Ilustrimi: Jeta Dobranja për Kallxo.com

Kuvendi i Kosovës nuk po funksionon

Mosmarrëveshjet politike e kanë penguar Kuvendin e Kosovës që të funksionojë normalisht për shumë vite mirëpo dështimet e saja që t’i adresojë krizën ekonomike dhe atë të shëndetit publik të shkaktuara nga COVID-19,  ka prekur pikën më të ulët të mundshme.

 

Lajmet e javës filluan me të njëjtën tregim të vjetër nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike u dërgua në parlament për të pestën herë dhe sërish nuk kaloi për shkak të mungesës së kuorumit.

Eshtë larg të qenurit draft ligji i vetëm që ka ngecur në Kuvend. Në korrik të këtij viti, pesë marrëveshje financiare ndërkombëtare, disa prej të cilave datojnë qysh nga ditët e qeverisë Haradinaj, të cilat më në fund u votuan të pandryshuara pasi u propozuan në Kuvend gjatë tri seancave të ndryshme plenare.

Me kalimin e viteve, duket se Kosova është mësuar me partitë politike të cilat kohë pas kohe i vënë axhendat e tyre politike para së mirës së përgjithshme publike.

Sidoqoftë, kur përballemi me një pandemi globale e cila kërcënon me dëmtim të rëndë të ekonomisë, ashtu kështru të brishtë të Kosovës si dhe grupet më të cënuara të shoqërisë, dështimi i Kuvendit për të siguruar çdo lloj lehtësimi ekonomik për shoqërinë është befasues dhe shqetësues. 

Pyetja që natyrshëm vjen në mendje është nëse partitë parlamentare të Kosovës mund të arrijnë konsensus për ndonjë çështje në Kuvend.

Botërisht dihet se detyra kryesore e një qeverie është të sigurohet që t’i ketë votat për implementimin e planit të saj qeverisës, ose të paktën çështjet që kërkojnë një shumicë të thjeshtë.

Është gjithashtu fakt që koalicioni aktual qeverisës është krijuar me një shumicë shumë të brishtë në Kuvend, dhe aktualisht nuk mund të arrijë as 61 votat e kërkuara për një shumicë të thjeshtë.

Sidoqoftë, pamundësia e spektrit politik që të punojnë së bashku për një çështje si rimëkëmbja ekonomike nga kriza COVID-19 nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë e pranueshme.

Rimëkëmbja ekonomike është listuar si një nga dy prioritet kryesore të programit të qeverisë Hoti. Në fakt, Hoti premtoi para se të merrte detyrën se do ta nxjerr dhe miratojë një paketë gjeneroze ekonomike deri në vjeshtë me shpërndarjen e të paktën 400 milion eurove.

Megjithatë, me të marrë detyrën e kryeministrit, zbatimi i këtij programi duket se ka hasur në vështirësi, pasi nuk ka një mbështetje të gjerë të partive në Kuvend. Opozita ka kritikuar planin e rimëkëmbjes ekonomike, duke thënë se projektligji nuk ndihmon apo nuk plotëson nevojat reale të qytetarëve.

Në fakt, aktualisht ekzistojnë dy projektligje në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike që presin miratimin, një i propozuar nga Qeveria dhe një tjetër iniciativë ligjore e inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK.

Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, dhe partitë e tjera që janë pjesë e koalicionit qeverisës nuk e mbështesin iniciativën e PDK-së, me qëllim shtyrjen përpara të ligjit të sponsorizuar nga qeveria e saj.

Ndërkohë, PDK nuk do të mbështesë projektligjin e Qeverisë nëse nuk përkrahet edhe iniciativa e tyre, qoftë si një ligj i veçantë apo duke e përfshirë në projektligjin e Qeverisë.

Partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e mbështet as ligjin e Qeverisë e as iniciativën nga PDK.

Në situatën të cilën gjindemi, ka vetëm një rrugëdalje. Koalicioni qeverisës duhet t’i intensifikojë përpjekjet e tij për të gjetur një gjuhë të përbashkët me opozitën, duke i marrë në konsideratë të gjitha propozimet dhe kërkesat e tyre, dhe të arrijë një marrëveshje.

Kjo do të bënte që partitë politike nga i gjithë spektri të heqin dorë nga politika aktuale inatçore e cila është ngulitur pas një serie përplasjesh politike në vitet e fundit.

Anketa e fundit nga NDI tregon se 63% e qytetarëve besojnë se prioritet i deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet të jetë miratimi i një pakete ekonomike ndërpartiake e cila do të mbështeste ekonominë gjatë krizës së koronavirusit.

Mosarritja për ta bërë këtë nënkupton dështim të demokracisë.

Një institucion i dëmtuar 

Sjellja e deputetëve përgjatë viteve ka dëmtuar besimin e publikut në parlament. Një sondazh i NDI-së i kryer në maj të këtij viti tregoi se 70% e qytetarëve nuk e konsiderojnë Kuvendin e Kosovës si të besueshëm.

Krizat e njëpasnjëshme në vitet e fundit gjithashtu kanë dëmtuar funksionimin e Kuvendit dhe kanë penguar përmbushjen e mandatit të tij kushtetues.

Mosmarrëveshje të mëdha politike për çështje të tilla si demarkimi i kufirit me Malin e Zi, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dialogu me Serbinë, tarifa 100 përqind, shkëmbimi i shumë diskutuar territorial i etiketuar nën frazën “korrigji kufijve” dhe më vonë, madje, edhe masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë, kanë prodhuar kriza të vazhdueshme politike dhe fragmentim.

Pa dyshim, rënia e Qeverisë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj përmes dorëheqjes së tij, dhe më vonë, rrëzimi i Qeverisë Kurti, kanë demonstruar këtë paqëndrueshmëri politike por gjithashtu kanë krijuar një politikë inatçore.

Ndërkohë, shumë seanca kanë dështuar në miratimin e ligjeve  apo edhe çështje tjera të adresuara për shkak të mungesës së kuorumit.

Statistikat nga legjislatura e gjashtë tregojnë se nga 134 seanca plenare të mbajtura, 45% sosh u shtynë për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar për çështjet që ishin parashikuar.

Sa i përket legjislaturës aktuale, nga 39 seanca plenare të mbajtura, 38% u shtynë për një ditë tjetër në mungesë të kuorumit për votim.

Çështja e arritjes së kuorumit përkeqësohet edhe më shumë nga mospjesëmarrja e deputetëve në procesin e votimit pavarësisht nga prania e tyre fizike në Kuvend. Kjo jo vetëm që është shkaktuar nga mungesa e vullnetit politik por është pasojë e boshllëqeve ligjore brenda vetë Rregullores së Punës.

Është detyrim kushtetues dhe ligjor që deputetët të marrin pjesë në seancat plenare dhe në çdo proces që zhvillohet në Kuvend duke përfshirë të drejtën dhe detyrimin për të votuar. Sidoqoftë, për sa kohë që nuk ka dispozitë ligjore që rregullon çështjen e mospjesëmarrjes  së deputetëve në votim pavarësisht prezencës fizike në Kuvend, i njëjti problem do të vazhdojë së shfaquri në skenën politike mjaft të fragmentuar të Kosovës.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në gjuhën angleze në Prishtina Insight.

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Agnesa Haxhiu është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, KDI, dhe monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

Jeta Krasniqi është menaxhere e projektit në KDI, duke udhëhequr projektin për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.