Ministri Arushan Është Freski

Dardan Gashi është ministër i një dikasteri i cili gjithmonë iu ka ndarë periferisë politike, gjithsesi për fat të keq. Në ministrinë e ambientit janë akomoduar ata të cilëve është dashur t’u gjendet një vend por nuk ka pasur ku. Kështu i ishte bërë vendi Ardian Gjinit pasi shefi i tij u bë kryeministër; në një qeveri tjetër ky dikaster iu ka ndarë minoritetit turk që edhe ata të kenë një ministri. As Gjini as Mahir Yagcilar nuk kanë arritur të lënë shenjë përmes kësaj ministrie e cila tash nëse jo tepër shumë disa rezultate i ka realizuar. Në mesin e tyre është çlirimi i arinjve nga burgjet nëpër restorantet kosovare ku mbaheshin jashtëligjshëm me qëllim të ngritjes së biznesit nga disa pronarë për mua të çuditshëm. Akte që Kosovën nuk e bënë të duket një vend me kulturë europiane.

Për mua Dardani nga kjo pozitë ka arritur që të profilizojë vetën dhe të japë një shembull se janë disa gjëra me të cilat merren njerëzit për shkak të sfondit dhe kulturës së tyre perëndimore, dhe se duan që në Kosovë të shohin ndonjë lajm të mirë. Mirëpo kjo përpjekje e Dardanit, ndonjëherë kundër rrymës së ujit, ka kushtuar me përplasjen e tij me një mentalitet të prapambetur dhe të gërditshëm: vrasja e arinjve për t’ua vjedhur fshikëzën e tëmthit që ta shesin (ndoshta në Kinë) meqë në disa vende aziatike besohet se është ilaç për kancer. Kështu ka ndodhur me dy arinj në rrethin e Mitrovicës. Kur pronari i restorantit ka dëgjuar se arinjtë do konfiskoheshin, ai ua ka shitur arinjtë njëvjeçarë dy personave të cilët i kanë vrarë dhe ua kanë nxjerrë organet për t’i shitur ato. Kjo për mua, e besoj edhe për Dardanin, ka qenë një gjë e paparamenduar, por ja që ndodhi sikur që ka ndodhur – kundërshtimi i masave për mbrojtjen e brigjeve të lumenjve, kundërshtimi i krijimit të parkut nacional në Bjeshkët e Nemuna ose edhe moszbatimi i masave të ndalimit të ndërtimit për Prevallën. Të gjitha këto veprime të ministrisë janë kundërshtuar nga grupe të vogla që kanë pasur interes të madh të shkatërrojnë ambientin për të përfituar vetë.

Në rastin e fundit, aksionin humanitar për shpëtimin e arinjve, la dy viktima që edhe u bënë lajm i keq për Kosovën, mirëpo njëkohësisht tregoi se ka njerëz që megjithatë mundohen të bëjnë një veprim ose hap prej të cilit nuk ka përfitim politik a material, siç edhe ishte shpëtimi i arinjve nga burgjet e restoranteve.

Tregimi i arinjve, nuk është vetëm një vendim nga tryeza e ministrit, besoj unë, është angazhimi i ministrit të gjejë ndihmë nga shteti i tij i dytë Austria ku u gjet OJQ-ja që të ndihmojë arinjtë. Pastaj është dashur të gjendet vendi se ku do strehohen këto krijesa. Pastaj është dashur të hapen vrimat (shpellat) e arinjve dhe të përgatitet tereni që të ndihmohen ata. Të gjitha këto është dashur të përkrahen me financim për përkujdesjen e këtyre krijesave që janë vjedhur nga shtëpitë e tyre në bjeshkë nga disa pronarë të restoranteve, për të përmirësuar biznesin në një mënyrë shumë bizare.

Në fund ka ardhur aksioni i policisë dhe shpëtimi i arinjve, pastaj gazetari i Assiciated Press ka vendosur të bëjë një lajm rreth kësaj dhe ka sjellë Kosovën në Washington Post për gjëra pozitive të lidhura me kulturën perëndimore gjë që është shume e rrallë për vendin tonë të vogël. Pastaj interesi për arinjtë e Kosovës është shtuar dhe në fund për fatkeqësinë e Kosovës në fushë janë futur trafikantët e organeve, tash të shtazëve të egra.

Me gjithë këtë njollë të bërë nga veprimet e trafikantëve, përfundimi është i mirë: arinjtë janë në një vend më të mirë dhe restorantet e reja nuk do të mendojnë më që të ndërtojnë kafaze për të robëruar  kafshë të tjera të egra. Një betejë e fituar nga e mira që la dy viktima dhe një histori të mirë për Kosovën me një njollë në të. Unë besoj se vrasja e arinjve do të mbetet në hijen e vendimeve të cilat nuk janë popullore, por kanë të bëjnë vetëm me vlera morale të një njeriu.

Unë besoj se në mesin e sharjeve dhe fyerjeve pafund mbi secilin veprim të mundshëm të ndonjë qeveritari, Dardani me arinjtë, Bjeshkët e Nemuna, brigjet e lumenjve dhe Prevallën është një freski. Besoj se për të bërë veprime të tilla, që prekin interesat direkte të disa grupeve të vogla por që tregojnë mendje të emancipuar, njeriu duhet të jetë pak arushan dhe të imponojë vlerën e vet në kuadër të rregullave të njohura për të gjithë.