Ritakimet e strehuesve dhe të zhvendosurve në shtëpitë e tyre gjatë luftës në Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

Krejt u kallën, sofra rrnoi

Disa pritës e disa të strehuar, dera që u çel gjatë luftës në Kosovë nuk harrohet kurrë, njashtu as shija e bukës nore që u rrufit nën frikë e ankth.

Thesi me miell, traktori dhe dhomat që dikur u shtruan si oda, Abazit, Ramës, Salihut dhe Fatmirit ia kujtojnë një miqësi të kahmotshme dhe shtëpinë e përbashkët të luftës. Për dy prej tyre, shtëpi me tapi, e për dy të tjerët: shtëpi e Zotit, mikut dhe e luftës.

Atëkohë të rinj, me fëmijë të vegjël, burrat e katër anëve të ndryshme të vendit, sytë shoqi-shoqit ia panë për herë të parë në vitet 1998/1999, kur të larguar nga vendbanimet e tyre, gjithçka që ju duhej ishte një copë vendi më i sigurt që të strehojnë veten dhe familjet e tyre. Dritat e syve nuk ia harrojnë as sot njëri-tjetrit, as derën që iu hap atë ditë kur ishin më së ngushti.

Rrëfimet e dy prej tyre, Salih Morinës nga Gllareva e Klinës dhe Ramë Hamitit nga Vajniku i Skenderajt, janë vetëm disa nga mijëra historitë e shqiptarëve tjerë të Kosovës, që të detyruar me forcë u larguan nga vendlindja e tyre gjatë ofenzivave të luftës së fundit në Kosovë, por u rikthyen përsëri pas disa muajve për të rindërtuar nga themeli veten dhe shtëpitë e e tyre.

Në rrugën e tyre drejt shpëtimit nga lufta e përgjakshme, të dy, herë në këmbë e herë me traktorë, pos që gjetën bukën e nxehtë dhe miq të rinj në shtëpinë e Abaz Zahitit në Kçiq të Madh të Mitrovicës dhe në familjen e Fatmir Kovaçit në Novolan të Vushtrrisë, ata krijuan kujtime që gdhendën njëherë e përgjithmonë kuptimin e jetës së tyre.

Traktori i luftës i Fatmir Kovaçit nga Novolani i Vushtrrisë. Foto: KALLXO.com

Kur ofenzivat ushtarake nisën nëpër fshatra të ndryshëm gjatë kohës së luftës, shumë familje hapën dyert për të strehuar të ikurit që nuk dinin nga t’ia mbanin. Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare se kush u largua e kush priti, secili ka nga një rrëfim se si u munduan të shpëtojnë gjatë luftës.

Tashmë të thinjur, përderisa në fshatrat e tyre shijojnë vitet e para të moshës së mesme dhe asaj të shtyrë, ata me mallëngjim kujtojnë ato çaste kur lufta i çoi për një kohë në shtëpitë e njëri-tjetrit – e pa hezitim çelën derën e ndanë të njëjtën bukë.

“Një trohë vend”

Me përmallim e njëherazi me hidhërim, Abaz Zahiti e kujton atë ditë pranvere lufte, kur e çeli derën për Salih Morinën dhe familjen e tij, të cilët ishin larguar nga vendlindja e tyre Gllareva e Klinës, pasi që ofenziva e kishte mbushur fshatin e tij me ushtarë të forcave serbe.

Abazi kurrë më parë nuk i kishte parë sytë e gjelbër të Salihut, tek atë ditë prilli a maji kur e lëshoi odën e shtëpisë për familjen e tij gjashtë anëtarëshe, që të tmerruar, gjithçka që kishin nevojë, ishte një vend më i sigurt se ai që lanë pas. 

Zahiti e kujton në detaje atë ditë. Deri sa ishte duke punuar si kryepunëtor për hekurudha, kryetari i fshatit Kçiqi i Madh e kishte lajmëruar se do t’i sjellë në shtëpinë e tij disa familje të Gllarevës. Kur ishte kthyer nga puna, ai kishte gjetur në shtëpi Salihun bashkë me vëllain e tij. Po atë ditë, ai kishte vendosur që t’ju bënte konak në shtëpinë e tij, derisa ata do ndiheshin krejt të sigurt për t’u kthyer në fshatin e tyre. Jo pse Kçiqi ishte strehë më e sigurt nga lufta, por që ato ditë Gllareva ishte më e rrezikuar për shkak të hyrjes së forcave ushtarake serbe.

Abaz Zahiti nga Kçiqi i Madh i Mitrovicës duke kujtuar kohën e luftës. Foto: KALLXO.com

“I thashë Salihut bashkë me gru, “këqyre ku është mielli këtu, qita miell osht, qita e kam krejt, sa t’na del qita, kena me hangër s’bashku. Si ti, si unë kena me marrë deri t’na harxhohet” – rrëfeu në një intervistë për KALLXO.com, Zahiti duke kujtuar secilin çast të atyre kohërave të vështira.

26 vite pas, tani 75-vjeçar, Abazi, që në Kçiq e njohin si haxhi Abazi, nuk e largon dot prej mendjes fytyrën e Salihut.

“Kurrë nuk më hiqet prej menjes (Salih Gllareva). E kish pasë gruan burrnore, e vet ish kanë burrë. Shumë mirë e kam çu me ta” – tregon Zahiti, që me sa e mban mend ai, vetëm njëherë e kishte parë Salihun e Gllarevës pas luftës.

Atëkohë, Zahiti në shtëpinë e tij mbante edhe familje tjera të larguara, kryesisht nga rajoni i Drenicës. Ai tregon që në podrumin e shtëpisë së tij kishin qëndruar rreth 30 veta tjerë. Në mesin e tyre kishte të afërm e të largët të tij, por edhe krejt të panjohur që cilët lufta ia solli aty. 

Meqë, ai punonte dhe kishte të ardhura prej punës që bënte dhe tokës që punonte, Zahiti kishte vendosur t’i strehonte njerëzit aq sa kishte mundësi, deri atë ditë kur e burgosën dhe e dërguan në Shqipëri. 

Edhe pas asaj dite, familja e Salih Morina kishte qëndruar në shtëpinë e tij. Aty ai kishte pritur edhe 12 qershorin e 1999, ditën e parë të Kosovës së çliruar. Ndërsa Zahitin, 12 qershori i para një çerek shekulli e gjeti në Shqipëri.

Rrëfimi i Haxhi Abazit na dërgoi në Gllarevë. Në rrugën për t’i ribashkuar këto familje, në hyrje të fshatit, njeriun e parë që takuam ishte vetë Salih Morina. 

Ai ndau të njëjtin rrëfim. Vetëm se tash i rrëfyer nga ana e të zhvendosurit. Fytyra e tij ishte e njëjtë, ashtu siç tregoi nikoqiri i tij nga Kçiqi i Madh. Ndryshim ishin veç rrudhat që ia kishin kapluar ballin.

Para se të zhvendosen në Kçiq të Madh, të larguar nga Gllareva, familja e Salih Morinës me muaj të tërë kishin gjetur strehë nëpër fshatra të ndryshëm, njëherë në dy familje të afërmish në Abri të Skënderajt. Aty qëndruan derisa grupet ushtarake e policore serbe i kishin detyruar të largoheshin për në Shipol të Mitrovicës. E prej aty, një shtab emergjent i krijuar për t’ju dalë në ndihmë të ikurve e atyre që kërkonin zgjidhje halli, e drejtoi Salihun me familje në shtëpinë e tyre të re, në Kçiq.

Salih Morina duke shpalosur detaje nga qëndrimi i tij në familjen Zahiti në Kçiq të Madh. Foto: KALLXO.com.

“E falënderoj Abazin, ma ka majtë familjen me bukë e me dru, miellin edhe drutë m’i ka hjekë për atë sezonë. Gjithë kam qef me ni mirë për ta se bukën e gojës e ka nda e m’ia ka dhanë familjes tem. Na e kanë lëshu odën e kemi nejt qaty, qaty kemi hangër” – tregoi Salih Morina, i emocionuar që ka rastin të ndajë këtë histori mbas 25 vitesh.

63-vjeçari thotë se edhe pse kanë kaluar dy dekada e gjysmë, nuk ka ditë që nuk mendon për familjet që ia çelën dyert. Kur Salihu kishte lënë Gllarevën, shtëpia ju kishte djegur dhe nuk kishin asgjë para shpirtit. 

Salih Morina dhe bashkëshortja e tij i kishin pasur katër fëmijë atëkohë, vajza më e madhe 9-vjeçare.

“25 vite shkojnë, por veprat e fjalët e mira, ato kurrë s’po mujshe me i harru. Unë prej tyre kam fjalë të mira, mundem me marrë me bo një roman të vogël për ta, për veprat e mira që i kanë ba”- u shpreh Morina sygaz.

Salihu ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – UÇK. Ai ishte angazhuar në kuzhinë dhe bënte roje. 

Situata e krijuar në Gllarevë ishte e rrezikshme për gruan dhe fëmijët e tij.  Nuk kishte shteg tjetër pos t’i strehonte në ndonjë fshat tjetër.

25 vjet më vonë, atë e brengos që u detyrua ta lë angazhimin në UÇK. 

Pavarësisht se shërbeu për rreth  7 muaj, ai e quan “shërbim të lënë në gjysmë’.

“Knej m’u dhimke vendi jem që e lëshova, po ma shumë m’u dhimke ushtria që e lashë pak në gjysmë, 7 muaj. Po s’kam pasë kah me ia majt me fmi të vogël. Bile qaty e kam pas gruan pak pa qef, fminë m’i rroku krypi a sheqeri, gruan ma rroku pagjakësia. I kam pasë në spital”- rrëfente Morina hallet e tij të muajve të fundit të luftës.

Lufta s’kishte lënë derë të askujt pa trokitur. Gati secili shqiptar i Kosovës ka lëvizur nga shtëpitë, kur forcat serbe ia mësynin vendbanimeve të tyre. Jo secili kishte qenë pritës, por secili ishte “refugjat” për një kohë të caktuar, qoftë brenda Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e cepave të tjerë.

Derisa lufta bëri që ngjarjet të rrjedhin pa ndalur, edhe në një shtëpi tjetër ndërtohej një tregim që do shpalosej për herë të parë publikisht pas më shumë se 25 vitesh. Jo shumë larg Kçiqit të Madh, në Novolan të Vushtrrisë, në familjen e Fatmir Kovaçit, gjetën strehën e sigurt 3 familje të larguara nga Drenica. 

Në oborrin e Fatmir Kovaçit gjetën shtëpi, Ramë, Muhamet e Pajazit Hamiti nga Vajniku, por jo vetëm. Në gushtin 1998, ky fshat u organizua dhe strehoi mbi 1,000 të larguar nga Drenica, atëkohë kur fshatrat e asaj ane digjeshin nga flakët e luftës.

Fatmir Kovaçi, tashmë 59-vjeçar ka një kujtesë pothuajse fotografike. Ai mban mend secilën hollësi të luftës, që për të shpëtuar popullin e tij, ishte organizuar që askush mos të fle nën qiellin e hapur nën krismat e luftës, “por kush ka një trohë vend, ta lëshojë për një familje”.

“Me 8 gusht 1998 të ikunit të parë nga Drenica kanë ardhë diku në orën 12 e 30 të natës. Na kemi qenë flejtun, rrugës t’u ardhën me traktora e automobila edhe jemi çu, jemi përgatit dhe kemi shku te kjo lagjja Rrustemi, janë ndalë e stacionu aty edhe jemi organizu me lagjen e tyre”-  tregon Kovaçi. 

Fatmir Kovaçi nga Novolani i Vushtrrisë duke rrëfyer se si kishin strehuar mbi 1000 mijë të zhvendosur nga Drenica. Foto: KALLXO.com.

Brenda gjysmë ore, ata i kishin strehuar rreth 25 familje që kishin ardhur përmes rrugëve lidhëse të Dubocit e Galicës, kryesisht nga fshatrat Vajnikë, Açarevë e Shupel.

Kovaçi, që në atë kohë ishte aktivist dhe pjesë bërthamë e kryesisë së fshatit, thotë që brenda oborrit të tij në tri shtëpi të ndryshme, së bashku me vëllezërit e tij i kishin strehuar rreth 25 anëtare të familjes Hamiti. 

Ndërsa në një odë që gjendet mbi shtëpitë e tyre, ishte strehuar kalimtarët e rrugës dhe ushtarët. Madje për shumë prej atyre që veç kishin kaluar kah shtëpitë, ata u kishin shtruar bukë.

“Jo unë e veç na si familje, po ai që ka pasë nji trohë vend, u deklaru edhe i ka marrë e i ka strehu, e i ka shti mrena e janë ba pjesë e familjes së tij”- thotë Kovaçi. 

Ai tregon se në ato kohë, kur fshati po vërshohej nga të larguarit e rajonit të Drenicës, kishin formuar një ekip emergjent për t’i pritur e strehuar. Ky ekip përbëhej prej rreth 10 personave dhe detyrat ishin të qarta. Takoheni nga dy tri-herë në ditë dhe organizoheshin dhe strehonin familje të shumta në Vushtrri e fshatrat Vërnicë, Reznik, Shallc e deri në Stanoc. 

Kovaçi me nostalgji rrëfen se edhe pse koha ishte e vështirë me luftën që prekte secilin skaj dhe siguria ishte luks që nuk gjindej, kjo ata nuk i ndaloi që të strehuarit në familjen e tyre t’i trajtonin deri në atë pikë sa që nuk kanë arritur t’i dallojnë nga pjesëtarët e gjakut të tyre.

Familjen nga Vajniku e kishin strehuar për rreth tre muaj, deri atëherë kur edhe ata vetë ishin detyruar të largoheshin nga fshati për të gjetur strehë në Shqipëri, me të cilët ende edhe sot i ruajnë marrëdhëniet miqësore.

“Jemi nis në parim me i nihmu njerëzve që kanë nevojë, se kur s’kam nevojë, s’lypi as ndihmë. Njerëzit kanë dalë nga shpia edhe mos me ia çel derën është marri, se di çfarë akti është ai” – shprehet 59-vjeçari.

Për derën që nuk iu mbyll, e që e ka të hapur sot e kësaj dite, Ramë Hamiti ndihet tejet falënderues. Ai nuk i gjen fjalët që ta përshkruajë respektin që ndien për familjen e Fatmir Kovaçit. Ata nuk i kanë shkëputur marrëdhëniet mes tyre.

Ramë Hamiti e mban mend ditën kur mori lajmin që do të strehohet në familjen Kovaçi, për të cilën veçse kishte dëgjuar nga të afërmit e tij që ishin strehuar aty dy javë para tij në po të njëjtin vend.

“E kisha do grurë me çu me blu me traktor se metëm pa miell. I qita edhe fminë edhe grurin në traktor, e jena shku nëpër Tushilë, si sot e maj në mend. Kur jemi shku në Novolan, veç kam vet për Shaipin edhe Fatmirin se me kallxoj ai djali i mixhës. Jena shku, këta t’u na prit ishin kanë”- tregoi ai anën tjetër të rrëfimit.

Familjen e kishte lënë të sigurt në Novolan, derisa ai shpesh kthehej në Vajnikë, sepse ende në fshat ai kishte nënën dhe vëllain e tij. 

Derisa na rrëfente për vështirësitë e tij, Rama tregonte se nuk kishte qëndruar shumë kohë në Novolan. Shkaku nuk ishte i rrallë për njerëzit e rajonit të Drenicës, por ai na tregoi me një modesti të veçantë, “Nuk mujsha me nejt në Novolan, se edhe që isha ka pak në ushtri”.

Ramë Hamiti nga Vajniku i Skenderajt duke përshkruar shtëpinë në të cilën kishte jetuar në Novolan të Vushtrrisë. Foto: KALLXO.com

Gruan dhe fëmijët i kishte lënë te familja Kovaçi pa pikë frike, ngase kishte krijuar besim tek nikoqirët e tyre.

“I kam lanë fminë, atë natë kam nejt edhe unë, a dy netë, nuk e di. E kam ec se unë knej isha ushtri. Kanë nejt aty dy muaj e gjysë, a ma shumë. Fëmijët i kanë majt me gjithçka, s’kena majt ma kasavet të tyne, i kanë majt, i kanë këqyrë, plus asaj i kanë çu te mjeku. Edhe gruan edhe djalin, se i kam pas pak pa qef”- rrëfeu Hamiti.

Lufta të përballë me gjithfarë situatash. Për Salihun që një ditë nuk i mjafton për t’i rrëfyer hjekat, është një që ai se tejkalon dot. Prej krejt kujtimeve të rënda, momenti kur në afërsi të burgut të Smrekonicës kishte parë paramilitarët serbë ta godisnin shqelm një fëmijë të posalindur, për të, është një prej atyre skenave që nuk kapërdihen.

“Qaty e kam ni veten mas shtiri në këtë dynja. Lindi ni djalë në masë, edhe thanë (paramilitarët), “lindi ni terrorist” edhe i ka ra shkelm. Por nuk e di, tani e shpëtoi a jo, se u bajtëm. Qaty e kam ni veten ma s’shtiri, se i ra qatij sabije, dy orësh që i ka pasë. Qaty i kam pa motrat kur i kanë hjekë teshat e kanë ba si gardh ku ka lind ajo”- tregoi ai.

“Qita miell bashkë e kemi deri në pikën e fundit”

Buka ju kujton dhimbje e përbashkim. Miellin që u nda në gjysmë nuk e kanë harruar asnjëra familje. Ata e kujtojnë sofrën që u shtrua për të gjithë. Bukë e kripë, por për të gjithë ngapak. Familjet pritëse e kishin kuptuar këtënë çastin kur i strehuan, që buka e tyre do jetë për të gjithë njësoj.

Përderisa tash tavolinat i kanë plot, ata kujtojnë ditët kur nuk kishin asgjë, por me aq sa kishin u munduan që gjatë luftës askush mos të mbes me barkun bosh. Sofrën e kthenin bashkë, e buka nore ishte ushqimi kryesor për ta. Zaten, se përgatitej më së lehti dhe shpejti.

“Krejt qashtu kur jemi ulë me hanger bukë, krejt qashtu qysh kena mujt në tervesë, dy herë-tri herë ka ba vakia kemi hangër bukë”- tregoi Abaz Zahiti për bukën që u shtrua në odën e tij.

Burrat, me mirënjohje ndaj bashkëshorteve të tyre, tregonin që ishin pikërisht ato me të cilat u pajtuan që të ndanin punët në mënyrë që të organizoheshin mirë se si t’i rahatonin mysafirët. Ato qëndronin pa gjumë që të përgatitnin ushqim për të gjithë mysafirët, përderisa burrat punonin tokën, në profesionin e tyre dhe organizonin fshatin për të pritur të larguarit nga zonat më të rrezikshme të luftës.

“Krejt bukën e fijum fije (bashkëshortja e tij), na nihmojke besa me gatu e gruja e Salihut gatujke, e përgatitke bukën. Edhe çikën e kam pas atëhere, Lirija dhe ajo i nihmojke”- tregon Haxhi Abazi.

Zahiti nuk u ankua, përkundrazi tregoi se kanë pasur miell mjaftueshëm për të gjithë. Njësoj tregoi edhe Fatmir Kovaçi nga Novolani, që në atë kohë posedonte një fermë dhe se nuk ka pranuar as të marrë miell nga mulliri në të cilin ofrohej falas.

“Na kanë propozu me marrë miell te nji mulli këtu afër, ka 500 bukë çdo ditë, po na masi popullata nuk po mundet me i majt njerëzit, nuk e pamë të arsyeshme me shku me marrë atje, kur kishim na me i gatu e me iu dhanë”- tregoi ai.

Në oborrin e Fatmir Kovaçit janë katër traktorë, njëri nga ta prej kohës së luftës. Ai thotë se në shtëpinë e tij gjithmonë ka pasur shumë traktorë me të cilët është shpërndarë ushqim. Tash, në të njëjtën kohë punon si punëtor teknik në shkollën fillore në Novolan, por edhe rregullon teknikisht traktorë. Ata ia kujtojnë luftën.

“Në odë janë përgatit ushqime, janë pastru fmia, ju ka dhanë qumësht. Ju kemi ndihmu sa kemi mujt”- shtoi ai, duke treguar që kur ka ardhur dita që t’i ndihmojnë Drenicës, janë organizuar dhe i kanë marrë 500 bukë në mulli të cilat i kanë dërguar në shkollë të Likoshanit edhe në xhami të Qirezit. 

Meqë e kishin parë që nuk janë kushtet për të gatuar, mbas dy ditësh ishin organizuar gratë e fshatit të cilat kishin përgatitur ushqime të gatshme, kryesisht pite, e kishin nisur për në fshatrat e Drenicës.

Shijen e bukës që ka ngrënë në shtëpinë e Kovaçëve, Ramë Hamiti nuk e harron. Në mendje ende i ka gjërat që ata i kanë bërë për fëmijët dhe bashkëshorten e tij, të cilët kur kishin sëmurë i kishin dërguar edhe te mjeku me librezat e tyre.

“Me ni sofër krejt kena hangër bukë, vallahin na i kanë pru tana të mirat, si me kanë ‘miq së pari’, qashtu kena hangër gjithë te ta. Na kanë prit mirë, që ma mirë hiç nuk ban”- nxori nga sirtari disa kujtime të paharrueshme, Ramë Hamiti.

Ai thotë se aq e kanë krijuar një lidhje të fortë, sa që më të afërt i ndiejnë familjen Kovaçi se disa të afërm të tyre.

“Gruja ma shumë i do ata, se do kojshi të vet që i ka atje dikun. Se kohën ma të vështirën e ka kalu mas miri”.

Fshati Kçiq i Madh. Pamje nga droni: Denis Sllovinja/KALLXO.com

E Salih Morina jo që nuk i harron të mirat që ia ofroi familja e Abaz Zahitit, por as të të afërmve të tij, që i ndihmuan me ushqim. Përskaj Zahitit, jeton Naser Miftari, apo siç e quan ai Naser Shesholli, familja e të cilit nuk ishin ulur të hanë bukë pa futur këmbët nën sofër dhe familja Morina.

“Bile nana e tij nihere kish pas thanë nuk ha pa ardh Salihu”. – rrëfen Salihu. “Faleminderit, e inshallah lula e dritë i bahet varri, se mu më kanë dashtë shumë”

‘Ode për odat’

Në oborret e secilit prej tyre tashmë ndodhen shtëpi të mëdha e të kuruara bukur. Teksa kujtojnë sa keq ishin, vlerësojnë sa mirë janë. Veç duke krahasuar dy jetërat e ndryshme, këta katër burra ia dinë vlerën lirisë.

Lavdet për odat nuk i largonin nga goja. I thurnin ode odave. Të nisura nga grekët e vjetër, odetë janë vargje lirike që i përkushtohen datave të shënuaram njerëzve me ndenja të fuqishme përkushtimi e vlerësimi.

Më nuk kanë oda, të gjitha janë rinovuar e janë ndërtuar, pos një ode në pronësi të Fatmir Kovaçit, që ende ruan reliktet e asaj që ishte 26 vite më parë. Edhe pse shtëpitë e rindërtuara të Zahitit dhe Kovaçit kanë tjetër pamje prej atëherë, ata ende i quajnë oda. Veç ky emër i shkon për shtati asaj kohe gjatë së cilës në to gjetën shpëtimin familjet e larguara nga fshatrat e tyre.

Shtëpitë e vjetra të familjes Kovaçi në Novolan të Vushtrrisë. Foto: KALLXO.com

Ndryshe nga këta të dy, shtëpia e Salih Morinës dhe ajo e Ramë Hamitit i ngjasojnë shtëpive tipike shqiptare të hjeshuara mirë nga jashtë. Arsyeja pse kanë shprehur dëshirën e madhe që shtëpitë e tyre të jenë aq mbresëlënëse, është sepse të vjetrat iu janë djegur gjatë luftës nga forcat serbe. Në vendet e tyre ata u rikthyen pa asgjë dhe rinisën një jetë të re.

Odat në të cilat kanë qëndruar atëkohë ende i mbajnë mend prej tavanit e deri në dysheme.

“Si me hi në ambasadë, që thojshin tynehere, ambasada e mirë, e tash i kanë ba edhe shpijat si ambasada.Veç shumë e mirë, me tanat, me kreveta me krejt u kanë në rregull”- thotë Ramë Hamiti, për dhomën në të cilën familja Kovaçi kishte lëshuar për ta, e që tash është e rinovuar.

Pos kësaj dhome, që Kovaçi tregon që tash është ndryshe, ai tregoi që odën që ndodhet në fillim të oborrit nuk ka pasur zemër ta rrëzoj. E as dyert e shtëpisë nuk i ka ndërruar ende. Janë të njëjtat që i përballuan vrullit të luftës.

“Veç dera e hymjes në koridor është qajo që ka qenë, se brenda tash po e përdori për tjetër çka, për me lanë dru e këto. Se mundësi për me rregullu qysh u kanë nuk po kam, po edhe me prishë, s’po ma thotë zemra”- thotë Kovaçi, përderisa në fytyrën e tij shpërfaqet një dhimbje e përzier me mallëngjim.

Për Hamitin, dhimbje e madhe ishte dita kur u largua nga vendi ku kishte ngrënë e pirë për muaj të tërë. Por, edhe ai e dinte që kishte ardhur koha të largohej për shkak se ushtarët serbë kishin zbarkuar edhe në fshatin Novolan.

“Jena mërzitur si atë ditë që jemi dalë prej shpije. Se tash nuk dishim as ku po shkojmë. Po u dufke”- tregoi ai.

Kur u kthye në Vajnikë, asgjë nuk gjeti si la. Të gjitha shtëpitë të djegura. Për paradoks, ai thotë se nuk u mërzitë “si e kam pa shpinë pa kulm, thashë t’u ka djeg, kurgjo as nuk jam kanë ngushtë sa qitash. Se me të mbet veç e jotja, thojshin ky ka farë lidhje. Jo, jo, shyqyr Zotit krejtve ju kishin pas hi.”

E vetmja që ju kishte dhimbsur ishte dhoma e nënës, e cila ishte bërë shkrumb e hi, dhomë cila ende ekziston pothuajse e shkatërruar, por e shfrytëzuar për gjëra të tjera.

Dhoma e djegur e nënës së Ramë Hamitit në Vajnikë të Skenderajt, tash e papërdorshme për banim. Foto: KALLXO.com

Salih Morina përderisa kujtoi dhomën në të cilën kishte qëndruar te familja Zahiti, e pushtoi një lloj malli për atë vend. I del para syve ajo hapësirë që atëkohë i ngjasonte një pushimoreje.

“Kurrë nuk e heqi prej menjes. Para syve e kam, si vikendicë më doket’- përkujtoi Morina, duke shtuar se nëse ndodh ndonjëherë ndonjë gjë e papritur, të ai dhe shtëpitë e vëllezërve të tij, i kanë dyer hapur përherë.

Morina në shtëpi ishte kthyer pas çlirimit të Kosovës, por asgjë nuk kishte gjetur, e asnjë cent se kishte pasur me vete, pos një thesi me miell që ia kishin dhënë me vete. Bile, thotë se paratë për t’u kthyer nå fshat ia kishte dhënë familja nga Kçiqi i Madh.

“Kur jemi kthy në Gllarevë sen nuk kemi pas mas shpirtit, krejt rrafsh, me shpia e me oda të kallta. Ni vit e gjysë kam nejt në qat fllanik”- tregoi ai.

Morina kishte qëndruar në shtëpinë e Abaz Zahitit edhe pasi atë e kishin burgosur e më pas kishte qëndruar në Shqipëri. Ai thotë se pa problem kishte dalë e ia kishte punuar tokën e Haxhi Abazit, që mos t’i mbes ‘batall’.

“Vallahin kur jam dalë atë ditë, jam mërzitë sikur atë ditë që jam shku, se u mësova me ta, nejta me ta”- rrëfen Morina, përderisa mozaikun e kësaj historie e përmbushi Abaz Zahiti i cili i kujtoi po të njëjtat ditë kur sa qëndronte në Shqipëri e kishte vizituar djali i tij nga Gjermania dhe i kishte treguar që familja në Kçiq është mirë, e mirë janë edhe të strehuarit në shtëpi.

Fëmijët e tyre janë rritur. Shumë prej tyre kanë qenë pjesë e asaj kohe, e dy kanë lindur pas luftës. Ata thonë se ua kanë treguar pasardhësve historinë e strehimit dhe i kanë lënë porosi që ta ruajnë miqësinë me njëri-tjetrin. I dhimbshëm është fakti që pak prej tyre kanë mbetur në Kosovë, pasi që shumë kanë migruar jashtë vendit. 

Jeta e katër burrave ka ndryshuar si nata me ditën, pavarësisht rrugëve të ndryshme që kanë marrë jetët e tyre, deri diku kanë arritur t’i ruajnë marrdhëniet mes vete. “Flasim për deka e dasma, Bajram e naj festë”- thonë ata.

“E kisha njoftë vendin”

Ritakimi pas një kohe të gjatë zbarkoi me nga një kafe në oborret e tyre.

Fëmijët iu kanë martuar, tashmë kanë nipër e mbesa, e ata kishin kohë që nuk kishin parë fytyrat e njëri-tjetrit, sa që ritakimi përmblodhi në vete bashkëbisedime prej atyre se si kujtojnë ato kohë të vjetra të kaluara së bashku, e deri te migrimi i fëmijëve të tyre.

Për Salih Morinën, rikthimi në oborrin e kahmotshëm të miqtë e vjetër ishte drithërues, aq sa i papritur. Ende e mban në mend vendin, ani pse tash ndodheshin tri shtëpi të reja e me fasada moderne. 

Ritakimi i Salih Morinës dhe Abaz Zahitit në Kçiq të Madh të Mitrovicës. Foto: KALLXO.com

Salih Gllareva, ashtu siç e quante Haxhi Abazi, asnjëherë nuk kishte besuar që një ditë do mbërrinte dikush në shtëpinë e tij me të cilët do të ndante një histori të tillë lufte që ai natë e ditë nuk e heq nga mendja. E aq më pak, nuk kishte besuar se së bashku me ta dhe kujtimet do rikthehej në fshatin që mbante një copëz jete të tij, në Kçiq të Madh.

“E kisha njoft”- ju përgjigj Salihu kur Haxhi Abazi e pyeti “A po e njeh vendin se janë maru japija të reja”.

Përqafimi mes tyre ishte i ngrohtë. U zgjeruan krahët gjerë e gjatë për ta shtrënguar njëri-tjetrin sa më fortë që të shkundin mirë të gjitha ato çaste që i kishin jetuar së bashku para më shumë se dy dekada e gjysmë në atë fshat që ndodhet rrëzë rrugës kryesore.

Morina ishte i emocionuar edhe rrugës deri në Kçiq. Si e do zakoni, mysafiri nuk shkon duarthatë. Salihu ndaloi rrugës e për haxhiun e gruan e tij mori me vete një lëng frutash e një pako biskota. Vendin e njihte si pëllëmbën e dorës, “qitu kam hangër e kam pi”. Ritakimin me po aq mornica mbi duar e priti edhe Abaz Zahiti, i cili nuk kishte besuar që do ta shihte. 

Ritakimi i Fatmir Kovaçit me Ramë Hamitin. Foto: KALLXO.com

Ndryshe nga këta të parët, Fatmir Kovaçi e Ramë Hamiti kishin ruajtur miqësinë më fort. Rruga e shkurtër malore prej Novolanit deri në Vajnikë sikur ishte kujdesur mirë që mos ta lënë anash historinë e tyre. Edhe ritakimi i tyre i kthente në po të njëjtën pikë, në kujtimet e së kaluarës. Kësaj radhe nuk u takuan në shtëpinë ku Hamiti kishte lënë kujtime, por në atë që ai kishte ndërtuar pas luftës. 

Të katërtit i ruajnë kujtimet që lufta ua krijoi. Dy në odat e vjetra, dy në shtëpitë e reja.