Kryeshefi i PTK-së, kuadër i PDK-së

Ejup Qerimi i cili në periudhën 2002-2007 ka qenë këshilltar lokal i partisë qeverisëse ka marrë votat e Bordit të PTK-së për të udhëhequr këtë korporatë.

Rexhë Gjonbalaj, kryetari i bordit të PTK-së që e ka emëruar Qerimin në këtë pozitë, nuk ka dashur të komentojë për biografinë e Kryeshefit të ri Ekzekutiv.

“Nuk e di a ka konflikt ligjor në këtë a jo. Nuk dua të komentojë këtë çështje”, ka thënë Gjonbalaj, po ashtu një ish-këshilltar komunal i PDK-së në Pejë, për Gazetën JnK.

Ndërkohë Qerimi ka thënë se nuk e di a është pengesë “prejardhja” e tij nga PDK’ja për të udhëhequr një ndërmarrje publike.

“Unë ende nuk e kam marrë detyrën zyrtarisht. Nuk dua të komentoj për këtë punë pa e marrë detyrën. Zyra Ligjore e PTK-së le ta sqarojë këtë çështje – a kam të drejtë a jo. Po, nuk po e kuptoj pse duhet mos me mujt njeri as me u punësu për këtë arsye”, ka thënë Qerimi i pyetur për “prejardhjen” e tij nga PDK-ja.

Ndërkaq në njoftimin për media të PTK-së thuhet se Bordi i Ndërmarrjes unanimisht ka vendosur që Qerimi të marrë postin e Kryeshefit Ekzekutiv.

“Fillimisht Bordi i Drejtorëve i PTK Sh.a. ka përzgjedhur gjashtë kandidatë në listën e ngushtë dhe pas intervistimit të tyre ka ardhur në përfundim se kandidati që mori më së shumti pikë për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv është z.Ejup Qerimi”, thuhet në njoftimin e PTK-së.

Përzgjedhja e Qerimit, sipas këtij njoftimi, është bërë në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Qerimi në këtë post e zëvendëson Shyqyri Haxhën i cili vitin e kaluar kishte dhënë dorëheqje me arsyetimin se i është kufizuar hapësira e veprimit për të arritur synimin e tij për rritjen e vlerës së PTK-së.

I emëruari në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv më herët kishte punuar si Sekretar në Odën Ekonomike ku ishte shkarkuar me kërkesë të Besim Beqajt, atëherë kryetar i OEK-ut e tash Ministër i Zhvillimit Ekonomik, dikaster që monitoron Ndërmarrjet Publike.

Qerimi më vonë kishte ngritur padi kundër këtij shkarkimi nga pozita e sekretarit të OEK-ut. 

Përveç kësaj Qerimi më herët kishte punuar edhe si Menaxher i Projekteve në IPKO, kompani që konkurron PTK-në në industrinë e telekomit si dhe kishte pasur pozitën e anëtarit të bordit në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.