Komuna e Podujevës bëhet gati për festat e fundvitit, ndan 20 mijë euro për dekorimin e qytetit
Komuna e Podujevës ka nisur procedurat tenderuese për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Për këtë qëllim, komuna në fjalë ka parashikuar të nënshkruajë kontratë në vlerë deri 20 mijë euro, me kohëzgjatje të kontratës deri 15 ditë.
Nëpërmjet këtij tenderi, në mes tjerash parashihet të bëhet furnizimi dhe montimi i dy bredhave artificial me konstruksion metalik, i mbuluar me degë montuese në formë bredhi natyral. Gjatësia e bredhit duhet të jetë 10 metra, diametri në fund të bredhit 3.7 metra ndërsa kyçja e bredhit në rrjet elektrik të jetë 10 metra.
Afër bredhit të vendoset një portë hyrëse me dimensione 3x3x3 metra dhe e mbështjellë me drita dekoruese led ngjyrë të kaltër, ku çdo e 10-ta dritë duhet të jetë blic dhe se gjithsej duhet t’i ketë 480 metra drita.
5-dhjetori është përcaktuar të jetë edhe afati i fundit për kompanitë e interesuara që të ofertojnë në këtë aktivitet të prokurimit.
Në këtë aktivitet të prokurimit, Komuna e Podujevës përdori procedurën e hapur me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.
Lidhur me dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, KALLXO.com raportoi edhe për një tender, atë në Komunën e Prizrenit.
Në muajin e kaluar, Komuna e Prizrenit ka hapur tender për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.
Komuna ka parashikuar të nënshkruajë kontratë në vlerë deri në 40 mijë euro, me kohëzgjatje 20 ditë.
Ndryshe, ndonëse nga institucionet qendrore po paralajmërohet se gjatë muajve të dimrit vendi mund të përballet me mungesë të rrymës, institucione të nivelit lokal po përgatiten të shpenzojnë rrymë për të ndriçuar sheshet me llamba zbukuruese për festat e fundvitit.