Foto: REL

Ri-akreditohen për 5 vite tri programe të Fakultetit Filozofik të UP-së

Këshilli Shtetëror i Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në mbledhjen e 5 prillit kishte marrë vendim që t’i ri-akreditojë disa programe studimore të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me periudhë 5-vjeçare.

Programet e ri-akredituara janë: Histori, niveli Bachelor me 100 studentë për vit akademik si dhe Master Histori – Koha e re, me 45 studentë për vit akademik. Në këtë mbledhje po ashtu u riakreditua edhe programi Bachelor – Filozofi me 100 studentë për vit akademik në po të njëjtin fakultet.

Periudha e akreditimit është nga 1 tetori 2022 deri më 30 shtator 2027.

KALLXO.com ka monitoruar këtë mbledhje dhe ekspertët ndërkombëtarë kishin rekomanduar që për programin Histori t’u lejohen 100 studentë për vit akademik, dhe jo 120 siç kishte kërkuar UP .

Kurse, për programin Master – Histori Koha e re, UP kishte kërkuar 50 studentë për vit akademik, ndërsa ekspertët kishin rekomanduar që t’u lejohen 45 studentë për regjistrim për vitin akademik.

Pas kësaj, profesori i këtij fakulteti, Bujar Dugolli përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se sot kanë marrë vendimin nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për këto vendime.

“Kjo arritje është sukses i përbashkët i stafit akademik dhe studentëve, dhe tregon për vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e programeve studimore që i ofron Departamenti i Historisë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ekspertët ndërkombëtarë i kanë vlerësuar lartë Raportet e vetëvlerësimit.

“Ndërsa jemi të vetëdijshëm se kjo arritje do të krijojë mundësi për avancimin e mëtejmë të programeve tona studimore, duke i bërë ato më komplementare me kërkesat bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies”, shtoi Dugolli më tej.

KALLXO.com do të vazhdojë t’i publikojë edhe për programet e tjera të akredituara nga KShC në momentin që institucionet e arsimit të lartë marrin vendimet nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.