Pishina "Gërmia", Foto: NPL 'Sport Marketing'

Komuna e Prishtinës: Nuk po privatizohet pishina ‘Gërmia’, ka plane për bashkëmenaxhim

Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing” në Prishtinë ka shpallur thirrje në këtë muaj për bizneset që të aplikojnë, ndër tjerash, për menaxhim të pishinës së vetme publike në kryeqytet, “Gërmia” .

Sipas drejtorit për Rini dhe Sport, i cili deri në muajin shkurt ishte edhe kryeshef i kësaj ndërmarrje, Bardh Krasniqi, kjo thirrje nuk nënkupton privatizim.

Ai në një përgjigje për KALLXO.com e ka quajtur “bashkëmenaxhim, dhe se është në të mirën e të gjithëve”.

Krasniqi thotë se pishina do të funksionojë sipas rregulloreve të Ndërmarrjes Sport Marketing, dhe se të gjitha çmimoret do të jenë të njëjta dhe të kontrolluara nga komisioni dhe menaxhmenti i ndërmarrjes.

Gjithë kjo sipas tij, ka ardhur që të ngritet imazhi i “Pishinës”, cilësia e shërbimeve së saj dhe përfitimi ekonomik.

Sepse sipas drejtorit Krasniqi, pas të hyrave të cilat ndërmarrja i inkason për një sezon nga Pishina e Gërmisë, me ketë marrëveshje do të përfitojë dyfishin e të hyrave nga e kaluara.

“Në planin e biznesit për vitin 2024 – 2025 të punuar dhe aprovuar në bashkëpunim me Bordin e Drejtorëve, në kohën kur unë kam qenë Kryeshef i ndërmarrjes Sport Marketing, është planifikuar se ndërmarrja të funksionojë më mirë dhe të pavarur financiarisht nga subvencionet financiare komunale dhe votimet ne kuvend sepse kjo po e rëndon situatën dhe vet qëndrueshmërinë e ndërmarrje në përgjithësi, dhe në ketë forme duke minimizuar shpenzimet operative” – ka thënë Krasniqi.

Ai ka cekur blerjen e sasisë të substancave të klorit dhe të tjera të nevojshme për pastërtinë e ujit, e që sipas tij, kosto e mbërrin dikun vlerën afro 12,000 eurove.

“Një faktor i cili kalon në përgjegjësi te operatorit,  ndërsa duke e po ashtu obliguar operatorin që të angazhojë fuqi punëtore për mirëmbajtje dhe për të rritur kualitetit e shërbimeve për qytetarë si për nga pastërtia ashtu edhe për nga aktivitetet kulturore e sportive, e që ndërmarrja e ka të pamundur të bej atë pa partnerë privatë! Në të kundërtën po qe se ndërmarrja do të ishte e vetëqëndrueshme financiarisht, atëherë gjithsesi se do t’i ofronte vet këto shërbime!” – ka thënë ai.

Sipas tij, rrezikshmëria për funksionalitet të suksesshëm të biznesit është shumë e lartë, pasi varet kryekëput nga koha me diell.

“Ndërmarrja Sport Marketing, të vetmin aset që e menaxhon është Pishina e Gërmisë për momentin, dhe siç e dijmë është aktivitet sezonal apo maksimum 2-mujor, ku kostot për ta funksionalizuar janë tejet të larta për shkak të pompave të vjetruara, stafit shtesë për përkujdesje të mirëmbajtjes dhe shpëtimtarëve, ndërsa rrezikshmëria për funksionalitet të suksesshëm të biznesit është shumë e lartë sepse varet kryekëput nga koha me diell apo sezoni veror, dhe kjo në fakt e bën jo-atraktiv për biznese apo partner privat për të qenë pjesë e menaxhimit të pjesëve të gastronomisë dhe aktiviteteve të tjera, ashtu qysh edhe ka funksionuar gjithmonë!” – ka thënë ai.

Çka thuhet në shpallje?

Në faqen zyrtare të Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing” e cila menaxhohet nga Komuna e Prishtinës ka shpallur më 15.05.2024 një kërkesë për ofertim.

Sipas kësaj thirrje, ‘Sport Marketing’ shpall kërkesën për ofertim për të gjithë operatorët ekonomikë, për menaxhimin e pishinës duke përfshirë edhe inkasimin e biletave duke u bazuar në rregulloren e punës dhe çmimeve aktuale.

Po ashtu, ofrimin e shërbimeve hoteliere të cilësisë së lartë në lokacionet e planifikuara brenda hapësirave përcjellëse komerciale të pishinës për sezonën verore për të ofruar një plan kulturor, artistik dhe sportiv për vitet 2024-2025.

Shuma bazë e përcaktuar për ofertim për shfrytëzimin e pishinës dhe hapësirave komerciale gjatë sezonës 2024 – 2025 është 70 mijë euro për vit kalendarik, 140 mijë euro për 2 vite.

“Pagesat parashihet të realizohen në 4 këste të barabarta duke filluar me nënshkrimin e kontratës nga OE fitues…Pagesa e mjeteve duhet të bëhet duke u bazuar në afatet dhe termat e përcaktuara menjëherë pas lidhjes së kontratës në afat prej 5 (pesë) ditësh” – thuhet në thirrje.

OE janë të detyruar që planin e punës ta zbatojnë në përputhje me rregulloret e brendshme të ndërmarrjes publike Sport Marketing.

Oferta më e favorshme e cila plotëson kriteret e kërkuara në thirrjen e hapur do të shpërblehet me kontratë 2 vjeçare.

Në thirrje theksohet se çmimet duhet të “jenë të pranueshme për qytetarët, rininë shkollore, universitare dhe për të gjithë vizitorët” që frekuentojnë në pishinën e Gërmisë.

“NPL “Sport Marketing” kërkon partner biznesi për menaxhimin e pishinës së Gërmisë në tërësi dhe ofrimin e shërbimeve hoteliere dhe të aktiviteteve sportive dhe atyre kulturore gjatë sezonit veror 2024 dhe 2025. Shërbimet duhet të jenë të kualitetit të lartë. NPL “Sport Marketing” SH.A. ofron hapësirat e planifikuara për zhvillimin dhe ofrimin e shërbimeve të hotelierisë dhe aktiviteteve kulturoro-artistike brenda pishinës së Gërmisë, duke mundësuar edhe infrastrukturën e duhur në kyçjen e rrjetin elektrik dhe atë të ujit” – thuhet në thirrjen e NPL ‘Sport Marketing’

Pika e katërt thotë se si pjesë përbërëse e dhënies në shfrytëzim do të përfshihet po ashtu amfiteatri i pishinës dhe pjesëve përcjellëse.

“Për çdo organizim të përmasave më të mëdha të llojit si, koncerte, manifestime apo turnire sportive dhe mbrëmje kulturo-artistike, kontraktori obligohet që paraprakisht të njoftoj me shkrim menaxhmentin e NPL“Sport Marketing” SH.A. për planin e detajuar të natyrës së manifestimit dhe mbajtjes së aktivitetit duke pasur parasysh masat organizative dhe ato të sigurisë në përputhshmëri të plotë me ligjet në fuqi” – thuhet tutje.

Ndërkaq, shtojnë se terrenet sportive të tenisit do të mbesin në dispozicion të NPL “Sport Marketing” SH.A.

“…mirëpo në rastin e kërkesës për oganizim të ndonjë aktiviteti apo turniri të tenisit, pagesa do të bëhet në koordinim me çmimore e përcaktuar në rregulloren e NPL“Sport Marketing dhe me Federatën e Tenisit të Kosovës”. NPL“Sport Marketing” në kontratën e dhënë për bashkëmenaxhim operatorit fitues, do të përfshijë po ashtu dhënien e të gjitha pikave reklamuese të paracaktuara për kohëzgjatjen e kontratë” – vazhdojnë tutje kriteret e thirrjes.

Afati fillestar për dërgesën e ofertave ishte prej 15.05.2024 deri më 25.05.2024

Por, njoftimi tjetër doli se afati është shtyrë deri më datën 27.05.2024 në ora 12:00.