Mbledhja e degës së tretë të LDK-së në Kryeqytet në të cilën Shpend Avdyli është zgjedhur sekretar, Foto: Alban Zogaj/Facebook

Menaxhimi i pishinës "Gërmia" - si ndërroi pronësia e biznesit të zyrtarit të LDK-së pak ditë para shpalljes së fituesit?

Ndërmarrja publike lokale “Sport Marketing” ka shpallur publikisht më 28.05.2024 fituesin për menaxhimin e pishinës “Gërmia” në kryeqytet dhe për shërbimet hoteliere në këtë pishinë. Sipas njoftimit, “Delice caffe SH.P.K” është renditur e para në këtë thirrjen e cila ishte shpallur më 15.05.2024. Pronar i këtij biznesi ishte Shpend Avdyli.

Avdyli është sekretar i degës së tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. I njëjti është zgjedhur në këtë pozitë më 03.11.2023. Për këtë kishte njoftuar në Facebook edhe Alban Zogaj, nënkryetar i Kryeqytetit dhe kryetar i degës së tretë të LDK-së në Kryeqytet në të cilën Avdyli është zgjedhur sekretar. 

Pesë ditë para shpalljes së fituesit, saktësisht më 23.05.2024, ishte bërë kërkesë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës për ndërrim të pronësisë së kompanisë “Delice caffe SH.PK”. Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Sipas tyre, kërkesa e dorëzuar më 23.05.2024 është miratuar më 30.05.2024.

“Aksionet janë shitur përmes kontratës për shitblerje të aksioneve të lidhur me datë 23.05.2024” – thuhet në përgjigjen e ARBK-së më 31.05.2024.

Që nga 30.05.2024, pronare dhe person i autorizuar i “Delice caffe SH.P.K” figuron Jehona Hysenaj.

KALLXO.com ka raportuar më 30.05.2024 se pronar i këtij biznesi deri më 29.05.2024, një ditë pas shpalljes së fituesit, sipas dosjes së siguruar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, figuronte Shpend Avdyli.

Shpend Avdyli nuk ka qenë i qasshëm që nga 28.05.2024 në thirrjet dhe mesazhet e vazhdueshme të KALLXO.com.

Por, shefi i tij i degës, i cili është njëkohësisht edhe nënkryetar i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë më 30.05.2024 se nuk ka qenë në dijeni që Shpend Avdyli ka marrë pjesë në këtë thirrje. Sepse sipas tij, edhe ndërmarrja publike lokale ka hierarkinë e saj.

Zogaj thotë se Avdyli e kishte kontaktuar atë dhe se i kishte thënë se ka dhënë dorëheqje nga ajo kompani, por të dhënat në ARBK, shton ai, nuk janë përditësuar.

“Unë nuk kam asnjë interferim as autoritet sepse ndërmarrja i ka aksionarët e vetë, ka bordin, e ka menaxhmentin. As nuk kam qenë aspak në dijeni që ka ndodhë një proces i tillë. Tek dje jam informu nga mediat. Ai ka apliku me një firmë të vetë dhe jo direkt, po me sa kam kuptu unë, ai do edhe me u tërheq krejt nga ky projekt edhe me gjasë është tërheq sepse nuk ka nevojë për një presion medial dhe as nuk ka pas konkurrencë në atë thirrje” – ka thënë Zogaj më 30.05.2024.

Zogaj thotë se do ta trajtojë këtë temë, pasi nuk ka informacione të tjera për procesin.

“Masi kanë raportu mediat, ai më ka raportu mu si kryetar i degës, që në fakt ai në fakt ka dhënë dorëheqje nga ajo firmë dhe nuk është i lidhur por nuk janë të dhënat update [përditësuar] në ARBK, duhet me pa edhe këtë aspekt. Edhe si kryetar i degës edhe nënkryetar i Kryeqytetit duhet me trajtu këtë temë se si ka shku krejt procesi sepse nuk i kam informatat, se nuk kam qenë i përfshirë aspak”- shtoi Zogaj.

Më 28.05.2024, në ora 15:00, KALLXO.com ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike për të siguruar dosjen e plotë të biznesit “Delice Caffe” në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Të njëjtën dosje KALLXO.com e ka pranuar më 29.05.2024, në ora 15:10. Në të gjithë dosjen e biznesit i cili është regjistruar në ARBK në nëntor të vitit 2021, figuronte vetëm emri i Shpend Avdylit (dosja në link).

Në dosje, te përshkrimi i aktiviteteve të këtij biznesi thuhet se aktivitet kryesor kanë “restorantet dhe aktivitetet shërbyese lëvizëse të ushqimit”, sekondar kanë “aktivitetet shërbyese të pijeve” dhe aktivitetet e tjera shërbyese të ushqimit. 

KALLXO.com më 28.05.2024 kur ka kontrolluar profilin e biznesit në ARBK ka figuruar Shpend Avdyli si aksionar dhe person i autorizuar. KALLXO.com ka kontaktuar edhe në numrin e telefonit të biznesit i cili figuron në ARBK por një grua e cila është përgjigjur ka thënë se “me Shpend Avdylin nuk bashkëpunojmë më”.

Më 30.05.2024, KALLXO.com ka kontrolluar përsëri profilin e biznesit në ARBK dhe tashmë te pronari dhe personi i autorizuar është Jehona Hysenaj. Por te të dhënat e emailit të biznesit ende figuron emaili i Shpend Avdylit.

KALLXO.com ka dërguar shkresë më 28.05.2024 edhe në Ndërmarrjen Publike Lokale lidhur me dosjet e të gjitha ofertave të pranuara për këtë proces, por të njëjtit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kanë ofruar qasje.

Më 30.05.2024, ndërmarrja “Sport Marketing” ka njoftuar se kompania fituese “Delice Caffe” është tërhequr.

“Ju njoftojmë se Operatori Ekonomik i shpallur fitues dhe i vetmi aplikues në konkursin e shpallur për thirrjen publike për bashkëmenaxhimin e Pishinës së Gërmisë, është tërhequr nga konkursi” – thuhet në njoftimin e “Sport Marketing” të datës 30.04.2024.

Menaxhmenti i ndërmarrjes publike “Sport Marketing” kanë bërë të ditur se për shkak të kohës së shkurtë për përgatitjen e sezonit veror 2024, do të rishpallë thirrjen e hapur.

“I ftojmë të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar, për të aplikuar brenda afatit dhe kritereve të përcaktuara” – përfundon njoftimi.

Më 28.05.2024, KALLXO.com raportoi se Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” në Prishtinë ka shpallur thirrje në muajin maj për bizneset që të aplikojnë, ndër tjerash, për menaxhim të pishinës së vetme publike në kryeqytet, “Gërmia” . 

Atë ditë, drejtori për Rini dhe Sport, i cili deri në muajin shkurt ishte edhe kryeshef i kësaj ndërmarrje, Bardh Krasniqi, tha se kjo thirrje nuk nënkupton privatizim.

Ai më 28.05.2024 në një përgjigje për KALLXO.com tha se thirrja ka të bëjë me “bashkëmenaxhim, dhe se është në të mirën e të gjithëve”. 

Krasniqi thotë se pishina do të funksionojë sipas rregulloreve të Ndërmarrjes Sport Marketing, dhe se të gjitha çmimoret do të jenë të njëjta dhe të kontrolluara nga komisioni dhe menaxhmenti i ndërmarrjes.

Gjithë kjo sipas tij, ka ardhur që të ngritet imazhi i pishinës “Gërmia”, cilësia e shërbimeve së saj dhe përfitimi ekonomik.

Sepse sipas drejtorit Krasniqi, pas të hyrave të cilat ndërmarrja i inkason për një sezon nga pishina e “Gërmisë”, me ketë marrëveshje do të përfitojë dyfishin e të hyrave nga e kaluara.

“Në planin e biznesit për vitin 2024 – 2025 të punuar dhe aprovuar në bashkëpunim me Bordin e Drejtorëve, në kohën kur unë kam qenë Kryeshef i ndërmarrjes Sport Marketing, është planifikuar se ndërmarrja të funksionojë më mirë dhe të pavarur financiarisht nga subvencionet financiare komunale dhe votimet ne kuvend sepse kjo po e rëndon situatën dhe vet qëndrueshmërinë e ndërmarrje në përgjithësi, dhe në ketë forme duke minimizuar shpenzimet operative” – ka thënë Krasniqi.

Ai ka cekur blerjen e sasisë të substancave të klorit dhe të tjera të nevojshme për pastërtinë e ujit, e që sipas tij, kosto e mbërrin dikun vlerën afro 12,000 eurove.

“Një faktor i cili kalon në përgjegjësi te operatorit,  ndërsa duke e po ashtu obliguar operatorin që të angazhojë fuqi punëtore për mirëmbajtje dhe për të rritur kualitetit e shërbimeve për qytetarë si për nga pastërtia ashtu edhe për nga aktivitetet kulturore e sportive, e që ndërmarrja e ka të pamundur të bej atë pa partnerë privatë! Në të kundërtën po qe se ndërmarrja do të ishte e vetëqëndrueshme financiarisht, atëherë gjithsesi se do t’i ofronte vet këto shërbime!” – ka thënë ai.

Sipas tij, rrezikshmëria për funksionalitet të suksesshëm të biznesit është shumë e lartë, pasi varet kryekëput nga koha me diell.

“Ndërmarrja Sport Marketing, të vetmin aset që e menaxhon është Pishina e Gërmisë për momentin, dhe siç e dijmë është aktivitet sezonal apo maksimum 2-mujor, ku kostot për ta funksionalizuar janë tejet të larta për shkak të pompave të vjetruara, stafit shtesë për përkujdesje të mirëmbajtjes dhe shpëtimtarëve, ndërsa rrezikshmëria për funksionalitet të suksesshëm të biznesit është shumë e lartë sepse varet kryekëput nga koha me diell apo sezoni veror, dhe kjo në fakt e bën jo-atraktiv për biznese apo partner privat për të qenë pjesë e menaxhimit të pjesëve të gastronomisë dhe aktiviteteve të tjera, ashtu qysh edhe ka funksionuar gjithmonë!” – ka thënë ai.

Historiku i thirrjes për menaxhimin e pishinës “Gërmia”

Në faqen zyrtare të Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing” e cila menaxhohet nga Kryeqyteti është shpallur më 15.05.2024 një kërkesë për ofertim.

Sipas kësaj thirrje, “Sport Marketing” shpall kërkesën për ofertim për të gjithë operatorët ekonomikë, për menaxhimin e pishinës duke përfshirë edhe inkasimin e biletave duke u bazuar në rregulloren e punës dhe çmimeve aktuale.

Po ashtu, ofrimin e shërbimeve hoteliere të cilësisë së lartë në lokacionet e planifikuara brenda hapësirave përcjellëse komerciale të pishinës për sezonën verore për të ofruar një plan kulturor, artistik dhe sportiv për vitet 2024-2025.

Shuma bazë e përcaktuar për ofertim për shfrytëzimin e pishinës dhe hapësirave komerciale gjatë sezonit 2024 – 2025 është 70 mijë euro për vit kalendarik, 140 mijë euro për dy vjet.

“Pagesat parashihet të realizohen në 4 këste të barabarta duke filluar me nënshkrimin e kontratës nga OE fitues…Pagesa e mjeteve duhet të bëhet duke u bazuar në afatet dhe termat e përcaktuara menjëherë pas lidhjes së kontratës në afat prej 5 (pesë) ditësh” – thuhet në thirrje.

OE janë të detyruar që planin e punës ta zbatojnë në përputhje me rregulloret e brendshme të ndërmarrjes publike “Sport Marketing”.

Oferta më e favorshme e cila plotëson kriteret e kërkuara në thirrjen e hapur do të shpërblehet me kontratë dyvjeçare.

Në thirrje theksohet se çmimet duhet të “jenë të pranueshme për qytetarët, rininë shkollore, universitare dhe për të gjithë vizitorët” që frekuentojnë në pishinën e Gërmisë.

“NPL “Sport Marketing” kërkon partner biznesi për menaxhimin e pishinës së Gërmisë në tërësi dhe ofrimin e shërbimeve hoteliere dhe të aktiviteteve sportive dhe atyre kulturore gjatë sezonit veror 2024 dhe 2025. Shërbimet duhet të jenë të kualitetit të lartë. NPL “Sport Marketing” SH.A. ofron hapësirat e planifikuara për zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve të hotelierisë dhe aktiviteteve kulturoro-artistike brenda pishinës së Gërmisë, duke mundësuar edhe infrastrukturën e duhur në kyçjen e rrjetin elektrik dhe atë të ujit” – thuhet në thirrjen e NPL “Sport Marketing”.

Pika e katërt thotë se si pjesë përbërëse e dhënies në shfrytëzim do të përfshihet po ashtu amfiteatri i pishinës dhe pjesëve përcjellëse.

“Për çdo organizim të përmasave më të mëdha të llojit si, koncerte, manifestime apo turnire sportive dhe mbrëmje kulturo-artistike, kontraktori obligohet që paraprakisht të njoftoj me shkrim menaxhmentin e NPL“Sport Marketing” SH.A. për planin e detajuar të natyrës së manifestimit dhe mbajtjes së aktivitetit duke pasur parasysh masat organizative dhe ato të sigurisë në përputhshmëri të plotë me ligjet në fuqi” – thuhet tutje.

Ndërkaq, shtojnë se terrenet sportive të tenisit do të mbesin në dispozicion të NPL “Sport Marketing” SH.A.

“…mirëpo në rastin e kërkesës për oganizim të ndonjë aktiviteti apo turniri të tenisit, pagesa do të bëhet në koordinim me çmimore e përcaktuar në rregulloren e NPL“Sport Marketing dhe me Federatën e Tenisit të Kosovës”. NPL“Sport Marketing” në kontratën e dhënë për bashkëmenaxhim operatorit fitues, do të përfshijë po ashtu dhënien e të gjitha pikave reklamuese të paracaktuara për kohëzgjatjen e kontratë” – vazhdojnë tutje kriteret e thirrjes.

Afati fillestar për dërgesën e ofertave ishte prej 15.05.2024 deri më 25.05.2024. Por, njoftimi tjetër doli se afati është shtyrë deri më datën 27.05.2024 në ora 12:00.

Më 28.05.2024, doli pastaj njoftimi për operatorin ekonomik që fitoi në këtë thirrje.

Komuna e Prishtinës: Nuk po privatizohet pishina ‘Gërmia’, ka plane për bashkëmenaxhim

Tërhiqet kompania e zyrtarit të LDK-së që fitoi në thirrjen e menaxhimit të pishinës ‘Gërmia’ në Kryeqytet