Problemet e qeverisjes së re në qytetin e vjetër

Për vite me radhë pushtetet në komunën e Vushtrrisë nuk kanë arritur t’i japin zgjidhje një grumbulli kabllosh të cilat duken si rrjet marimangash mbi shëtitoren afër kalasë së qytetit të vjetër.

Problemet e qytetit të vjetër, të pazgjidhura në qeverisjen 12-vjeçare të PDK-së, vazhdojnë të jenë sfidë për qeverisjen e Xhafer Tahirit të LDK-së.

Kryetari që mesatarisht harxhon nga 6.8 litra naftë në ditë për makinën e tij nuk e mbajti premtimin për derën e hapur të Komunës ndërsa qeverisja e tij u godit pas arrestimit të vëllait të tij në një aferë të dyshuar të korrupsionit. 

Kryetari erdhi në pushtet me premtimin se dera e Komunës do jetë e hapur  madje për një kohë zyra e kryetarit ishte fizikisht pa derë por me kohën dhe ndërrimin e zyrës një derë është vendosur para hyrjes së kryetarit Tahiri. 

Përpos derës Tahiri u premtoi vushtrriasve se do u siguronte ujë të pijshëm. Madje, ai do të mbahet mend për premtimin e famshëm që brenda 12 muajve Vushtrria do ketë 24 orë ujë. 

“Brenda 12 muajve përfundimisht Vushtrria dhe fshatrat përreth do të kenë ujë 24 orë si në ato vend e ku është i pamundur të shtrihet rrjeti i ujësjellsit ne do të kontraktojmë hapjen e puseve për ujë me të cilët do t’i furnizojmë banorët”, kishte thënë ai në Debat Pernime para marrjes së mandatit.

Të dhënat nga terreni tregojnë se qytetarët e Vushtrrisë, edhe pas dy viteve mandat të Tahirit, vazhdojnë të mos kenë ujë të pijshëm për 24 orë.

Puna për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e Vushtrrisë të cilët nuk kanë ujë të pijshëm ka filluar dhe sipas Komunës së Vushtrrisë pritet që të përfundojnë në fund të këtij viti.

Qyteti nuk ka ujë 24 orë ndërsa rrjeti i ujësjellësit është i shtrirë në 35% të fshatrave të komunës.

Deponitë e mbeturinave, nga fillimi e në fund të qytetit

Rreth 6 kilometra larg Vushtrrisë , fshati Pestovë tash e disa vite përballet me problemin e deponisë së mbeturinave.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar këtë deponi të mbeturnave ku përveç kundërmimit ajo është bërë shtëpi e qenve endacakë, e po ashtu ndër ndotësit më të mëdhënj të lumit Sitnica.

Deponia në fshatin Pestovë- 10 qershor 2020

Deponia në fshatin Pestovë- 10 qershor 2020

Edhe në rrugën “Hamdi Gashi”, që gjendet jo larg qendrës së qytetit, është formuar një deponi e mbeturinave.

Deponia në rrugën “Hamdi Gashi”

Përveç pamjes së shëmtuar, kjo deponi u sjell edhe shumë probleme të tjera banorëve për shkak të kundërmimit, dhe e njëjta ndodhet edhe afër lumit Sitnica duke kontribuar në ndotjen e tij.

Komuna e Vushtrrisë pastrohet në tërë territorin e saj nga ndërmarrja publike “Uniteti”, kompani kjo që pastron edhe komunat përreth Vushtrrisë, përkatësisht në rajonin e Mitrovicës.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, në emisionin Debat Pernime , kishte premtuar se do të largojë monoplin e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” në Vushtrri.

“Menaxhimi i mbeturinave me partneritet publiko-privat, do të heqim monopolin e Kompanisë Regjionale ‘Uniteti’  dhe ky menaxhim do të bëhet edhe në qytet edhe në fshatra”, kishte thënë Xhaferi më 9 tetor të vitit 2017

Ndonëse Tahiri është në vitin e tretë të qeverisjes, Kompania “Uniteti”  vazhdon  të jetë e vetmja e cila mbledh mbeturinat në komunën  e Vushtrrisë.

Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com tani tha se nuk e shohin të nevojshme angazhimin e një kompanie tjetër.

“Vlerësimi ynë tani për tani është që nuk ka nevojë për kompani tjera. Sivjet kemi porositur 2 kamionë që do të përmirësojnë edhe më shumë cilësinë e shërbimeve të “Unitet”-itnjësia në Vushtrri”, ka thënë Tahiri.

Sipas të dhënave nga Komuna, kjo Kompani kryen shërbime në 65 fshatra të Vushtrrisë.

“Nga marrja e detyrës në dhjetor 2017, ku kishte vetëm 40% e territorit të Vushtrrisë mbulueshmëri me shërbim të mbledhjes së mbeturinave, për 6 muaj ne e kemi shtrirë shërbimin në tërë territorin e Komunës, pra në 65 fshatra të Vushtrrisë.  Kemi shpërndarë mbi 8,500 kontejnerë familjarë 1.1 metër kub për secilën familje në Vushtrri dhe kemi ndërruar të gjithë kontejnerët në qytet”, tha ai.

Sfidat e arsimit në Vushtrri

65 mijë banorët e komunës së Vushtrrisë kanë vetëm një çerdhe publike e cila zë jo më shumë se 140 fëmijë.

I pari i Vushtrrisë në Debat Pernime kishte premtuar ndërtimin e dy çerdheve të reja.

“Banorët e zonës tek shkolla “Mustafë Venhari” kanë nevojë për një palestër dhe çerdhe, do ta ndërtojmë … Do të kemi dy çerdhe brenda mandatit”, kishte thënë ai.

 Tahiri në dy vitet e para të mandatit të tij ka realizuar gjysmën e premtimit të tij duke ndërtuar njërën nga çerdhet e premtuara.

Kjo çerdhe është ndërtuar në afërsi të shkollës “Mustafë Venahari”, por që e njëejta nuk është ende funksionale.


Çerdhet nuk janë problemi i vetëm në fushën e arsimit në Vushtrri.

Nga 52 shkolla të komunës së Vushtrrisë, 16 nga to nuk kanë asnjë dalje emergjente, ndërsa 38 nuk kanë as laboratore.

Sipas Komunës së Vushtrrisë, shkollat e Vushtrrisë i kanë pajisjet përkatëse por vetëm kanë mungesë të hapësirës.

“Në komunën e Vushtrrisë, 14 shkolla kanë laboratore të pajisur kurse të gjitha shkollat tjera posedojnë mjete konkretizimi, por që nuk posedojnë hapësira për të pasur laboratorë të veçuar“, kanë thënë ata.

Gjatë mandatit të Tahirit, 1 mijë e 100 nxënës të shkollave profesionale në Vushtrri janë pajijsur me sigurim shëndetësor.

Të paktën, kështu ishte bërë e ditur përmes një njofitmi të Tahirit në Facebook, ku kishte njoftuar se Vushtrria është komuna e parë e cila ka bërë sigurimin shëndetësor për nxënës.

Për dallim nga qeverisja e kaluar, në fushën e arsimit me qeverisjen e Tahiri ka pasur ndyshim për të mirë edhe në bursat të cilat ndahen për studentët e kësaj komune.

Për dallim nga viti i kaluar kur për studentët e komunës së Vushtrrisë janë ndarë 32 bursa, këtë vit do të ndahen 55 bursa.

Qyteti pa stacion të autobusëve

Qytetarët e Vushtrrisë të cilët për mjet transporti në qytetet e tjera shfrytëzojnë autobusët, ende nuk kanë një vend i cili është i destinuar për pritjen e tyre.

Në Debat Përnime, në kohën e ballotazhit, Tahiri kishte premtuar zgjidhje edhe për ndërtimin e një stacioni  të autobusëve në Vushtrri, por drejt këtij premtimi ende nuk është bërë asnjë hap, edhe pse kanë kaluar dy vite që kur Tahiri është në krye të qeverisjes.

“Stacioni i autobusëve – brenda mandatit tim do ta adresojmë”, kishte premtuar Tahiri.

Ky premtim nuk ka filluar që të realizohet ende, ndërsa në një përgjigje për KALLXO.com në fund të vitit 2019, Tahiri ka bërë të ditura arsyet e mosrealizimit të këtij premtimi.

“Qeveria që shkoi përkundër premtimeve nuk na ka kthyer pronën e ish-motel Vicianum, për ndërtimin e stacionit të autobusëve. Besoj që deri në fund të mandatit fillojmë me ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti”, kishte thënë Tahiri.

I pari i Vushtrrisë ka thënë se gjatë vitit 2019 janë ndarë 20 mijë euro për studimin e fizibilitetit të pronës së ish- motel Vicianum, në të cilën planfikohet të ndërtohet stacioni.

Prona e ish-stacionit të ri të autobusëve në Vushtrri, në vitin 2017 u shndërrua në një kompleks banesor.

Bajram Mulaku, në atë kohë kryetar i Komunës, nuk kishte qenë në dijeni për këtë deri kur kishin nisur punimet e banesave.

“Sheshi i kabllove”

Me të hyrë në pjesën e sheshit “Adem Jashari” në Vushtrri ato që menjëherë bien në sy  përkundër rindërtimit të sheshit, janë kabllot e shumta që ndodhen aty.

Që nga ndërtimi i ketij sheshi në të cilin u investuan 1.5 milionë euro, këto kabllo sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin në gjendjen e njëjtë.

Për rregullimin e këtij problemi, kryetari Xhafer Tahiri kishte premtuar se do të largojnë kabllot nga sheshi.

kabllot ne qytetin e vushtrrisë
Kabllot në qytetin e Vushtrrisë

Kabllot në sheshin “Adem Jashari”

“Po, dhe duhet të japin përgjegjësi ata që e kanë projektuar sheshin keq dhe nuk i kanë futur kabllot poshtë në shesh”, kishte premtuar Tahiri.

Më 20 qershor 2018, Tahiri përmes një postimi në Facebook’ kishte njoftuar se kanë bërë marrëveshje me KEDS-in që të investojë në largimin e kabllove.

“Sot me drejtuesit e KEDS u morëm vesh që KEDS do të investojë mbi 200,000.00€ në projektin për largimin e kabllove nga sheshi i qytetit. Punët do të fillojnë në tetor të këtij viti”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Njoftimi u bë mirëpo Tahiri asnjëherë nuk njoftoi se dikush dha përgjegjësi për sheshin e ndërtuar në këtë formë.

22 prill të këtij viti, Komuna e Vushtrrisë kishte nënshkruar marrëveshjen për Grantin e Performancës, për performancë të lartë në vlerë prej 335 mijë euro.

Një pjesë e këtij buxheti ishte paraparë që të ndahet për largimin e kabllove në shesh, por kjo ende nuk ka ndodhur.

“Këto  mjete do të përdoren për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve, të harmonizuara me kërkesat e qytetarëve e duke larguar përfundimisht shëmtinë e kabllove në Sheshin “Adem Jashari”, kishte thënë Tahiri.

Më 29 korrik të këtij viti, Tahiri përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se punimet për largimin e kabllove në sheshin “Adem Jashari” ka filluar, duke mbajtur premtimin e tij për largimin e kabllove në shesh.

Filloi largimi i kabllove mbi Sheshin “Adem Jashari”. Do të ketë ndriqim të ri, do të ketë ulëse të reja, do të largohen betonat e ngritur dhe do të ketë gjelbrim më shumë. Një shëmti që ka përbërë edhe rrezik për qytetarët e bizneset në shesh, tashmë deri në fund të vitit do te merr fund”, ka shkruar Tahiri në postimin e tij.

KALLXO.com ka kontaktuar me Tahirin, i cili ka bërë të ditur se punimet për rregullimin e kabllove në sheshin e Vushtrrisë pritet që të përfundojnë në muajin nëntor të këtij viti.

“Punimet kanë filluar në fund të korrikut dhe pritet që të përfundojnë deri në muajin nëntor të këtij viti”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Komuna e Vushtrrisë po ashtu ka publikuar kontratën e nënshkruar me kompaninë “Decon”, me seli në Graçanicë, “Elektro”, me seli në Vushtrri dhe “Dar Ing”, me seli në Viti, për largimin e kabllove nga sheshi.

Vlera e kësaj kontrate në total është 366 mijë e 79 euro e 65 centë.

Në kontratë thuhet se mjetet financiare për rregullimin e shtetit janë siguruar nga MAPL një shumë pre 335 mijë e 15 euro, ndërsa 31 mijë e 64 euro e 65 centë janë ndarë nga buxheti i Komunës.

Premtimin për largimin e kabllove në shesh Tahiri ka filluar ta realizojë, ndërsa premtimi për ndërtimin e sheshit “Ahmeti Krasniqi” në Vushtrri është realizuar tërësisht.

Xhafer Tahiri kishte premtuar se do t’i ndërtojë dy sheshe dhe dy vite pas fillimit të mandatit, sheshi “Hasan Prishtina” është i ndërtuar në lokacionin e ish-komunës së vjetër, ndërsa sheshi “Ahmet Krasniqi” është rregulluar në afërsi të hamamit të qytetit.

Sheshi “Hasan Prishtina” 

Në temën e punësimeve Komuna e qeverisur nga Xhafer Tahiru u kritikua për kontrata mbi vepër.

KALLXO.com ka gjetur se  në konkurset me kontrata mbi veper tash e dy vite, Komuna e Vushtrrise punëson personat e njëjtë por vetëm u vazhdon kontratat.

Një gjetje e tillë është evidentuar edhe në Raportin e Auditorit nga Zyra Kombëtare e Auditimit publikuar këtë vit.

Komuna me vetëm një grua në krye të drejtorive

Ligji për Barazi Gjinore të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015, obligon që të ketë përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha institucionet përfshirë edhe ato vendimmarrëse.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në Debat Përnime kishte premtuar të paktën pesë gra në krye të drejtorive, por në fillim të mandatit të tij ishin emëruar vetëm dy drejtoresha nga gjithsej 12 drejtori sa ka kjo Komunë, duke mos mbajtur premtimin që kishte dhënë.

Në fillim të mandatit, Tahiri në krye të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport kishte emëruar Lumturie Mehmetin, por më pas e njëjta ishte lirur nga detyra, dhe pas saj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë pozitë është emëruar Fatmire Cecelia, ndërsa në krye të Drejtorisë për Prokurim ishte emëruar Saranda Cakaj.

Para pak muajve, drejtor në Drejtorinë e Prokurorimit është emëruar Amir Haradinaj, i cili më parë mbante pozitën e shefit të kabinetit të kryetarit.

Tani në Komunën e Vushtrrisë vetëm një drejtori udhëhiqet nga një grua.

Në bazë të të dhënave të Komunës së Vushtrrisë për përqindjen e grave në pozita udhëheqëse komuna ka bërë të ditur se në arsim, janë gjashtë gra drejtoresha të shkollave ose 16.6%, në shëndetësi në të gjitha pozitat udhëheqëse janë gra duke e përfshirë edhe drejtoreshën e QKMF-së, pra 100%, në Qendrën për Punë Sociale, janë tri pozita udhëheqëse në të cilat në krye të tyre janë tri gra, duke e përfshirë edhe drejtoreshën e Qendrës për Punë Sociale.

Shpenzimet për darka, karburant e telefon në Vushtrri

Mijëra euro nga buxheti i Komunës së Vushtrrisë janë shfrytëzuar  për darka, karburant e telefona të zyrtarëve të lartë.

Në bazë të të dhënave të Komunës së Vushtrrisë 46 mijë e 495 euro janë shpenzuar gjatë vitit 2019 për karburant të automejteve të Komunës, QKMF, Zjarrfikësve, Qendrës për Punë Sociale dhe Qendrës Rezidenciale dhe Arsimit.

Sipas të dhënave të Komunës, gjatë vitit 2019, për 16 veturat e Komunës, pa përfshirë shëndetësinë, arsimin dhe Zjarrfikësit, për 224 mijë e 623 kilometra janë shpenzuar 18 mijë e 295 litra karburant.

2 mijë e 466 litra jane shpenzuar vetëm nga vetura e kryetarit të Komunës vetëm për vitin 2019.

Shpenzime nga kjo Komunë janë bërë edhe për dreka e darka, për të cilat sipas statistikave të Komunës janë shpenzuar 25 mijë e 196 euro vetëm për vitin 2019, ndërsa në vitin 2018 janë shpenzuar  27 mijë e 874 e 54 euro. As për biseda telefonike të kryetarit, nënkryetarit e drejtorëve komunalë nuk janë bërë pak shpenzime.

Gjatë vitit 2019 Xhafer Tahiri ka shpenzuar në thirrje telefonike gjithsej 1 mijë e 207 euro e 10 centë.

Ndërsa 12 drejtorë komunalë së bashku kanë shpenzuar vetëm 5 mijë e 760 euro.

Siguria nga tërmetet, fatkeqësitë natyrore e aksidentet në Vushtrri

Drejtoria e Urbanizmit ka bërë obligative për investitorët që kërkojnë leje ndërtimore për objektet e kategorisë së dytë të dorëzojnë edhe elaboratin e shpimeve gjeomekanike për rezultatet e fortësisë së tokës.

Komuna e Vushtrrisë ka thënë për KALLXO.com se si rrjedhojë e kësaj, në elaboratin e shpimeve gjeomekanike prezantohen të gjitha rezultatet e tokës të cilat japin rezultate për sigurinë nga tërmetet, ndaj të cilave, inxhinierët e ndërtimtarisë-drejtimi konstruktiv, në bazë të rezultatit të marrë nga shpimet gjeomekanike, EuroCodit dhe ligjeve tjera në fuqi, marrin parasysh tërmetet dhe e rrisin sigurinë ndaj tyre duke kalkuluar armimin deri në 9 shkallë të Rihterit.

Për sigurinë në Vushtrri, Komuna ka bërë të ditur se  ka plan të reagimit të shpejtë në rast të katastrofave natyrore.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se ka planin për reagim emergjent dhe testimi i këtij plani është bërë më 8 korrik 2016 dhe 19 prill 2019.

“Me 8 korrik 2016 është mbajtur Ushtrimi Fushor ,,VEPRIMI I SHPEJTË 08“ në fabrikën LLAMKOS, ku pjesëmarrës ishin të gjitha institucionet komunale, FSK dhe KFOR-i.Me datë 19 prill 2019 është mbajtur Ushtrimi Fushor ,,REAGIMI I PËRBASHKËT 2019” në fshatin Maxhunaj dhe të involvuara ishin të gjitha institucionet që posedon Komuna e Vushtrrisë për situata emergjente”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë.

Nëpër pjesët më të ulëta të territorit të komunës së Vushtrrisë kalon lumi Sitnica dhe Llap si dhe disa lumenj nëpër fshatra të cilët me rastin e të reshurave të mëdha atmosferike dalin nga shtrati, vërshojnë dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme në objekte të banimit, në pronat bujqësore, infrastrukturë etj. 

Komuna e Vushtrrisë sa u përket fatkeqësive natyrore mund te rrezikohet edhe nga tërmetet, thatësia, kurse në vitet e fundit janë shumë prezente edhe erëra dhe stuhi të forta.

Në listën e Komunës së Vushtrrisë të lumenjve dhe përroskave të cilat duhet të trajtohen (të zgjerohen, prerja e shelgjeve, largimi i drurëve dhe mbeturinave, si dhe vendosja e urave dhe lëshesave ku është e nevojshme) janë riparimi i argjinaturave të lumit Silnica’ nga fshati  Dobërllukë deri në Prelluzhë aty ku është e dëmtuar, lumi Llap i cili është  pastruar në vitin 2018, pjesa e territorit të komunës së Vushtrrisë,  lumi Tërstena, i cili ndodhet në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, lumi Podrançe, projekt ky për të cilin për fazën e parë janë ndarë 268 mijë euro, lumi i Studimes, përroska e Sfaraçakut, Lumi i Kuq përgjatë fshatit Ceceli, Samadrexhë dhe Maxhunaj si dhe lumi në fshatin Novolan.

Siguria e plotë në komunën e Vushtrrisë nuk është as në pjesën e komunikacionit.

Në bazë të të dhënave të Policinë në këtë rajon, si lokacione të identifikuara ku numri i aksidenteve është më i shpeshtë dhe qarkullimi është më i shtuar janë në rrugën nacionale Mitrovicë- Prishtinë, saktësisht në udhëkryqin e rrugës për fshatin Pestovë në Vushtrri, ku sipas Policisë kjo rrugë lidh edhe rrugën për në Skenderaj, dhe ka shtim të lëvizjes së automjeteve në trafikun rrugor.

Në këtë lokacion sipas Policisë për shkak të ngarkesës së rrugës është që të bëhet zgjerimi i rrugës nacionale.

Lokacion tjetër është lokacioni përgjatë magjistrales Mitrovicë- Prishtinë, saktësisht në vendin ku janë duke u zhvilluar punimet për zgjerimin e rrugës.

Në këtë lokacion Policia ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të mbyllë disa hapësira që i kanë lënë për kyçje të automjeteve, ndriçimin e rrugës si dhe mbrojtësit e trotuareve për këmbësorë.

Restoranti brenda Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri

Në maj të vitit 2018 kishte filluar rrënimi i Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri, pas shumë vitesh polemika, akuza e kundërakuza ndërmjet opozitës dhe pushtetit lokal.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri në kohën sa ishte në opozitë, akuzonte PDK-në se po tenton të rrënojë Shtëpinë e Kulturës për të ndërtuar objekte banesore.

Por, pikërisht në kohën e qeverisjes së Xhafer Tahirit është rrënuar Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtinë”, në Vushtrri.

Tahiri nuk ka arritur që të mbajë premtimin e dhënë para qytetarëve të Vushtrrisë në zgjedhjet e fundit lokale se Shtëpia e Kulturës nuk do të rrënohet, pasi që i njëjti kishte premtuar se Shtëpinë e Kulturës do ta fusë nën mbrojtje të monumenteve.

Një pjesë e Shtëpisë së Kulturës është rrënuar dhe është rindërtuar, ndërsa pjesa tjetër është renovuar dhe është në përfundim të punimeve.

Shtëpia e Kulturës në Vushtrri

Për këtë renovim, Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet prej 1.2 milion euro.

Por për dallim të gjendjes së saj të mëparshme, tani kati më i lartë i kësaj Shtëpie të Kulturës pritet që të jetë restorant.

KALLXO.com më 10 qershor ka vizituar Shtëpinë e Kulturës në Vushtrri në të cilën kanë qenë duke u zhvillaar punime e të cilat kanë qenë në fazën e fundit.

Për restorantin i cili po planfikohet që të hapet, KALLXO.com ka kërkuar një sqarim nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Vushtrrisë, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Rrënimi i banesave pa leje në Vushtrri

Viteve të fundit, ndërtimi i objekteve banesore në Vushtrri ka marrë hov.

Për dallim nga vitet e mëparshme kur në Vushtrri numri i banesave nuk ka qenë shumë i madh, tani ky numër është rritur dukshëm.

Por, përveç ndërtimit, disa prej tyre janë rrënuar nga Komuna e Vushtrrisë për ndërtim pa leje.

Në regjistrin e ndërtimeve pa leje deri në vitin 2014 në Komunën e Vushtrrisë  janë të regjistruar 9,878 objekte pa leje të kërkuara për regjistrim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të publikuara në web-faqe të MMPH-së.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje në shtator të vitit 2018 dhe me hartimin dhe nxjerrjen e akteve tjera nënligjore nga MMPH-ja, të cilat kanë hyrë në fuqi më 8 korrik 2019, Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se nuk është kërkuar procedura për t’u regjistruar fillimisht në RNPL mirëpo është kërkuar të shkohet direkt në procedurë të aplikimit për legalizim të objektit pa leje.

Në bazë të statistikave, në Drejtorinë për Inspektime të Komunës së Vushtrrisë gjatë periudhës kohore 2019/2020 janë marrë gjithsejt  gjashtë vendime për rrënimin e objekteve pa leje ndërtimi, në vitin 2019 është marrë një vendim për rrënim dhe në vitin 2020 janë marrë pesë vendime për rrënim të objekteve pa leje.

Skandali i vëllait të Xhafer Tahirit për leje ndërtimore

Përkundër vendimeve për rrënime të objekteve pa leje ndërtimi, një skandal tjetër ka ndodhur gjatë vitit të kaluar në Komunën e Vushtrrisë, në të cilin ishte përfshirë vëllai i kryetarit të Komunës.

Më 7 tetor 2019, KALLXO.com kishte raportuar se vëllai i Xhafer Tahirit, Salih Tahiri, është arrestuar nga Policia.

Dyshimet për arrestimin e tij erdhën pas publikimit të një video nga një takim që pretendohej të jetë zhvilluar mes vëllait të Xhafer Tahirit, dhe një personi tjetër, gjatë të cilit, ky i fundit dyshohej se premton leje ndërtimore dhe merr ryshfet.

Pak ditë më pas, pas publikimit të kësaj video, Gjykata Themelore kishte caktuar një muaj paraburgim për vëllanë e Xhafer Tahirit, e më pas i kishte vazhduar paraburgimin edhe për një muaj.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).