Ilustrimi; Diar Vuçetaj

Kontrata sekrete në Kosovë, publike në Amerikë

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJD) ka vendosur ta shpallë sekrete kontratën e lobimit që ia ka dhënë Avni Mustafajt dhe Afërdita Rakipit. Por, kjo kontratë në vlerë 147 mijë euro është e mbyllur vetëm në Prishtinë, pasi që e njëjta është publikuar nga Departamenti i Shtetit për Drejtësi në ShBA.

Përpos përgjigjes se kontrata është sekrete, MPJD nuk ka dhënë sqarime pse është ndërmarrë ky veprim dhe nëse autoritetet amerikane janë njoftuar për një gjë të tillë, megjithëse KALLXO.com ka këmbëngulur që të marrë një përgjigje.

Më 19 dhjetor KALLXO.com kërkoi nga Ministria vartëse kopjen e kontratës, mirëpo përgjigja ishte negative, me arsyetimin se nuk mund të bëhet publike për shkak se është sekrete.

Më shumë se një muaj më vonë, përkatësisht më 2 shkurt, pas kërkesës së KALLXO.com, MPJD dha qasje në vendimin e posaçëm që e klasifikon kontratën si sekrete, pa dhënë ndonjë shpjegim nëse autoritetet amerikane janë njoftuar për këtë vendim të qeverisë së Kosovës.

Për kontratën që figuron të jetë nënshkruar më 26 qershor të vitit të kaluar nga shqiptaro-amerikanët Mustafaj e Rakipi dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, vendimi që të klasifikohet si sekret shtetëror është marrë tek më 5 gusht të po të njëjtit vit.

Vendimi i Ministrisë është bazuar në dy ligje: Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura dhe Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë,  ndonëse ky i fundit është shfuqizuar nga Ligji i ri i cili hyri në fuqi më 6 mars, që i bie 4 muaj para vendimit.

Por ky vendim i Qeverisë së Kosovës nuk është përfillur nga SHBA-ja.

Lobimi në SHBA është veprimtari e rregulluar me ligj dhe Qeveria amerikane publikon listat e secilit person që është i angazhuar në këtë veprimtari.

Departamenti amerikan i Drejtësisë i bën publike marrëveshjet përmes të cilave persona apo kompani angazhohen nga shtete të huaja për lobim apo aktivitete të ndryshme politike brenda SHBA-së.

Praktika në SHBA në lidhje me këtë çështje është se zbulimi i informacionit të kërkuar lehtëson vlerësimin nga qeveria dhe populli amerikan të aktiviteteve të këtyre personave në dritën e funksionit të tyre si agjentë të huaj.

Ndërkaq, me Ligj të Kosovës kontratat e caktuara me interes shtetëror edhe mund të klasifikohen si sekrete.

Por, a e ka ditur MPJD që ligji në SHBA obligon që secila kontratë e lobimit nga agjentë të huaj të bëhet publike?

Ligji që e përcakton klasifikimin e informacionit thotë se sekret klasifikohet secila kontratë zbulimi i paautorizuar i të cilës do t’i dëmtonte seriozisht interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sekreti duhet të ruhet për 15 vjet, përkundrazi kushdo që e zbulon kryen vepër penale dhe mund të dënohet me burgim prej tri deri në 10 vjet.

Informacioni parashihet të deklasifikohet tek atëherë kur vlerësohet se nuk ka më nevojë për mbrojtje dhe kur zbulimi i tij nuk përbën më rrezik për sigurinë e Kosovës.

Sipas dokumentit të regjistrimit të publikuar në Departamentin Amerikan ku është bashkëngjitur edhe kontrata, të dy shqiptarët atje do të ofrojnë këshilla strategjike, avokim dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Kontrata ishte dhënë në një kohë kur Kosova gjendej nën tensionet në Veri të vendit e që luhatej në prishje të marrëdhënieve me SHBA-në.

Atëbotë, Qeveria e Kosovës refuzoi të tërheq kryetarët shqiptarë nga komunat veriore, si rezultat Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian sanksionuan Kosovën – masa kufizuese që vendi i vuan edhe sot e kësaj dite.

SHBA-ja njoftoi se e kishte anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”, ndërkohë që i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i përmbahet kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e situatës në veri.

BE-ja njoftoi gjithashtu se kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, duke përfshirë pezullimin e përkohshëm të punës së organeve të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), përjashtimin e Kosovës nga takimet e nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe.

Sipas kontratës të lidhur me MPJD-në, rezulton se Mustafaj dhe Rakipi janë ofrues shërbimi për një vit, por pjesërisht të regjistruar me kompanitë e tyre me përgjegjësi të kufizuara, Ambal LLC dhe Communications LLC.

Ani pse kjo kontratë veçse është bërë publike, po në këtë akt të regjistrimit në SHBA është bashkëngjitur edhe aneksi ku thuhet se: “Ofruesi i Shërbimeve do të trajtojë të gjitha dokumentet dhe informacionin e marrë në lidhje me këtë kontratë si private dhe konfidenciale dhe nuk do ta zbulojë këtë informacion për ndonjë palë të tretë pa pëlqimin paraprak me shkrim të palës tjetër.”

Përveç kësaj, shkruan se kontrata mund të hapet vetëm në qoftë se kërkohet me Ligj ose për qëllime të zbatimit në rast të ndonjë mosmarrëveshje.

KALLXO.com ka tentuar disa herë të marrë një qëndrim nga Avni Mustafajn, por ai nuk është përgjigjur asnjëherë, e as nuk e ka hapur telefonin.

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz kishte thënë që kontrata me Avni Mustafaj është e mirëfilltë kontratë lobimi dhe se është “ tjetër kategori”.

“Ju e dini shumë mirë që kontratat e lobimit, jo ne por asnjë shtet i botës… Ama logjikisht nëse neve i shpalosim të gjitha letrat që kemi në këtë emision se çfarë bënë Avni Mustafa.. Ai mua m’i tregon çfarë bënë”- tha ajo në një intervistë për KALLXO.com më 16 dhjetor të vitit të kaluar.

Kosova ndër vite ka shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave për të lobuar për njohje të reja në shtete që se njohin Pavarësinë e 17 shkurtit 2008, apo janë dhënë kontrata lobimi për ngritjen e imazhit të Kosovës si shtet edhe në vendet njohëse.

Këto kontrata të dhëna në forma të ndryshme ndër vite kanë zgjuar vëmendjen e mediave, por në të njëjtën kohë, institucionet qendrore i janë përpjekur që t’i mbajnë të fshehta.

Së fundmi, kontrata më e përfolur e lobimit  e MPJD-së, është ajo që i është dhënë Gani Jakupit si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike. Këtë çështje e ngriti në Kuvend Partia Demokratike e Kosovës duke propozuar edhe themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së. Megjithatë, në mungesë kuorumi, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në votim, ka dështuar themelimi i tij në seancën e së enjtes.