Kandidati i LDK-së pro heqjes së taksës me Serbinë

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gëzim Kokollari në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se është për heqjen e tarifës me Serbinë ndërsa është shprehur kundër për shkëmbimin e territoreve me të njëjtin vend.

Gjithashtu Kokollari për KALLXO.com ka thënë se taksat të cilat do të duhej të rriteshin do të duhej të ishin taksat për duhan dhe alkool ndërsa të ulen ato që janë në favor të produkteve ushqimore.

Tutje, ai në intervistën e KALLXO.com, tregon se kauza të cilën do ta shtyej përpara nëse bëhet deputet do të jetë nisja e procesit të vetingut për të cilin thotë se do të mundohet të marrë edhe mbështjetjen e deputetëve pasi që sipas tij sistemi i drejtësisë është pengesë për zhvillimin e ekonomisë.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Gëzim Kokollarin:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Gëzim Kokollari: Mendoj që parakusht për të zhvilluar të gjithë sektorët, është një sistem i drejtësisë i pavarur. Prandaj do të provoj që të motivoj edhe kolegët e tjerë që të hyjmë në fazën e vetingut në sistemin e Drejtësisë. Pengesë e zhvillimit ekonomik është sistemi i drejtësisë.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Gëzim Kokollari:  Jo mendoj që përmes parlamentit në cilësinë e deputetit do të jap kontributin tim maksimal.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Gëzim Kokollari:  Taksat që duhet të rriten janë taksat për duhan, alkool ndërsa duhet të ketë një favor në produktet ushqimore.

KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Gëzim Kokollari:  Do të insistoj dhe do të shyjë vetingun në sistemin e drejtësisë dhe gjithsesi do të bëj përpjekje maksimale që sigurimet shëndetësore të aktivizohen në vitin e parë të mandatit të LDK-së.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Gëzim Kokollari: Mendoj që Ferizaj problemin e parë e ka mungesën e përfaqësimit në institucione dhe sidomos qytetarët ballafaqohen me ndarjen e qytetit përmes hekurudhës do të bëjmë përpjekje që hekurudha të futet nëntokë. Ndarja fizike e Ferizajt po pengon edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve por edhe zhvillimin ekonomik. Ferizaj ka nevojë edhe për lirimin e hapësirave publike, krijimin e kushteve të një infrastrukure që është në favor të bizneseve, krijimi i hapësirave të gjelbëra.  

KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Gëzim Kokollari:  Asnjëherë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Gëzim Kokollari:  Ndoshta.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Gëzim Kokollari:  Po mendoj që fokusi kryesor do të jetë qytetari, ndaj personat me aftësi të kufizuara.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Gëzim Kokollari:  Mendoj që duke filluar prej vetëdijësimit, mobilizimit të kompanive publike që merren me pastrimin, kijimin e një instrumenti për reciklimin e mbeturinave, dhe kjo besoj që do të ndikoj në krijimin e një ajri më të pastër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Gëzim Kokollari:  Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Gëzim Kokollari: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Gëzim Kokollari: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Gëzim Kokollari:  Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Gëzim Kokollari:  Jam për ndërtimit por jo me koston e qeverisjes së Haradinajt.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Gëzim Kokollari:  Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Gëzim Kokollari: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Gëzim Kokollari: Duhet të ketë më shumë hidrocentrale Kosova.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Gëzim Kokollari:  Për mbylljen e cdo institucioni publik arsimor për shkak se po krijojnë kuadra të dobët dhe me numër kaq të madh të universiteteve publike që janë bërë sa për fushata zgjedhore.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Gëzim Kokollari:  Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Gëzim Kokollari: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Gëzim Kokollari:  Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Gëzim Kokollari: Mendoj që sdo të duhet të ketë kuotë. Kundër.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Gëzim Kokollari:  Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?

Gëzim Kokollari:  Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Gëzim Kokollari:   Nuk kemi shpenzime shumë për fushatë, kryesisht LDK.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Gëzim Kokollari: Për momentin jam asamblist në Ferizaj, jam përfaqësues aty,kam një mini- biznes timin.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Gëzim Kokollari: Rreth 1 mijë euro.

KALLXO.com: A e keni pasurine e perbashket me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Gëzim Kokollari:  Kam pasuri me vëllezërit.

KALLXO.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Gëzim Kokollari:  Gjithmonë në spital publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të beheni deputet nëse sëmureni?

Gëzim Kokollari:  Spitale publike.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Gëzim Kokollari:  Tash po e pres një fëmijë.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Gëzim Kokollari: Në institucione publike nuk kam asnjë familjarë të punësuar, ne do të jemi zëri i qytetarëve të papunë jo i familjarëve të papunë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Gëzim Kokollari: gjithsesi mendoj që mbi 50 të aksioneve duhet t’i ketë shteti.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Gëzim Kokollari:  Nuk do ta kushtëzoj vitën, por do të punoj që projekti i hekurudhës në ferizaj të implementohet sa më shpejtë.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Gëzim Kokollari:  Mendoj që me vetingun që do ta inicojmë në parlament, është alfa dhe omega e zhvillimit të shtetit.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Gëzim Kokollari:  Varësisht prej projekteve, skam numër.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Gëzim Kokollari:  Mendoj se në vazhdimësi jemi me qytetarë, minimalisht cdo tre muaj të takohemi, 4-5 herë gjatë vitit.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Gëzim Kokollari:  Mendoj se më të vjetra se dhjetë vite janë të dëmshme.

KALLXO.com: Sa degjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Gëzim Kokollari:  Mendoj që do të duhet të inicojmë, në rast se kemi projekte të caktuara dhe nuk kisha thanë me numër sepse nuk dihet saktë si do të zhvillohet puna në grupe.

KALLXO.com:  A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Gëzim Kokollari:  Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Gëzim Kokollari:  Gjithsesi.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Gëzim Kokollari:  Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Gëzim Kokollari:  Mbi 2 zëvendës ministra janë të tepërt.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Gëzim Kokollari:  Jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Gëzim Kokollari:  Gjithsesi.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Gëzim Kokollari:  Patjetër.