Amerika e Trumpit nuk është mike e Kosovës

Zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara paraqesin një mundësi unike për diasporën kosovare që të pozicionohet kundër politikës regresive të jashtme të administratës Trump në Kosovë, e kryesuar nga qasja e pakuptimtë e të dërguarit special Richard Grenell.

Kosovës dhe diasporës së saj i janë dhënë shenja paralajmëruese të panumërta se nuk do të duhej t’i besohej administratës së Trumpit.

Ne duhet të kishim marrë parasysh gjurmimin dhe dëbimin e emigrantëve, paraburgimin arbitrar të familjeve që kryenin “krim” duke kërkuar azil, ndalimin e udhëtimit për myslimanët dhe masën e tanishme për ta mohuar ndihmën financiare për qindra mijëra amerikanë të martuar me emigrantë të cilët nuk janë në posedim të dokumenteve pas shpërthimit të coronavirusit. Këto janë skena që duhet të shokojnë ndërgjegjen e diasporës sonë, si një popull që iku nga kolapsi i Shqipërisë si shtet në vitin 1997 dhe lufta e Kosovës në vitin 1999.

Po e shkruaj këtë për t’i kërkuar bashkatdhetarëve të mi në SH.B.A. që të mos e votojnë Donald Trumpin në muajin nëntor – nëse jo për shkak të një shqetësimi të jashtëm e më të gjerë, humanitar, atëherë të paktën për të siguruar që presioni aktual i SHBA mbi demokracinë e Kosovës të marrë fund.

Figura aktuale e ndërhyrjeve amerikane në Kosovë është Richard Grenell, ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare, ambasador amerikan në Gjermani dhe i dërguari special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërhyrja e SHBA në politikën e Kosovës nuk është një zhvillim i kohëve të fundit, mirëpo kualifikimet e Grenell do të duhej të na bënin më ngarrues në këtë drejtim. Përshkrimet për të thonë se ai nuk ka “kredenciale” për rolin e tij në inteligjencë, rol ky i cili atij iu dha kur Trump e liroi nga detyra ish-drejtorin Joseph Maguire, ku thuhej se e paralajmëroi administratën Trump se Rusia po planifikonte të ndërhynte në zgjedhjet e SHBA në vitin 2020.

Grenell ka qenë një përkrahës i flaktë i politikanëve të korruptuar, të tillë si Vladimir Plahotniuc i Moldavisë dhe ka pranuar para nga fonde jofitimprurëse të financuara nga njeriu i fortë i Hungarisë, kryeministri Viktor Orban. Kur mori rolin e tij si ambasador në Gjermani, ai e bëri të qartë se dëshiron të “fuqizojë konservatorët e tjerë në të gjithë Evropën”.

Është e paqartë nëse ai e konsideron si konservator edhe Orbanin – i cili e ka shkatërruar në mënyrë të efektshme shoqërinë civile dhe mospajtimin politik në Hungari – apo konservatorë të tillë si Plahotniuc, i akuzuar të jetë përfshirë në vjedhjen e një miliard dollarëve nga vendi i tij. Pavarësisht kësaj, simpatia ndaj individëve tillë mund të jetë shpjegues pse ai është i pranueshëm  të bashkëpunojë me politikanë si Presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Kërkesat e Grenellit për Kosovën janë të njohura: hiqni të gjitha tarifat dhe barrierat tregtare me Serbinë, në mënyrë që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të mund të vazhdojë. Sidoqoftë, Grenell nuk ka arritur të artikulojë mjaftueshëm se si heqja e barrierave tregtare është në interes të Kosovës, si një vend i vogël që është vërshuar historikisht me produkte nga Serbia, shtet ky shumë më i madh dhe me qëndrim armiqësor ndaj Kosovës.

Në fakt, ende nuk është e qartë pse Kosova duhet t’i hapë plotësisht kufijtë për mallrat serbe dhe të dëmtojë prodhuesit tanë vendas – edhe pse Serbia bllokon shpesh lirinë e lëvizjes ndaj mallrave që kanë si destinacion Kosovën nga vendet e tjera.

Heqja e të gjitha barrierave tregtare me Serbinë është një marrëveshje e keqe për Kosovën, madje as Trump nuk do të nënshkruante një marrëveshje të tillë nëse do t’i duhej ta merrte një vendim për këtë. E megjithatë, nën presionin e Grenellit, Kryeministri  në detyrë Albin Kurti u pajtua të hiqte tarifat për importet nga Serbia dhe të impononte një pjesë të vogël të masave tregtare reciproke. Por edhe reciprociteti tregtar nuk është i pranueshëm për Grenellin.

Atëherë ekziston një ‘ujdi e fshehtë e Uashingtonit’ përmes së cilës pretendohet të përfshihet një marrëveshje për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Hashim Thaçi ka folur për mbështetjen e tij për “korrigjimet kufitare” me Serbinë në të kaluarën, përpara se të ndryshojë mendimin e tij pas reagimeve nga publiku. Në shkurt të vitit 2020, administrata e Trump e kishte bërë të qartë se ata ishin të hapur për mundësinë e një shkëmbimi territorial, megjithëse një muaj më vonë Grenell mohoi se bëhej fjalë për një gjë të tillë.

Në fjalimin e tij në Kuvendit së Kosovës në ditën e votës së mosbesimit kundër qeverisë së tij, Kurti deklaroi se Thaçi kishte insistuar që ata bashkë të shkonin në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje. Kurti tha se ai e refuzoi këtë ftesë, pasi ishte i bindur se marrëveshja përfshinte një shkëmbim territorial të ndërmjetësuar nga SHBA midis Kosovës dhe Serbisë.

Ekzistenca e një plani të tillë është akoma pjesë e debateve. Megjithatë, duhet të pyesim veten pse është kaq urgjente që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë menjëherë. Njëra prej teorive thotë se kjo marrëveshje duhet të shtyhet përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntorin e vitit 2020, dhe të prezantohet si një fitore për Trumpin dhe administratën e tij gjatë fushatës elektorale.

Megjithëse qeveria Kurti zgjati vetëm 51 ditë, ka indikacione të qarta se kjo mund të jetë qeveria më premtuese që Kosova ka pasur ndonjëherë. Ulja e pagave të mëdha të stafit qeveritar dhe zvogëlimi i dikasterit qeveritar duhet të merret si një apel si për konservatorët ashtu edhe për progresistët.

Ne ishim dëshmitarë vetëm të një fillimi nga ajo që premtoi se do të bënte kjo qeveri: një sistem shërbimi kombëtar (ushtarak) të detyrueshëm, ngritja e pagës minimale për punonjësit e sektorit privat, duke suspenduar shumën prej 900,000 eurosh për strehimoret e dhunës në familje dhe së fundmi, një plan për menaxhimin e COVID-19 që garanton se Kosova është në mesin e vendeve me shkallën më të ulët të vdekshmërisë në rajon.

Sidoqoftë mund të jemi të një mendjeje me qeverinë, vota e mosbesimit ndaj Kurtit nuk kishte të bënte fare me performancën e tij. Sipas deputetit të LDK-së, Kujtim Shala, LDK e ka pyetur administratën Trump nëse Kurti mund ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi poqëse paraprakisht ai e largon tarifën. Përgjigja nga Uashingtoni, sipas Shalës, ishte negative.

Edhe para mocionit të mosbesimit, zërat në LDK po bënin thirrje që kompetencat më të mëdha ekzekutive t’i dorëzoheshin Presidentit Thaçi. Ministri Agim Veliu insistonte në faktin se rastet e COVID-19 në Kosovë po rriteshin “cdo orë” dhe se do të duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, para se të shkarkohej nga Kurti. LDK tani po bën thirrje për zbutjen e masave që janë vendosur me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, duke dalë, kësisoji, kundër këshillave të dhëna nga autoritetet e shëndetësisë publike të Kosovës.

Kosova tani gjendet në një situatë të atillë ku partitë që nuk i kanë fituar zgjedhjet e Kosovës po bëjnë përpjekje ta ndërfusin Avdullah Hoti nga LDK-ja si Kryeministër të Kosovës përmes një koalicioni të ri pas zgjedhor – qartësisht në kundërshtim me një vendim të vitit 2014 lëshuar nga Gjykata Kushtetuese pikërisht këtë çështje. Vjosa Osmani nga LDK, e cila fitoi shumicën dërrmuese të votave të partisë në zgjedhjet e fundit, është lënë anash nga partia për shkak të refuzimit të saj që të bëhet pjesë e kësaj loje.

Fituesit në këtë situatë duken të qartë. Hashim Thaçi shkon në Uashington, Isa Mustafa vendos njeriun e tij në pozitën e Kryeministrit, dhe Grenell merr marrëveshjen e tij “historike” midis Kosovës dhe Serbisë. Humbësit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Kosovës.

Diaspora në SH.B.A. mund ta shfaqë pakënaqësinë e saj duke kërkuar që Richard Grenell të largohet nga posti i tij si i dërguar i Kosovës për orkestrimin e ndryshimit të regjimit në Kosovë, siç ka bërë tashmë Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane.

Më e rëndësishmja, diaspora në Shtetet e Bashkuara mund të pozicionohet në mosvotimin e Donald Trump në nëntor të vitit 2020 apo edhe të ndonjë politikani bashkiak apo shtetëror që e mbështesin atë – madje edhe nëse ata janë bashkëqytetarë shqiptarë.

E di që kjo është vështirë e besueshme në raport me besimin e thellë që kanë shumë njerëz se Kosova nuk mund të mbijetojë pa një dëgjueshmëri dhe mirënjohje ndaj SHBA, por asnjë dozë bindjeje nuk do ta mbrojë Kosovën nëse e pranojmë se SH.B.A. mund ta shkelë kushtetutën e Kosovës, të ndryshojë qeverinë e saj dhe madje ndoshta edhe ta ndërmjetësojë ndarjen e saj. Këto janë limitet që vetëm kosovarët mund t’i përcaktojnë.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.