Arsim Canolli: Seminari i Antropologjisë, platformë dialogu e diskutimi akademik

Në tetor të vitit 2018, me nismën e disa profesorëve të Degës së Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së, nisi punën Seminari i Antropologjisë, i cili të enjten e fundit të çdo muaji sjell një ligjëratë nga shkenca antropologjike prezantuar nga studiues të huaj dhe shqiptarë.

Organizimi i këtij seminari ka për qëllim avancimin dhe zhvillimin e shkencës së antropologjisë, duke mundësuar komunikimin e diskutimin e ideve të reja, zhvillimin e  aftësive të reja dhe mendimin e lirë e kritik në fushën e antropologjisë.

Arsim Canolli, profesor i antropologjisë në Departamentin e Antropologjisë, Fakulteti Filozofik të UP-së, njëri prej ideatorëve të këtij seminari, flet në këtë intervistë për KALLXO.com për idenë rreth organizimit të Seminarit të Antropologjisë, punë e bërë deri më tani, pritjet dhe rëndësinë e këtij aktiviteti.

Kallxo.com: Në tetor të 2018, nisi punën Seminari i Antropologjisë, i organizuar në kuadër të Degës së Antropologjisë së FF të UP-së.  Si erdhi ideja për organizimin e këtij seminari?

Arsim Canolli: Kjo erdhi si ide duke diskutuar me kolegun tim, Arben Hajdari, profesor  i arkeologjisë në Departamentin e Antropologjisë. Me kolegët e Departamentit kishim organizuar ligjërata mysafire edhe më parë, por jo në formë të tillë të organizuar dhe sistematike. Prandaj, duke dashur që të ofrojmë mundësi për studentët e kolegët, që të njihen me konversacionet e reja në fushën e antropologjisë, por edhe në shkencat tjera shoqërore e dijeve humane, vendosëm që të planifikojmë dhe të organizojmë këtë Seminar dhe të ofrojmë një platformë dialogu e diskutimi akademik.

Mungesa e buxhetit

 Kallxo.com: Si është organizuar ky aktivitet, pasi së paku një herë në muaj mbahet një ligjëratë në kuadër të këtij seminari?

Arsim Canolli: Ne nuk kemi buxhet që të organizojmë këtë seminar. Pra, duhet theksuar se organizohet pa buxhet gjatë këtij viti. Kemi ftuar kolegë nga shtete të ndryshme si Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Franca, të cilët kanë ardhur dhe do të vijnë në ligjëratat e ardhshme pa pagesë. Kështu që të gjithë kanë pranuar që të vijnë pa pagesë dhe vetëm në ndonjë rast me kompenzim të rrugës apo bujtinës. Dhe për këtë i falënderojmë të gjithë, sepse pa vullnetin e tyre nuk do të ishte e mundshme.

Ne kemi organizuar 9 ligjërata për vitin akademik 2018/2019, që do të thotë se në secilin muaj të vitit akademik do të kemi nga një ligjëratë, që mbahet të enjten e fundit të muajit. Deri tani kemi mbajtur 4 ligjërata, ndërsa në semestrin e ardhshëm do të kemi edhe 5 ligjërata. Shumica e ligjëruesve janë të jashtëm, pra jo të UP-së, por ka edhe ligjërues të brendshëm.

Kallxo.com: Si caktohen ligjërata që mbahen në kuadër të këtij seminari dhe autorët që ligjërojnë?

Arsim Canolli: Ligjëratat janë caktuar pas një planifikimi që kemi bërë, duke ftuar kolegët që kanë pranuar. Kemi dashur të kemi ligjërues të fushës së antropologjisë kulturore dhe arkeologjisë, por edhe të fushave si shkencat politike, historia, etj., që komunikojnë me tema të përafërta me studimet antropologjike. Si thashë edhe më lart, kemi ftuar profesorë e studiues të jashtëm, por për arsye të buxhetit, nuk kemi arritur të sigurojmë që të gjithë ligjëruesit mysafirë të vijnë nga vendet tjera, andaj kemi ftuar edhe disa profesorë të brendshëm të cilët kanë pasur projekte hulumtuese apo botime për të prezantuar. Pra, ideja është që të ofrohen ligjërata e diskutime të cilat janë të bazuara në hulumtime të reja. Kjo për të sjellë një freski dialogu pluralist në Departamentin e Antropologjisë dhe për të ofruar pamje të studimeve të reja në fushën e antropologjisë.

Arkivi i Departamentit

Kallxo.com: Çfarë ndodhë me ligjërata pas prezantimit në kuadër të këtij seminari?

Arsim Canolli: Ligjëruesit japin kumtimet apo ligjëratat e tyre para auditorit tonë, që përbëhet kryesisht prej studentëve dhe kolegëve të Fakultetit Filozofik, por shpesh edhe vizitorëve të jashtëm. Ne mirëpresim të gjithë ata që janë të interesuar. S’është e thënë të jenë vetëm studentë tanë apo kolegë të universitetit. Ligjëratat janë të hapura për të gjithë, ato janë publike. Pastaj, pas ligjëratave kemi diskutime të gjata. Ne duam të krijojmë komunikim të shëndoshë për studiuesit e fushës, studentët, sepse komuniteti antropologjik është i vogël.

Ligjëratat nuk incizohen, sikurse është zakon. Kjo për faktin se duam të sjellim ligjëruesit pranë studentëve, të komunikojnë me ta, të bëjnë pyetje, të mësojnë se si diskutohet në këto lloj aktivitetesh akademike dhe të mësohen me ambientin e ri akademik. Do të mendojmë për vitet e ardhshme, kur do të kemi më shumë përvojë e mundësi, që ndoshta të incizojmë ligjëratat për Arkivin e Fotografisë dhe Videos, të cilin e kemi krijuar brenda Departamentit. Por, ky është viti i parë dhe do ta shohim se si do të shkojë dhe para se të planifikojmë për vitin e ardhshëm, do të analizojmë dhe do të vendosim për mënyrat e incizimit e ruajtjes së ligjëratave.

Po ashtu, duam që ligjëruesit e huaj, nga vendet e ndryshme, ta vizitojnë Kosovë, të njihen sadopak me kulturën e saj. Përmes tyre ne duam që të vendosim kontaktet me institute e departament të vendeve tjera që të shohim edhe potencialin e bashkëpunimit. Për shembull, si rezultat i diskutimit me profesor Goddard, që erdhi të ligjëronte nga Franca, kemi nisur të punojmë në një propozim të përbashkët për studimet Master në arkeologji ne një institut prestigjioz francez.

Kallxo.com: Çfarë prisni të sjellë ky seminar?

Arsim Canolli: Seminari i Antropologjisë është në vitin e tij themelues. Këtë vit presim ta përmbyllim me sukses ciklin e ligjëratave. Kemi filluar të mendojmë e planifikojmë për vitin e ardhshëm. Duam që në bashkëpunim me partnerë të jashtëm me të cilët kemi marrëveshje, “Seminari i Antropologjisë” të ofrojë edhe tryeza, punëtori e konferenca, sa akademike aq edhe profesionale. Kjo për faktin se ne kemi dy degë brenda programit të antropologjisë: antropologji në kulturore dhe arkeologjinë, të dyja këto degë të cilat janë edhe fusha të studimeve empirike ku kryhen punët e rreni si gërmimet, vrojtimet, restaurimet, konservimet, filmimit, anketat, etj. Prandaj, prej vitit të ardhshëm do të organizojmë edhe punëtori praktike në një nga sallat tona, të cilën do ta bëjmë edhe Muze të Fakultetit, edhe qendër të praktikës për studentë.

Shpresojmë që në të ardhmen do të kemi përkrahje nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, dhe do të synojmë të bashkëpunojmë edhe me partnerë tjerë që të kemi edhe projekte të buxhetuara si duhet.

Ne duam që “Seminari i Antropologjisë” të jetë hapësirë kryesore e zhvillimit të mendimit e konverzacionit antropologjik, duke mundësuar komunikimin e diskutimin e ideve të reja, zhvillimin e  aftësive të reja dhe mendimin e lirë e kritik në fushën e antropologjisë.