Komuna e Vushtrrisë punësoi 34 persona me kontrata mbi vepër në vitin 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga Xhafer Tahiri ka punësuar 34 persona me kontrata mbi vepër në vitin 2019 ku 25 prej tyre ishtin të angazhuar që nga vitit 2018.

Auditori ka evidentuar që për të gjitha rastet fillimisht janë përdorur procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, përderisa 21 prej tyre iu kishte vazhduar kontrata deri në tri herë edhe për gjashtë muaj të tjerë me kërkesë nga drejtoritë përkatëse ku ishin të angazhuar.

Në raportin e auditimit për vitin 2019, thuhet se këto shërbime ishin kryesisht për pozita të rregullta.

“Arsyeja pse janë lidhur këto kontrata ishte mungesa e planifikimit buxhetor për këto pozita, dhe mundësia më e lehtë e angazhimit në ketë formë”, theksohet në raportin e Auditorit.

Në Ligjin për Shërbimin Civil përcaktohet se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” (MShV) për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Sipas ZKA-së, mbulimi i pozitave të rregullta me kontrata mbi vepër apo siç njihen ndryshe si marrëveshje për shërbime të veçanta, rrit rrezikun që punët të mos kryhen me cilësinë e duhur, duke marrë parasysh se angazhimi i stafit me kontrata afatshkurta mund të jetë më i pakët në krahasim me punëtorët e rregullt, rrjedhimisht mund të dëmtohet performanca e komunës.

Ndërsa sa i përket kontraktimit të shërbimeve të veçanta, respektivisht vazhdimi i MShV-ve pa procedura të reja, sipas Auditorit, kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë jo të duhur.

“Kryetari, duhet të siguroj se MSHV përdorën vetëm për punë specifike dhe kontratat nuk zgjasin më shumë se afati i paraparë ligjor. Po ashtu, duhet të ndërmerren veprime që nevojat për pozitat të rregullta të adresohen në Ministri të Financave gjatë planifikimit buxhetor dhe të sigurohet se buxhetohen dhe paguhen nga kategoria e pagave e mëditjeve”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për Xhafer Tahirin, kryetarin e Komunsë së Vushtrrisë.