Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Kurti: Jam i bindur se ka marrëveshje me Serbinë, këtë ma ka konfirmuar Thaçi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në seancën kur pritet të shkarkohet qeveria e tij, tha që Presidenti Thaçi i ka konfirmuar se ka marrëveshje me Serbinë.

“Unë jam më i bindur se kurrë se marrëveshje të gatshme ka, praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin që kishim se edhe me kërkesën e deputetëve të PDK-së e takova presidentin dhe nuk u morëm vesh, sepse ai 3 her ma përsëriti hiqe taksën shkojmë bashke më Uashington e bëjmë marrëveshjen dhe e nënshkruam marrëveshjen e heqim Serbinë qafe”, tha Kurti.

Kuvendi është duke mbajtur seancën për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.