Foto: ZKM

Kurti takohet me pjesëtarë të komunitetit goran

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe zëvendësministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Enes Goran, sot janë takuar me pjesëtarë të komunitetit goran.

Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti i përditësoi ata me veprimet e Qeverisë për komunitetin goran nga takimi i fundit që kishin në tetor.

“Këtu përfshihet pakoja mbështetëse prej 3 milionë euro për komunitetet jo shumicë, për OJQ-të, bizneset e reja dhe ekzistuese, dhe për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale. U fol edhe për programin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve, për ndarjen e 500 mijë eurove për OJQ-të dhe mediat, me mjete të rezervuara për secilin komunitet; dhe për përfituesit goran nga thirrja e fundit e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për ndërtimin e shtëpive”- thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se kreu i ekzekutivit ka theksuar edhe punën e Qeverisë me Komisionin për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe iniciativën për krijimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

ZKM njofton se të pranishmit gjithashtu kanë ndarë brengat e tyre për sa i përket punësimit të komunitetit në institucione, ndërsa siç është bërë e ditur në kumtesë “kryeministri ka ndarë me ta planet për adresimin dhe trajtimin kësaj çështjeje”.