Jahjaga Takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, gjatë qëndrimit të saj në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku po merr pjesë Samitin Botëror për të Ardhmen e Energjetikës.

Presidentja Jahjaga dhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Presidentja Jahjaga tha se anëtarësimi i Kosovës në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë është i rëndësishëm dhe do të ndihmonte në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin, thuhet në një komunikatë shtypi të Presidencës.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti. Ajo tha se dialogu me Serbinë duhet të ofrojë zgjidhje të bazuara në praktikat më të mira evropiane.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se çështja e tri komunave në veri të Kosovës është çështje e sundimit të ligjit dhe theksoi domosdoshmërinë e zhbërjes së strukturave ilegale, që po mbajnë peng popullatën serbe në këtë pjesë të Kosovës. Ajo tha se në këtë pjesë të vendit duhet të zbatohet pakoja e Ahtisaarit dhe duhet që të mbahen zgjedhjet lokale.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tha se shpreson që çështjet në veri të Kosovës do të zgjidhen në mënyrë paqësore. Ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra më e mirë për të ecur përpara.