Zotimet e kandidatit Rexhep Kamberi: Do angazhohem për më shumë të drejta për komunitetin goran

Rexhep Kamberi po synon që nga niveli lokal ku është përfaqësues i komunitetit goran në Komunën e Dragashit, të kaloj në nivel qendror, dhe të përfaqësoj komunitetin e tij në Parlamentin e Kosovës.

Kamberi bashkë me 5 persona tjerë është pjesë e listës së Partisë GIG (Iniciativa Qytetare Gorane)

Kamberi që jeton në Komunën e Dragashit, premton angazhim për respektim më të madh të të drejtave për komunitete e sidomos të komunitetit goran nga Komuna e Dragashit, e këtë mendon që do ta arrinte nëpërmjet pozitave që do të mund t`i ketë në qeverinë e ardhshme.

Në një intervistë për Kallxo.com kandidati nga komuniteti goran tha se do të preferonte që të merrte pozita drejtuese në qeveri, e në rast se kjo realizohet atëherë Kamberi synon të ulen tatimet për prodhuesit vendor, dhe të rriten tatimet që paraqesin lukse.

Papunësia është problemi kryesor i komunitetit Goran në Dragash, e kjo po i detyron njerëzit dhe të rinjtë të emigrojnë thotë kandidati Rexhep Kamberi.

Komuniteti pakicë sipas Kamberit do të kenë mbështetjen më të madhe nga ai nëse zgjedhet deputet, ndërsa shton se si deputet do të votonte kundër nëse para vetes ka vendime që janë kundër interesit të komunitetit të tij.

Mbrojtja e ambientit është prioritet që duhet kushtuar më shumë vëmendje thotë Kamberi andaj si zgjidhje sheh ashpërsimin e dënimeve për prerje të pyjeve.

Kamberi u shpreh kundër ndërtimit të termocentralit për qymyr, dhe se përdorimi i qymyrit gjatë dimrit është ndotës i madh i ajrit.

Kosova duhet të ketë nën kontroll Telekomin e Kosovës sipas Kamberit, “por do të angazhohesha që një pjesë e madhe e aksioneve të shiten”, gjithashtu Kamberi u shpreh për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.

Taksa është mjet ekonomik për Kamberin, andaj i njëjti kundërshton çfarëdo takse që e frenon ekonominë.

Kamberi për mbylljen e Universiteteve thotë se “Shteti nuk duhet t`i ndjek rregullat e rrepta sikurse në Universitetin e Prishtinë njëjtë edhe për Universitetin e Prizrenit”.

I pyetur për martesat ndërmjet gjinisë së njëjtë mendimi i Kamberit është se çdokush duhet të jetojë jetën që atij i pëlqen.

Bartja e shamisë për Kamberin nuk paraqet pengesë, andaj është për bartjen e Shamisë nëpër shkolla, nëse ajo nuk paraqet simbol të ekstremizmit.

Kamberi është kundër përcaktimit të kuotës për diasporën në Parlamentin e Kosovës, e për kartonin e gjelbërt Kamberi tha se duhet të gjendet një zgjidhje e mese “Nëse hiqet pagesa për kartonin e gjelbërt atëherë do të pësoi Buxheti i Kosovës, por në anën tjetër ju lehtësohet qarkullimi i njerëzve tanë që jetojnë jashtë“.

Nëse Rexhep Kamberi fiton votat e nevojshme për deputet i njëjti thotë se do të merret ekskluzivisht vetë me këtë pozitë duke mos u angazhuar edhe në punë tjera.

Spitalet publike Kamberi thotë se i viziton kur ka probleme shëndetësore, “Mendoj që duhet të investohen mjete të konsiderueshme në shëndetësinë publike në mënyrë që ajo të jetë më e qasshme në aspektin material për shtresat e ndryshme të qytetarëve“.

Kamberi premton se nuk do të përdor ndikimin e tij si deputet  për të punësuar dikë nga familja, edhe pse ka bashkëshorten edhe dy djemtë e tij të papunë.

Fati i gjigandit Trepça duhet të vazhdoj të mbetet nën menaxhimin e Republikës së Kosovës, Kamberi është i mendimit që vetëm 50 % e Trepçës mund të jepet në shfrytëzim përderisa pjesa tjetër duhet të mbetet nën menaxhmentin e Shtetit.

Kamberi synon që gjatë mandatit të tij nëse zgjidhet si deputet të përmirëson jetën e komunitetit goran, e me këtë do të minimizonte largimin e të rinjve nga Kosova, e ky do të ishte suksesi i tij më i madh në Parlamentin e Kosovës.

Veturat më të vjetra se 10 vite nuk do të duheshin të lejohen të importohen në Kosovë thotë Kamberi.

Nëse ndaj tij do të ngritej aktakuzë Kamberi është i mendimit se kjo nuk do të thoshte se është fajtor, andaj duhet një vendim i Gjykatës që të vërtetonte a është fajtor apo jo për të vendosur nëse do t jepte dorëheqje nga pozita e deputetit.

Nëse qeverisa do të ishte efektive me 20 Ministri atëherë Kamberi thotë se do të votonte një qeveri me kaq shumë ministri, ndërsa Tre deri në katër zëvendës ministria do të duhej të kishte secila ministri sipas Kamberit.

Në fund të intervistës për Kallxo.com Kamberi premtoi se fondet e partisë së tij do të jenë publike, dhe se gjithashtu të gjitha shpenzimet dhe faturat e çfarëdo ministrie që mund ti takojë në të ardhmen do të jenë të hapura për publikun.