Kërkohet Anulimi i Konkursit në QKUK

Komisioni për shqyrtimin e statutit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka reaguar të hënën lidhur me shkeljet ligjore që janë bërë gjatë procedimit të konkursit për drejtorë të klinikave të kësaj qendre.

Komisioni që udhëhiqet nga Xhavit Bicaj, në një shkresë që i ka dërguar ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani; atij të Arsimit, Ramë Buja; si dhe Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (KPMK), ka vlerësuar se konkursi është në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Në bazë të informatave që posedojmë, stafi menaxhues i QKUK-së, gjatë procedurës së intervistimit ka bërë lëshime statutare”, thuhet në shkresën e komisionit.

Aty tutje thuhet se intervistat janë mbajtur pa prezencën e përfaqësuesve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe nuk është kërkuar nga dekanati i Fakultetit të Mjekësisë të dërgojë përfaqësuesin legjitim.