Kandidati i PDK-së: Qeveria nuk duhet të ketë më shumë se 10 ministri

Kandidati për deputet nga PDK, Naim Ismajli thotë se nuk do të votonte një Qeveri e cila në përbërje ka më shumë se 10 ministri, pasi sipas tij deri në 10 ministri është e mjaftueshme.

“Mendoj se çdo qeveri me mbi 10 ministri do të jetë shumë e madhe. Jam që qeveria mos ta kalojë numrin 10”, ka thënë Ismajli në një intervistë për KALLXO.com.

Ndërsa secila prej këtyre ministrive sipas Ismajlit duhet të ketë më së shumti nga dy zëvendësministra.

Në këtë intervistë, Ismajli ka treguar edhe qëndrimin e tij rreth ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të PDK-së, Naim Ismajli:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Naim Ismajli: Mendoj që ajo që më së shumti i duhet qytetarët është zhvillimi ekonomik dhe në fokusin tim është çështja e zhvillimit ekonomik.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Naim Ismajli:Unë i hy garës për të qenë deputet, besoj në fitoren e partisë ime, dhe nëse do të kemi fitoren atëherë mund të jetë edhe ndonjë pozitë ekzekutive e cila në këtë rast mund të më besohet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Naim Ismajli: Të gjitha taksat të cilat e ndihmojnë zhvillimin e bizneseve dhe kanë të bëjnë më lëndën e parë mendoj se kanë nevojë për ulje, ndërsa të gjitha taksat të cilat në këtë rast, favorizojnë prodhimet vendore, të cilat i përmbushin nevojat e qytetarëve mendoj se duhet të jenë më të larta.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Naim Ismajli: TVSH e cila është e aplikueshme për biznese që paguhet në pikën doganore mendoj se duhet të amandamentohet, dhe TVSH duhet të paguhet tek konsumatori i fundit, e dyta është në fushën e arsimit do të tentoja që ligji i arsimit të parasheh fuqizimin e shkollave profesionale dhe mundësin që këto shkolla të kenë ekonominë e tyre, dhe e treta do të lidhet me aspektet e zhvillimit ekonomik, fuqizimi më i madh dhe ndarja e fondeve të veçanta për zonat ekonomike në secilën komunë.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Naim Ismajli: Një nga problemet kryesore që gjithmonë është prezent është trajtimi i ujërave të zeza, është një projekt që fillon këtë vit tek ne, mirëpo në kuptimin e plotë trajtimi i ujërave të zeza e merr kur ndërtohen impiantet, pasi që mungesa e tyre praqet problem, problemi i dytë është gjithë përfshirja e fëmijëve nëpër çerdhe, dhe e treta është se kemi nevojë për shtimin e numrit të mjekëve në proporcion me numrin e banorëve.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Naim Ismajli:Jo.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Naim Ismajli: Nëse konsideroj se qëndrimi i grupit parlamentar është në shpërputhje me interesat e qytetarëve, unë do të jem kundër.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Naim Ismajli: Njerëzit me nevoja të veçanta.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Naim Ismajli: Trajtimi i ujërave të zeza deri në nivel të impianteve, standardizimi i operatorëve ekonomik të cilët shfrytëzojnë kapacitetet e zhavorrit sipërfaqësor dhe atyre të lumenjve, dhe me ndërtimin e sa më shumë parqeve dhe gjelbërim sa më të madh.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Naim Ismajli: Jam për që të jetë mëe efecient me kapacitete të mjaftueshme duke vendosur standardet e filtrimit që të mos ketë ndotje të ambientit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Naim Ismajli: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Naim Ismajli: Telekomin e Kosovës mendoj se duhet të jetë një kapital i përzier Qeveri dhe investim privat.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Naim Ismajli: Mendoj se këtu mund të jetë një modifikim, që do të jetë një rrugë e zgjeruar, që t’i ketë korsitë e njëjta me autostradën, por pa nevojën e shpronësimit të sipërfaqeve aq të madhe, dhe shpenzimeve të tjera që e rrisin koston, me një përgjysmim të çmimi mund të jetë një rrugë që e kryen komplet funksionin e një autostrade, por që përmbushë nevojat e transportit të mallrave dhe njerëzve pa shpenzime të tjera të cilat mund të jenë të luksit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Naim Ismajli: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Naim Ismajli: Tarifa me Serbinë duhet të kalojë në reciprocitet, jo të tarifës, por të shumë aspekteve, ne duhet të sillemi karshi Serbisë ashtu siç sillet Serbia karshi neve, dhe kuptohet gjithmonë në koordinim dhe me bindje që ne do t’i bëjmë faktorët ndërkombëtar në të drejtën tonë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Naim Ismajli: Jam për ndërtimin e hidrocentraleve por jo të formatit që janë sot, por gjithmonë duhet ndërtuar penda akumuluese të ujit dhe pastaj në këto akumulate të ujit mund të ngriten hidrocentrale për prodhimin e rrymës.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Naim Ismajli: Jam për një vënie të barabartë të konkurrencës të universiteteve publike dhe private, dhe të gjitha universitete qofshin ato publike apo private të cilat nuk i plotësojnë kriteret e akreditimit mendoj se janë të pasinqerta të operojnë sepse janë në shpërputhje me ligjet në fuqi.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Naim Ismajli: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Naim Ismajli: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Naim Ismajli: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Naim Ismajli: Mendoj se duhet të gjejmë një modus tjetër të përfshirjes së deputetëve nga diaspora në këtë rast të diasporës, nuk mendoj se deputetet e diasporës mund të jenë ata të cilët mund të japin kontributin duke pasur parasysh që një apo dy deputet është hipotetike a mund të ketë nga Zvicra apo nga Amerika, apo nga Gjermania dhe nga cili do vend mund të jetë nuk di se mund ti shërbej vendeve të tjera, në këtë rast kontributi im si deputet duhet të jetë që Kuvendi i Kosovës të punoj shumë për diasporën dhe nuk është shumë e rëndësishme që ata të përfaqësohen në Kuvend.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Naim Ismajli: Po jam për ridizajnim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së Kartonit të Gjelbër për diasporën?

Naim Ismajli: Jam që qytetarët e diasporës të ndihen lirshëm, dhe gjithë ajo pjesë e sigurimit që atyre ju shërben në vendet e tyre të ju shërbej edhe në Kosovë, nuk jam për barriera shtesë.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Naim Ismajli: Një pjesë të madhe do ta mbulojë partia, do të ketë edhe donator të tjerë por edhe miqtë dhe familjarët por që unë mendoj se shpenzimet e fushatës do të jenë shumë minimale për mua.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Naim Ismajli: Aktualisht mbaj një vend pune publik, kam një vend pune në privat dhe mendoj se aq sa e lejon ligji dhe mundësia do të veproj konform asaj, kontributin maksimal do ta jap si deputet por mund të jem i angazhuar në detyra të tjera që nuk kërkojnë të ndeshen me ligjin.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Naim Ismajli: Këto janë të dhëna na AKK.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Naim Ismajli: Të gjithë pasurinë që e kemi ndërtuar bashkë e kemi të regjistruar së bashku me gruan përveç asaj që është e trashëguar.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Naim Ismajli: Nuk kam pas rast, nuk kam pasur nevojë të shërohem.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Naim Ismajli: Do të jap kontributin maksimal si deputet që të besojmë në institucionet tona publike shëndetësore dhe besimi më i madh do të jetë në to.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Naim Ismajli: Të gjithë shkollimin para universitar fëmijët e mi e kanë përfunduar në shkollat publike, pastaj studimet tjera disa në publike disa në private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Naim Ismajli: I kam shumicën e familjarëve të papunë dhe çështja e punësimit të tyre do të jetë e lidhur me ngritjen e tyre profesionale, pa ndikimin tim.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Naim Ismajli: Më e mira e investimeve do të jetë në partneritet publiko privat.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Naim Ismajli: Nuk do ta kushtëzoja me asnjë projekt, po do të jem shumë kërkues që buxheti të jetë mirë i sistemuar sipas prioriteteve që duhet vendosen dhe të jetë gjithëpërfshirës në kuptimin territorial.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilën keni me lënë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Naim Ismajli: Mendoj angazhimi im në dhënien e kontributit në legjislacionit sa më të mirë, dhe kërkesat e mia të vazhdueshme që Kuvendi të jetë kontroll i fortë i qeverisë, mendoj se të qenit aktiv për ofrimin e alternativave do të bëjnë që të mos harrohet emri im.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Naim Ismajli: Sipas nevojës.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Naim Ismajli: Sipas nevojës por të paktën një takim para çdo seance me atë rend të ditës që konsideroj për pikat me të cilat duhet të konsultohem me qytetar.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Naim Ismajli: Ne do të bëjmë një analizë të standardit të qytetarëve tanë, dhe në bazë të kësaj analize do të shohim nëse bëjmë më shumë dëm me futjen e të rejave apo të vjetrave, dhe mendoj se nuk duhet ta shndërrojmë Kosovën në varreza të veturave të vjetra por do të përpiqem që në Kosovë të ofrojmë mundësi që të ketë vetura të çmimeve të ndryshme.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qenë pjesë?

Naim Ismajli: Sipas nevojës, aq sa do të jetë e nevojshme.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Naim Ismajli: Gjithsesi.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Naim Ismajli: Besoj se kryeministri që do të ketë aktakuzë do ta rrëzojë veten vet, por nëse do të ndodh që mos ta rrëzoj do ta ndihmoj këtë proces.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 ministri?

Naim Ismajli: Mendoj se qeveria do të jetë qeveri që do të ketë shumë më pak se 15, dhe mendoj se çdo qeveri mbi 10 do të jetë shumë e madhe, jam që qeveria mos ta kalojë numrin 10.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Naim Ismajli: Në shumicën e ministrive është mjaftueshme një zëvendësministër, me përjashtim të disa ministrive që mund të kërkojnë edhe dy zëvendësministra.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Naim Ismajli: Nëse personat nuk i plotësojnë kushtet profesionale për emërim, dhe nëse ata ndeshen me konflikte të interesit unë nuk do t’i votoj.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Naim Ismajli: Gjithsesi.

KALLXO.com: A keni me i hapë dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Naim Ismajli: Po.