Kreatorët e krizave
Kosova prej rreth një viti ndodhet në telashe të brendshme, të cilat s’kanë të bëjnë vetëm me çështje procedurale apo interpretime kushtetuese, por me aspekte politike, morale dhe përfaqësuese.
Më 5 nëntor mbushen 11 muaj nga dita kur Kuvendi nuk e ka ushtruar funksionin kushtetues të miratimit të ndonjë ligji apo marrëveshjeje ndërkombëtare, ndërsa pas rreth nëntë muajsh nga zgjedhjet e fundit parlamentare, subjektet politike që fituan ulëse në Kuvend, të fokusuara në një garë të parakohshme zgjedhore, po i shpenzojnë energjitë për të bindur qytetarët se kush është apo kush janë shkaktarët kryesorë të bllokimit të procesit të formimit të institucioneve të reja.
Si rrjedhojë, skena politike vazhdon të jetë arenë akuzash dhe fajësimesh mes politikanëve, në vend se – siç e kërkon rendi – tashmë do të duhej të kishte përfunduar debati për 100-ditëshin e parë të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Në vend të ndjekjes së një qasjeje konstruktive, diskursi publik është i dominuar nga demagogjia e partisë më të madhe, LVV-së, e cila vepron me arrogancën e numrave, si dhe nga qëndrimet e një ish-opozite të cilës “i ka humbur rruga n’oborr” e nuk po arrin të ofrojë alternativë. Dhe si njëra palë, ashtu edhe tjetra paralajmërojnë rrezikun që vendi të futet në krizë financiare shkaku i mosmiratimit të Ligjit për buxhetin 2026, si dhe të mbetet pa i përfituar miliona eurot e parapara me Planin e Rritjes së BE-së.
Sikur Vetëvendosje ta kishte hallin e buxhetit dhe të granteve të BE-së, do ta kishte bërë tashmë qeverinë, ashtu sikur partitë e ish-opozitës, PDK, LDK e AAK ta kishin dertin e krizës financiare dhe humbjen e çeqeve të BE-së, në momentin që asnjëra nuk ka pranuar të japë një emër për mandatar për formimin e qeverisë, pas dështimit të Albin Kurtit, do të duhej ta kishin votuar qeverinë e pakicës. Kështu do të shmangej bllokada buxhetore, do të miratohej marrëveshja me BE-në dhe do të evitoheshin një palë zgjedhje të parakohshme në dhjetor. Në vend të organizimit të dy palëve zgjedhjeve të parakohshme- në dimër dhe pranverë, siç po paralajmërohet tani- potencialisht do të mbaheshin vetëm në pranverë, kur nga kjo përbërje e Kuvendit, me shumë gjasë nuk do të dilnin numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Zgjedhjet e reja mund të sjellin befasi, sepse reagimi qytetar është gjithmonë i paparashikueshëm, megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia që pas tyre mund të kthehemi sërish në të njëjtën pikë. Cila parti nga ish-opozita e sotme pastaj do të ishte e gatshme të bënte koalicion me Vetëvendosjen? Apo, a do të ishte e logjikshme që LVV-ja të hapej për koalicione edhe me ndonjërën nga partitë që aktualisht i mban me “vizë të kuqe”? Kjo do të ishte e pafalshme dhe joserioze nga secila palë. Thjesht, nëse je i gatshëm të bësh një lëvizje ndryshe pas zgjedhjeve të parakohshme – bëje sot- shmange krizën. Koalicionet në nivel lokal, ku secila parti po mund të bëjë me tjetrën, janë argument i mjaftueshëm se zgjidhje ka – duhet vetëm vullnet politik.
Gatishmëria e presidentes Vjosa Osmani për t’u përfshirë në ofrimin e një zgjidhjeje për shmangien e krizës financiare është për t’u vlerësuar, por as asaj nuk i takon të ofrojë diçka që nuk parashihet me ligjet në fuqi e me Kushtetutë. Presidentja nuk mund, e as nuk duhet, që duke u thirrur në emër të interesit të vendit të bëjë veprime kundërkushtetuese. Kushtetuta nuk ia jep asaj të drejtën të procedojë në Kuvend Projektigjin për buxhetin. Neni 93, pika 5, ia ndalon. Buxheti propozohet vetëm nga Qeveria – po jo nga një qeveri jo si kjo e tanishmja. Sepse nuk mundet një kryeministër, bashkë me ministrat në detyrë, paradite të votojnë në Qeveri e pasdite në Kuvend si deputetë. As këtë s’e lejon Kushtetuta. Prandaj, interesi i vendit është të respektohet Kushtetuta, e jo të shkelet mbi të me të dyja këmbët. Demokracia është edhe procedurë.
Ironia është se stërgjatjes së ngërçit institucional i ka kontribuar edhe Gjykata Kushtetuese, e cila brenda këtyre muajve të krizës ka nxjerrë tri aktgjykime rreth konstituimit të Kuvendit dhe është në trajtim edhe të një ankese, që po ashtu për subjekt ka interpretimin e kushtetutshmërisë sa i përket mënyrës se si është shpallur i konstituuar organi ligjbërës. Me këtë bëhen katër aktgjykime për një aspekt procedural shumë të thjesht – dhe me shumë gjasë prapë do mbeten pikëpyetje të hapura. Sepse është dëshmuar tashmë se të zgjedhurit e popullit nuk i trajtojnë zbrazëtit ligjore e kushtetuese në frymën e zgjidhjes së problemeve, por për të bllokuar proceset.
Tash dikush thotë: kemi Kuvend të konstituuar – dikush thotë s’kemi. Dikush thotë që qeveria nuk është dashur të votohet pa u qartësuar nga Gjykata Kushtetuese nëse Kuvendi është i konstituuar, dikush thotë s’ka pasur arsye të pritet. Dikush thotë se nëse Kushtetuesja nxjerr vendimin se Kuvendi nuk është i konstituuar atëherë edhe procesi për votimin e qeverisë kthehet në pikën zero, dikush thotë se mandatari i parë tashmë është “djegur”. Dikush thotë se Kuvendi mund t’i bëjë komisionet parlamentare, dikush thotë se nuk mund t’i bëjë para formimit të Qeverisë. Në secilin rast ka qëndrime të kundërta.
Në mungesë të vizionit dhe përkushtimit për t’u marrë me tema serioze, politikanët tanë e kanë më të lehtë të merren me akuza dhe etiketime boshe. Secili shitet më patriot se tjetri dhe aktrojnë kinse ndihen keq për pasojat që po përjeton populli dhe vendi, a në realitet të gjitha veprimet i bëjnë duke kalkuluar në vota – në interes partiak e jo të shtetit. Kjo situatë pasqyron një degradim të theksuar të nivelit përfaqësues. Megjithatë, përgjegjësinë nuk e mban vetëm i zgjedhuri, por edhe ata që e votojnë, që e mbështesin, që bashkëpunojnë me të dhe që nuk kuptojnë fuqinë e votës apo pasojat që sjell ajo. Fundja, duhet pranuar fjalët e Joseph de Maistre se: “Çdo popull e ka qeverinë [udhëheqjen] që e meriton”.
Opinioni përmban pikëpamjet e autorit dhe nuk paraqet domosdoshmërisht qëndrim redaksional.