Burim Ramadani kundër vendimeve të Pal Lekajt dhe pro shitjes së telekomit

Kandidati për deputet nga AAK, Burim Ramadani është shprehur për shitjen e Telekomit të Kosovës ndërsa është kundër monopolit në homologim të vazhduar nga Pal Lekaj

Në një intervistë për KALLXO.com, Ramadani është shprehur edhe për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr por edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Zëvendës ministri në detyrë ka thënë se çdo ministri duhet t’i ketë dy zëvendësministra, ndonëse Qeveria në të cilën është ende pjesë, kishte numër më të madh.

Ai ka thënë se i mbështet martesat në mes të gjinisë së njëjtë ndërsa tha se është kundër bartjes së shamive në shkolla nga nxënësit.

Tutje, anëtari i AAK-së tha se nuk e ka pasurinë të regjistruar në emër të përbashkët me gruan por premtoi se do ta bëj një gjë të tillë.

 

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-së, Burim Ramadani:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Burim Ramadani: Kryesisht temat e sigurisë, sigurisë kombëtare edhe politikat e mbrojtjes, politikat e sigurisë. Kauza e parë do të jetë miratimi i Strategjisë Kombëtar për Siguri të cilën e ka miratuar Qeveria dhe Këshilli i Sigurisë, por që nuk ka arritur të miratohet në Parlament. Normalisht, rritja e buxhetit për institucionet e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Kauza e dytë do të jetë pastërtia e institucioneve të sigurisë, e kam fjalën për verifikimin e sigurisë për pozitat udhëheqëse.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Burim Ramadani: Synimi im është që të jem në Kuvendin e Kosovës, të përfaqësoi dhe të jap kontributin për temat që i fola, synimi im është të mbetëm në Kuvend.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Burim Ramadani: Dorën në zemër taksat në Kosovë janë më të ulëta sesa në vendet e rajonit unë nuk do të doja që qytetarët e Kosovës t’i ngarkojmë edhe më shumë me taksa .

KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Burim Ramadani: Nuk është specifike, e para fushe ose politikë është strategjia e sigurisë kombëtare, amendamentet respektivisht nevojat për ligje që kanë të bëjnë me qendrën fuzionuese që kanë të bëjnë me standardizimin e sigurisë kibernetike.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Burim Ramadani: Definitivisht komuna e Suharekës i ka tri çështje themelore, nevoja për punësim, nevojat për investime të mëdha dhe projektet në ujin e pijshëm respektivisht projekti në liqenin akumulues të Dragaqinës.

KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Burim Ramadani: Besoj që qëndrueshmëria e individit në politikë është jashtëzakonisht e rëndësishme, unë nuk shoh asnjë lloj mundësie që të ndërroj parti.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Burim Ramadani: Unë kam qenë një mandat deputet dhe në situatat kur shkon kundër bindeve të mija, besoj që do të votoj edhe kundër, por jam prej njerëzve që tentoj të ndërtoj konsensus.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Burim Ramadani: Unë besoj që në Kosovë ka kategori të caktuara të diskriminuara, dhe si të tilla sidomos aspekti i kategorisë së fëmijëve, sigurisë në shkolla në trafik, kjo do të jetë ajo ku do të angazhohem. Përkrahjen do ta ketë edhe komuniteti LGBTI, sepse besoj që ka shumë paragjykim.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Burim Ramadani: Unë besoj që pjesa e parë  është iniciativa komunitete të cilat mund të ndikojnë në përmirësimin e ambientit të jetesës në kuptimin edhe të mjedisit ndërkaq pjesët tjera do të shohim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Burim Ramadani: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Burim Ramadani: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Burim Ramadani: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Burim Ramadani: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Burim Ramadani: Për, shumë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Burim Ramadani: Shumë kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Burim Ramadani: Shumë kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Burim Ramadani: Vetëm në rastet kur e lejojnë rregullat dhe ambienti është në rregull.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Burim Ramadani: Nëse procesi është i rregullt, jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Burim Ramadani: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Burim Ramadani: I mbështes.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Burim Ramadani: Kundër, për nxënësit, për profesoreshat bën.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Burim Ramadani: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Burim Ramadani: Në një proces të rregullt, po.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Burim Ramadani: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Burim Ramadani: Nuk kam naj shpenzim, vetë.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Burim Ramadani: Jam edhe ligjërues në një kolegj dhe në Qeveri.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Burim Ramadani: Janë dikund 2 mijë euro, një banesë në Prishtinë dhe pasura e prindërve, e banës dhe nënës në Suharekë.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Burim Ramadani: Banesën nuk e kemi të përbashkët edhe po, do ta regjistrojmë.

KALLXO.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Burim Ramadani: Nuk kam shkuar në spital tepër gjatë kohë, po zakonisht kontrollohem në QKMF këtu në Dardani.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Burim Ramadani: Ku të është e nevojshme.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Burim Ramadani: Vajza në publike djali është në publike, parashkollor.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Burim Ramadani: Shpresoj që gjithë qytetarët e Kosovës do të punësohen, nëse flasim për familjaret e ngushtë, përpos babës që është në pension të tjerët janë në punë shumë para meje.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Burim Ramadani: Mendoj që duhet të mbetet nën Qeveri.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Burim Ramadani: Ndoshta me liqenin e Dragaqinës, kushtëzimi nuk është forma ime e punës.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Burim Ramadani:  Me fushën e sigurisë kombëtare.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Burim Ramadani: Varësisht prej nevojës..

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Burim Ramadani: Nuk mundem me i numëru.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Burim Ramadani: mendoj që 10 vjetëshi është normal.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Burim Ramadani: Shpresoj që të jem në komisionin e sigurisë dhe sipas nevojës.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Burim Ramadani: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Burim Ramadani: Nuk e di.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Burim Ramadani:  Po.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Burim Ramadani: Dy janë të mjaftueshëm.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Burim Ramadani: Mendoj që nuk duhet të jenë paketë, pako emrat.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Burim Ramadani: Me rolin tim në parti, po, por nuk jam vendimmarrës.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Burim Ramadani: Faturat në ministrinë e Mbrojtjes janë totalisht të hapura, nuk e shoh asnjë lloj problemi atë.