Jo të gjitha mediat rrejnë me qëllim

Informimi i rrejshëm dhe raportimi i munguar profesional nga mediat, po merr përmasa shqetësuese. Të dhënat e prezantuara ditë më parë nga Fact Checker Kosova, tregojnë për një rrëshqitje të thellë kah një ambient mediatik, ku lajmi i dhënë, po e humb besimin e qytetarëve masivisht. Në anketimin e kësaj organizate, me 526 respodentë, plotë 53 për qind kanë thënë se kanë zero besim në media. Kjo është një situatë alarmante, vërtetë alarmante e tepër shqetësuese.

Kosova nuk ka pas ndonjëherë më shumë media. Si rrjedhojë, do të duhej të kishte një konkurrencë profesionale për të ofruar informacione sa më cilësore. Paradoksalisht po ndodh e kundërta. Shumë media, shumë informata – shkëlqim dezinformativ.

Hulumtimi i Fact Checker Kosova, është shtrirë në vetëm 28 media, të cilat janë të regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Ndërsa, të paregjistruara në KMShK, veprojnë edhe shumë ueb faqe të quajtura portale, e të cilat për nga numri duhet të jenë shumëfish më tepër, e që në realitet askush nuk e di sa janë. Dikush thotë se janë 400.

Pos nivelit ekstrem të ulët të besimit të qytetarëve, drejtuesit e Fact Checker Kosova, thanë se gjatë hulumtimit dy mujor, kanë gjetur se nga 28 media, janë publikuar mbi 85 mijë lajme, 30 mijëve prej tyre u është verifikuar saktësia. Si sasi, është pothuajse e pabesueshme. I bie që brenda 24 orëve, këto portale kanë publikuar mbi 1,400 lajme, përgjatë 60 ditëve. Nëse kjo përpjesëtohet me 28 media, nuk del ndonjë numër i madh, sepse rezulton që secila nga to të ketë publikuar rreth 50 lajme në ditë. Por, e vërteta është se, me përjashtime të temave më të zgjeruara e që s’janë të shumta në numër, shumica e mediave të shkruara, i kanë pothuajse lajmet e njëjta. Madje, nga puna e mundimshme e disa prej mediave të etabluara profesionale, jetojnë shumë portale parazite, që kopjojnë e vjedhin lajmet pa të drejtë. Masiv është ky trung informacioni që shpërndahet nga mediat. Aq masiv sa duket edhe i dyshimtë nëse është i vërtetë. E në këtë vorbull të këtij informacioni, ku është qytetari dhe sa ai është i informuar drejtë? Fatkeqësisht po del se ai është i humbur në lëmshin e shumë lajmeve, një numër i tyre të pavërteta e me plotë tituj mashtrues. Andaj, mosbesimi në kësi ambienti rritet ndjeshëm. Fatkeqësisht, duke lënduar keq edhe angazhimin e disa prej mediave në Kosovë, që mundohen, por e kanë të zorshme, të mbajnë një ekuilibër profesional, brenda varkës që tundet fort prej furtunës së valëve të trazuara të detit medial.

A po dështon vetërregullimi mediatik?

Besimi i ulët i opinionit publik në media, nuk është i ri. Që me zhvillimin e hovshëm të mediave digjitale, ai është shtuar në vazhdimësi. Njëjtë janë ballafaquar edhe mediat në vendet më të zhvilluara e që kanë histori shumëshekullore. Por disa vende kanë ndërmarrë masa. Në vendin tonë, janë bërë herë pas here pak përpjekje për të adresuar këtë shqetësim. Por, për ta ndaluar hovin e madh dezinformues, që është arsyeja kryesore e mosbesimit, nuk është arritur e duket se as problemi nuk është prekur në esencë.

Mediat e shkruara në Kosovë, funksionojnë si vetërregullator. Rregullimi më një bazë ligjore, nuk ishte i pranueshëm për shumicën e komunitetit të gazetarëve. U kundërshtua dhe vijon të jetë kështu. Vetërregullimi u preferua si model. Dhe është e qartë, vetërregullimi është nivel më i lartë kulturor dhe do të ishte mirë që Kosova ta dëshmonte me vlerësim këtë standard në sferën mediatike. Por, koha po dëshmon, duke na dhënë shifra alarmante, se vetërregullimi nuk është formati më i mirë për ne. Ndërtimi i një infrastrukture ligjore, i ndihmuar me patjetër direkt me komente nga gazetarët me përvojë e që nuk do të kishte për qëllim sanksionimin mediatik, por ndihmesën në zhvillimin e tij, duket se është i nevojshëm, ndonëse mund të tingëllojë si kthim një hap prapa e kundërshtitë të jenë të forta.

Sa për ilustrim, në Kosovë më lehtë është të regjistrohet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, një media, se sa të merret leja për një kiosk që shet fara kungulli diku në kënd të një qyteti. Si pasojë, gjithkush mund të hap një portal e një media, pa pasur nevojë për të dhënë shumë detaje. I mjafton një lap top, të kopjoj lajme e të thirret se ka media, ndonëse profesionalisht as idenë nuk e ka për rëndësinë që për shoqërinë e bartë një medium.

Natyrisht, që gjendja është keq, e nuk u nevojit vetëm hulumtimi i organizatës Fact Checker Kosova për ta vërtetuar. Kjo dihej, por disi hezitohej të pranohej, e ndoshta edhe më tutje ka dilema për gjendjen goxha të rënduar. Porse ky hulumtim dha alarmin që duhet të shërbej për marrje të vendimeve nga drejtuesit mediatik, ata që e duan dhe e dinë rëndësinë e krijimit të mediave të mirëfillta, si shtyllë shumë domethënëse për një shoqëri e shtet demokratik. Ky rast, duhet të shërbej si një thirrje me zë të lartë, që të mos i fshehin gabimet, por të përmirësohen ato, nisur nga redaksitë brenda, ku shpesh mungojnë kryeredaktorët, redaktorët me përvojë e gazetarët e profilizuar.

Media nuk duhet ta fajësoj qytetarin që po gënjehet

Një qasje që në vetvete është edukuese, është tentuar, dhe po, ka dhënë edhe rezultate duke mbajtur trajnime e seminare të ndryshme me qytetarët, për t’ju ofruar njohuritë bazë që të dinë informatat e rrejshme karshi lajmeve të kompletuara profesionalisht. Edukimi medial në Kosovë, është i nevojshëm e madje i domosdoshëm. Ama, jo vetëm që ai nuk mjafton, por është edhe një blof. Është blof, sepse nuk mund të edukohen të gjithë qytetarët që ta dallojnë informatën e rrejshme e lajmin korrekt.

Sigurisht, një qytetari që njeh lajmet e rrejshme nga ato të vërtetat, është pasuri shoqërore, porse kjo nuk është punë e tij domosdoshmërisht. Ai është konsumator. Në radhë të parë është punë e medias, që të mos ofroj lajme të rrejshme. Të thuhet se duhet të di qytetari se cili është lajm i rrejshëm për t’i ikur dezinformimit, në njëfarë forme është të legjitimohet e drejta e medias për të gënjyer. Kësisoj, i bie ‘ne u gënjejmë, por ju mësohuni të mos gënjeheni’. Duket se të dhënat e hulumtimit të Fact Checker Kosova po thonë se edukimi mediatik duhet të bëhet me gazetarët nëpër redaksi, aty ku është i mundur e aty ku media ka gazetar.

Qytetarët e Kosovës sot kanë të drejtë të ndihen të frikësuar nga pasiguria e informacioneve që marrin nga disa media. Sa më shumë që po shumohet informacioni, aq më shumë po pakësohet besueshmëria.

Më parë kur ndokush në një ambient të caktuar mes njerëzish mund të tregonte një ngjarje, mosbesuesit potencial, bindeshin me faktin se treguesi u thoshte se e ka lexuar në gazetë ose e ka dëgjuar në radio a televizion. Dhe ky është një argument i mjaftueshëm që rrëfenja të ishe e besueshme. E sot, nëse ky person tregon mes njerëzisht një ngjarje shumë të saktë, dhe në fund thotë se e ka lexuar në media, edhe ata që mund t’i besonin fjalës së tij, ngrenë dyshime. Krejt gazetat rrejnë! Të gjitha me një thes. Kush e solli këtë gjendje mosbesimi të rëndë? Patjetër që e solli një klasë mediatike që nuk pranon as kritikën, pa e hetuar se po humb respektin e pushtetit të katërt siç mediat njihen.
Dhe jo, nuk është e saktë. Jo të gjitha gazetat janë njësoj dhe jo të gjitha rrejnë.