, shoqërinë civile dhe mediat në përgjithësi.

Kosova ka marrë obligime me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, (në fuqi nga prill 2016), dhe kësisoj është e detyruar, ndër të tjera, të krijojë një sistem të pavarur, për të rregulluar ndihmën shtetërore, duke përshtatë skemat para-ekzistuese, dhe ato të reja, të ndihmës shtetërore, me rregullat e BE-së.

Përgjigja e Kosovës ndaj këtij angazhimi është Ligji për Ndihmën Shtetërore (Nr.05 / -100) i hyrë në fuqi Shkurt 2017, sipas të cilit të gjitha masat e reja të ndihmës shtetërore duhet të parainformohen/paranjoftohen dhe miratohen. Ligji parashikon autoritetet e ndihmës shtetërore në vend, Komisionin e Ndihmës Shtetërore (KNSH) si organin vendimmarrës (dhe Departamentin e Ndihmës Shtetërore në MFT) për të konstatuar përputhshmërinë e masave të ndihmës shtetërore në Kosovë, me termat e Ligjit dhe, duke e zgjeruar atë përmes efektit të drejtpërdrejtë të Traktatit për Funksionimin e BE në Kosovë dhe rregullave përkatëse të ndihmës shtetërore të BE-së.

Që nga 16 marsi 2020, Qeveria e Kosovës (paralelisht me qeveritë e mbi 100 vendeve të tjera) ka vendosur një varg aranzhimesh dhe kufizimesh që prekin qytetarët individualisht dhe tërë ekonominë, me qëllim të kontrollit dhe kufizimit të ndikimit nga shpërthimi i Covid-19. Si pasojë e kësaj, më 30 Mars fillimisht, dhe pastaj një muaj më vonë, Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Financave dhe Transfereve, e prezantoj një paketë ndihme urgjente (brenda së cilës janë listuar një numër masash të ndihmës) prej 170.6 milion € për të mbështetur sektorët e prekur të ekonomisë nga Covid-19, për të rritur shpenzimet në shëndetësi dhe për të ndihmuar kategoritë e ndryshme sociale në shoqëri. Sipas po këtij vendimi, masat emergjente, synohet të pasohen nga një paketë shtesë stimuluese fiskale për ekonominë, për një periudhë afatmesme.

Është e qartë se jo të gjitha masat e ndihmes, pjesë e pakos së prezantuar nga Qeveria e Kosovës, përbëjnë ndihmë shtetërore (në kuptimin e Ligjit Nr.05 / -100), p.sh. shpenzimet e rritura të sektorit shëndetësor, ndihma për individët dhe skemat sociale, apo edhe masat e përgjithshme të mbështetjes së biznesit dhe të gjitha ndërmarrjet (p.sh. shtyerja e pagesës së tatimeve për të gjitha bizneset/ndërmarrjet PA DALLIM) nuk përbëjnë ndihmë shtetërore. Por, një pjesë e masave të ndihmës nga pakoja e prezantuar (p.sh. sigurimi i likuiditetit financiar; sigurimi i pagesës së qirasë; sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike; etj) mund të jenë ndihmë selektive për ndërmarrjet/bizneset dhe potencialisht ka/ose mund të ketë efekt në konkurrencë dhe tregti. Për të shmangur sjelljen pa dashje (ose për shkak të modelit të ndjekur) të ndonjë përfitimi të padrejtë tregtar ose avantazh konkurrues për biznese të veçanta (qofshin ato private apo publike për nga pronësia), si rezultat i përgjigjes së qeverisë ndaj krizës (në këtë rast përmes pakos emergjente të ndihmës), rregullat e ndihmës të BE ashtu edhe ato të Kosovës parashikojnë aranzhime speciale si përgjigje ndaj tronditjeve serioze në ekonomi – ku kategorizohet edhe pandemia Covid-19.

Rregullat ekzistuese të ndihmës shtetërore në vend, nuk mund të braktisen edhe kur bëhet fjalë për pakon emergjente të ndihmës dhe atë që do të pasojë (një pako potenciale e shpëtimit dhe rimëkëmbjes ekonomike) në javët dhe muajt në vijim. Mirëpo, për t’i plotësuar ato, konform emergjencës së krijuar, Qeveria e Kosovës, në mbështetje të ekonominë, duhet krijuar një portë shtesë, ngjashëm sic po veprohet në nivel të BE-së, dhe duhet të nxjerrë Rregulloren e Përkohshme të Ndihmës Shtetërore në kontekstin e Covid-19.

Kësisoj do të krijohej baza për një procedurë të përshpejtuar të autorizimit të masave të ndihmës shtetërore nga institucionet që kanë mandatin për ta bërë këtë, konform emergjencës. Kjo njëherit do të krijonte ‘rehati’ në mesin e dhënësve të ndihmës (p.sh. MFT, Komunat etj) se vendimet për masat e propozuara, me përpjekjen më të mirë, do të nxjerreshin brenda një periudhe kohore që është shumë më e shkurtë, duke pasur hapësirën e nevojshme, pa ndryshuar nene të caktuara të ligjit për ndihmën shtetërore. Për më tepër e njëjta do t’i shërbente autoriteteve qeveritare por edhe akterëve të tjerë (p.sh. Kuvendit të Kosovës dhe grupeve parlamentare, Odat Ekonomike, shoqëria civile,) që nga fillimi i dizajnimit të masave të ndihmës, të njëjtat të jenë në përputhshmëri me rregullat e ndihmës shtetërore.

Si rezultat i këtij angazhimi të të gjithë akterëve, një vit më vonë, nga momenti kur këto masa të ndihmës të fillonin të zbatoheshin, dhe kur do të shqyrtohej dhe analizohej efekti I tyre në ekonomi, Kosova do të kishte një inventar/regjistër të konfirmuar me vendime të ndihmës së dhënë shtetërore, në përputhshmëri me ligjin në fuqi, gjatë periudhës së emergjencës së shpallur (dhe përtej saj) të shëndetit publik të lidhur me Covid-19.

Me zotimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare (si MSA), kontrolli i ndihmës shtetërore në Republikën e Kosovës është obligim ligjor – në periudhë emergjence ose jo – dhe sa më parë që i njëjti nuk shmanget qëllimshëm dhe/apo konsiderohet mundësi për negociim, aq më shpejtë vendi do të mund të përparonte në integrimet e tij euroatlantike.

 

(Fortuna Haxhikadrija Shaqiri është kryesuese e Komisionit për Ndihmë Shtetërore/KNSH në Republikën e Kosovës. Artikulli është kontribut personal i autores dhe nuk përfaqëson institucionin)