Biznesi i seksit prapa masazheve të kryeqytetit

Ora ka kaluar mesnatën, por kjo është koha kur e përfundon orarin e punës Egzona*. Ajo bën punën e masazheres në njërin prej lokaleve të këtij lloji në Prishtinë.

Egzona, 24 vjeçare, nuk e kishte menduar në të kaluarën se ndonjëherë do të bënte këtë punë. Ajo pati krejtësisht plane tjera për të ardhmen.

Nga qyteti i Pejës erdhi në Prishtinë për të filluar studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arkitekturës. Por, pas një kohe të shkurtër i ndërpreu mësimet pasi filloi të punonte.

“Fillimisht kam punuar në një market në sektorin e enëve. Pas një problemi shëndetësor, e lash punën dhe tash që 9 muaj punoj si masazhere”, thotë ajo teksa kujton kohën kur kishte filluar të punonte për herë të parë pas ardhjes në kryeqytet. Nga kontakti me disa shoqe, e kishte kuptuar që puna e masazhareve në Prishtinë paguhet më mirë se një punë në një market, andaj edhe vendosi të fillojë punën.

E pranon që puna që bën aktualisht nuk është e lehtë, ndërsa rrëfen edhe momentet e sikletshme që pati në ditët e para të punës si masazhere në njërin prej lokaleve të tilla në kryeqytet.

“Ka pasë raste në fillim kur kam dal nga dhoma tu kajtë, nuk isha mësu me mu drejtu njerëzit me fjalë që mu drejtofshin, për shembull duke më pyet a ka naj sen më shumë se masazh”, thotë ajo.

“Në fillim më vijke marre me i prekë personat, me ua bë masazhen, po dikur u mësova…”

Egzona nuk i kishte treguar askujt se po punonte si masazhere, ndërsa kur mori pagën e parë, vendosi që t’i tregojë nënës së vet.

“Në familje e di veç nana që punoj si masazhere edhe sa herë që kthehem në mbrëmje, m’thotë ndrroje këtë punë”, tregon ajo teksa i vërehet dëshpërimi në fytyrë.

“Nuk e dinë as shoqëria as nuk kam qejf me ditë kërkush, diqysh m’vjen marre mi kallxu dikujt që punoj në sallon të masazhes”, rrëfen ajo.

Arsyeja pse Egzona heziton t’i tregojë ndokujt për punën që bën është se në disa prej këtyre lokaleve në Prishtinë ushtrohet veprimtari e kundërligjshme.

Puna e dyshimtë e masazhave çon në mbylljen e tyre

Në fund të vitit 2016 Policia e Kosovës pas një aksioni në Prishtinë pati mbyllur 30 lokale që ofronin masazhë. Aksioni kishte për qëllim luftimin dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, ndërsa në këto sallone masazhi Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në asistencë edhe të inspektorëve të ATK-së, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të punës hasen edhe në parregullsi të tjera.

Edhe pas dy viteve, qendrat e masazhit në komunën e Prishtinës mbesin problematike për veprimtarinë që ushtrojnë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga BIRN, numri i lokaleve të mbyllura që ofrojnë masazh në kryeqytet është 42, prej tyre 10 janë mbyllur për shkak të përfshirjes së tyre në vepra penale si trafikim me njerëz, mundësimit në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve për prostitucion. Ndërsa të tjerat, sipas forcave të rendit, janë mbyllur përkohësisht për shkak të parregullsive që janë gjetur gjatë inspektimeve.

Të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për parregullsi dhe për një numër arrestimesh, nën dyshimin e verës penale të trafikimit  me njerëz, mundësimit në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve për prostitucion.

“Numri i personave që janë arrestuar nën dyshimin për kryerje e veprës penale trafikim me njerëz është 4,  ndërsa për veprën penale të mundësimit në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve në prostitucion është 31 persona te dyshuar”, thotë Policia në një përgjigje.

Sipas PK-së, të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Republikës së Kosovës.

Ndërsa gjatë vitit 2019, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion për mbylljen e këtyre salloneve në kryeqytet. Për të treguar rezultatet e aksionit, PK bashkë Inspeksionin e Komunës dolën në një konferencë për media.

“Ne kemi ndërmarrë disa aksione, nëntë në vitin 2019 me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie. Operacioni i fundi është inspektimi i vendeve ku mund të ketë raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Kemi organizuar me inspektorët e Komunës së Prishtinës dhe Fushë Kosovës, me Ministrinë e Tregtisë, me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, rezultatet e këtij aksioni janë, inspektuar 48 lokale prej tyre 22 të mbyllura për shkak të parregullsive”, tha Riza Murati, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenieve Njerëzore në Policinë e Kosovës.

Sipas tij, shumica e personave të arrestuar nga këto aksione janë vajza/gra. Në disa raste sipas tij vajzat kanë qenë nën moshën 18 vjeçare.

“Gjithashtu në këto lokale kemi hasur edhe pesë persona të gjinisë femërore të cilat kanë qenë nën moshën 18 persona. Janë gjithsej 11 persona të arrestuar në tri raste të ndryshme. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 44 persona”, ka sqaruar Murati nga Policia e Kosovës.

 

Sipas Kodit Penal të Kosovës, veprat penale si mundësim ose detyrimi në prostitucion nga neni 241 dhe vepra penale Ofrim i lokaleve për prostitucion nga neni 242 janë të dënueshme nga 3 deri në 20 vjet burgim.

Në komunën e Prishtinës ka shumë sallone që ofrojnë veprimtarinë e masazhit. Këto lokale regjistrohen si biznese në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) pa ndonjë kriter të veçantë. Në këtë mekanizëm të regjistrimit që është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si biznese aktive figurojnë 110 sallone masazhi. Sipas ARBK-së, në momentin e regjistrimit të këtyre bizneseve, u deklaruan edhe 186 persona të punësuar në to.

Ndërsa, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), në komunën e Prishtinës numri i lokaleve që ofrojnë masazh është i ndryshëm nga ato që kanë deklaruar ARBK dhe Policia e Kosovës.

“Numri i qendrave të masazheve në Prishtinë, sipas identifikimeve të cilat janë bërë gjatë vizitave në teren është 55, prej tyre 12 janë jo aktive, 2 te tjera janë mbyllur”, thuhet në deklarimin e ATK për BIRN. Sipas këtij institucioni, prej numrit total të lokaleve të masazhit, vetëm 28 janë të fiskalizuara.

Parregullsi në këto lokale gjeti edhe Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Basri Ibrahimi, Kryeinspektor i Punës tha se kanë inspektuar një numër të madh të këtyre qendrave të masazhit dhe kanë shqiptuar edhe gjoba për mos respektim të ligjit për punë.

“Në komunën e Prishtinës i kemi pasur 43 subjekte që i kemi inspektu prej të tyre janë shqiptuar 16 gjoba. Gjobat kanë qenë për çështje të ndryshme, për shembull për mos lidhje të kontratës kur punëtorët nuk kanë pasur kontrata të punës, kemi hasur në shkelje për mos pagesë të pagës, mos pagesë të punës shtesë, mos dhënia e pushimit vjetor dhe kemi hasur po ashtu persona shtetas të huaj e që nuk kanë pasur leje pune. Po ashtu, kemi pasur edhe disa gjoba në aspektin e sigurisë në punë”, ka deklaruar Ibrahimi. Sipas tij, në lokalet e masazheve inspektorët e punës kanë shqiptuar gjoba deri në 10 mijë euro.

“Me këtë fushë nuk merren bash burrat e mirë…”

Kryeinspektori i Punës, ka thënë për BIRN se inspektimi i lokaleve që ofrojnë masazh për inspektorët në terren është sfidues, madje në disa raste ka ditur të jetë edhe punë e rrezikshme. Pronarët e këtyre bizneseve i kanë sulmuar inspektorët e punës të paktën në dy raste, për këtë një proces gjyqësor është zhvilluar në komunën e Gjakovës.

“Me qenë shumë i sinqertë, në këto lokalet e masazhit i inspektojmë vetëm me Polici sepse vet nuk i inspektojmë. Tu e pas parasysh që është një fushë që është buzë krimit. Kështu, mundësia e sjelljes ndaj inspektorëve është dhe mund të jetë jo e mirë dhe jo ligjore, këtë them edhe nga përvojat në të kaluarën”, thotë Ibrahimi.

“Kemi pasur raste edhe në Prishtinë edhe në Gjakovë kur personave u është shqiptuar gjoba ata i kanë kërcënuar inspektorët, për këtë ka pasur edhe një proces gjyqësor në komunën e Gjakovës”.

Basri Ibrahimi, shef i Inspektoratit të Punës. Foto: BIRN

Për Basri Ibrahimin, rreziku sa vjen e shtohet në këtë fushë kur e dinë se pronarët e bizneseve të masazheve janë persona që kanë probleme me ligjin.

“Siç mund ta dimë të gjithë tashmë, me këtë fushë nuk merren bash burrat e mirë, nëse mund ta them kështu popullorçe. Ata janë njerëz me vepra penale dhe që janë buzë krimit. Ne jemi të bindur se kjo përbën rrezik të lartë për inspektorët tanë”, thotë i pari i Inspektoratit të Punës.

Sipas tij, kjo ndodhë për arsyen se gjobat që shpërndan Inspektorati i Punës janë më të mëdha, andaj edhe reagimi i të dënuarve mund të jetë më i ashpër.

E krejt ky rrezik që mund të vijë për inspektorët nga pronarët e salloneve të masazhit ndërlidhet edhe me punën e tyre të dyshimtë dhe të jashtëligjshme.

“Fusha e lokaleve që ofrojnë masazh gjithmonë shihet dhe thuhet që është një fshehtësi publike dhe e dimë me çka merren. Prandaj, puna e inspektorit është e vështirë”, vlerëson Ibrahimi.

Vëzhgimi i paligjshëm me kamera nëpër sallone masazhi

Në një raportim të Televizionit Publik, një masazhere kishte ngritur edhe një shqetësim tjetër- pronarët e salloneve që ofrojnë masazhin vendosin kamera të fshehta brenda dhomave ku ofrohet shërbimi i masazhimit. Për ta verifikuar këtë çështje, BIRN ka pyetur në Policinë e Kosovës, të cilët kanë thënë se në disa raste kanë hasur në këto kamera.

“Ka pasur raste kur  janë hasur edhe kamerat në hapësirat e salloneve të masazhit dhe ne këto  raste është vepruar sipas ligjit”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e definon qartë se kur një biznes privat mund të bëjë instalimin e kamerave dhe çfarë njoftimi paraprak duhet bërë. Në të kundërtën, kjo paraqet shkelje të privatësisë.

Ndërsa, në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka pasur ndonjë ankesë për vendosje të kamerave dhe vëzhgim të fshehtë.

Jeton Arifi, drejtor në këtë Agjenci, ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë ankesë, por nëse ka do të marrin masa shpejt.

“Nëse dëshmohet se nëpër këto ambiente po aplikohet sistemi i vëzhgimit me kamera të fshehta, atëherë kemi të bëjmë me shkelje flagrante të privatësisë së qytetarëve që i frekuentojnë këto ambiente. I njëjti veprim lë hapësirë që të ngritën padi civile ndaj pronarëve të këtyre bizneseve që aplikojnë vëzhgim të fshehtë me kamera”, deklaroi Arifi për BIRN.

Ai ka thënë se aktualisht kjo Agjenci nuk mund të bëjë inspektime për të parë nëse lokalet afariste, apo të tjera, vendosin kamera për vëzhgim pa i plotësuar kriteret, për shkak të kufizimeve në legjislacion. Por Arifi tregon se, pas kalimit dhe aprovimit në Kuvend të ligjit të ri, Agjencisë do t’i rriten kompetencat dhe do të bëj inspektimet në terren.

“Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është shumë pranë aprovimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas së cilit, Agjencia, përmes zyrtarëve të inspektimit, do të zhvillojë inspektime dhe nëse do të ketë të gjetura se vërtetë ekzistojnë kamera të fshehura brenda bizneseve të caktuara”, thotë ai.

“Do të merreshin masa të rënda, të shqiptuara në formë gjobe, të cilat mund të kapin vlerën nga 2 deri 4 për qind të qarkullimit të përgjithshëm nga viti paraprak”.

Çfarë është masazha profesioniste?

BIRN ka intervistuar edhe pronarin e Thai Massage në Prishtinë, vend për masazhë profesioniste. Shkumbin Rakovica ka rrëfyer idenë e hapjes të këtij biznesi në Kosovë dhe procedurat jo të lehta, sipas tij, për regjistrimin dhe fillimin e punës.

“Unë e kam hapur masazhen në vitin 2010. Personalisht i kam pasur disa probleme me shpinën që nuk kam mujtë me i trajtu ato as këtu as në Gjermani, ndërsa kur isha në Tajlandë, atje e gjeta në njëfarë forme shërimin. Ideja për me e hapë një masazhë në Kosovë ka qenë krejt personale, problemet që kam pasur unë me shpinën munden të i kenë të gjithë, andaj pse jo”, tregon Rakovica.

“Në vitin 2010, kur e kam hapur unë, marrja e licencës ka qenë goxha shumë e komplikuar. Së pari është dashtë të shkohet në komunë, pastaj në ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, pastaj në atë të Punëve të Brendshme, pra ka qenë shumë e komplikume”, thotë Rakovica.

Ky lokal masazhi tajlandeze aktualisht ka pesë vajza nga Tajlanda. Të gjitha ato janë të certifikuara, ndërsa siç shpjegon Rakovica, certifikatat atyre ua kërkuan edhe në fillim të punës kur erdhën në Kosovë.

“Për momentin i kemi pesë masazhere, të gjitha janë nga Tajlanda. Te gjitha këto kanë certifikime, pra quhen tai-masazhere tradicionale tajlandeze. Edhe unë personalisht e kam kryer një shkollë për masazhë në Tajlandë, pra për masazhë tajlandeze. Kur aplikoj për punë për këto masazharet, gjënë e parë që e kërkojnë është certifikimi i tyre për masazhin. Atje kryhen në shkolla kurset për dhënien e masazhes. Të gjitha janë të lincencuara atje në Tajlandë”, thotë ai.

Rakovica ka thënë se trajtimi me këtë masazhë trupit i sjell shumë të mira shëndetësore.

“Masazhi mundet me ndihmu nga sëmundjet e thjeshta që munden me qenë kronike, kokëdhimbja, spondilloza deri te trajtimi i boshtit të kurrizit, qarkullimin e gjakut e shumë të tjera”, vlerëson ai.

Ai ka folur edhe për bizneset e shumta që po hapën me të njëjtën natyrë të punës- ofrim i masazhit. Por, sipas tij, këto vendmasazhe e dëmtuan në biznes. Rakovica ka thënë se shpesh njerëzit mendonin që “këtu ofrohet diçka tjetër”.

“Konkurrenca, me shtimin e masazheve të reja, konkurrenca është bërë mjaft e madhe, kjo na ka pru në një pozitë të mbijetesës, jemi duke e shtyrë me ju thanë të drejtën. Në fillim e kanë keqkuptuar misionin e masazhës, njerëzit mendonin që këtu munden me pasë gjëra të tjera, por tash e dinë që këtu ofrohet vetëm masazhi”, ka thënë ai.

Të vetëdijshme për veprimtarinë e jashtëligjshme

Hulumtimi i BIRN ka nxjerr në pah veprimtarinë e paligjshme që ofrohet në sallonet e masazhit nëpër Prishtinë.

Vajzat që ofrojnë masazhin nuk janë profesioniste, nuk posedojnë diploma dhe kurset e nevojshme për të bërë masazhin e, për më tepër, sa për t’u arsyetuar para inspektimeve, ato kanë gjetur edhe forma ilegale për t’u pajisur me diplomë të masazheres.

Ndërsa, mësimet për të bërë masazhin vajzat imitojnë videot që shohin në kanalin ndërkombëtar të videove YouTube. Burimi i BIRN, një masazhere, ka rrëfyer për punët që bëhen në disa prej masazhave në kryeqytet.

“Unë nuk kam kry asnjë shkollë për punën e masazhes, veç kam lexu edhe i kam kqyrë në YouTube se qysh bëhen. Në fakt, na asnjëra nuk e kemi marr diplomën, por klientëve u thojmë se e kemi”, tregon hapur ajo.

Sipas fizioterapeutit Irfan Tifeku, personat që ushtrojnë profesionin e masazherit duhet të pajisen me një diplomë. “Terapistët e Regjistrimit të Masazhit janë të detyruar të përfundojnë një program të diplomës së terapisë së masazhit”, ka thënë Tifeku.

Sipas tij, masazhimi është proces i ndjeshëm dhe ndihmon më së shumti në relaksim të muskujve.

“Terapia e masazhit përdoret zakonisht për relaksim të menjëhershëm të dhimbjeve dhe spazmave të muskujve, ndërsa fizioterapia është më e orientuar drejt rehabilitimit të muskujve dhe funksionit të përbashkët”, thotë ai.

Në disa prej lokaleve të masazhit në Prishtinë ushtrohet veprimtari në kundërshtim me ligjin, siç e kanë konfirmuar edhe të dhënat e Policisë së Kosovës.

Gjatë bisedës për BIRN, Egzona ka treguar për rastet e ofrimit të gjërave intime e deri te seksi. Sipas saj, ofrimi i këtyre gjërave dallon nga lokali në lokal. Në disa prej tyre duhet të paguash ekstra e në disa të tjera, siç thotë ajo, për shkak të konkurrencës dhe fitimit të klientëve, seksi dhe gjërat e tjera intime ofrohen me pagesën bazë të masazhës.

“Kam dëgju që nëpër masazha tjera ka masazhere që i bon krejt, prej A-së deri në Zh. Bile, pa bakshish veç sa me i ba klientat e vet”, thotë ajo.

Kontrollet nga inspektorët dhe Policia e Kosovës për të parë se a posedojnë dokumentacionet e nevojshme për masazh, disa nga vajzat i ka bërë që të gjejnë forma ilegale e të pajisen me diploma kursesh, kinse kanë kryer dhe dinë të bëjnë masazhin.

“Njana prej kolegeve tona e ka një diplomë, po ata i ka pagu 600 euro. Me sa e dimë, ai që ua ka leshu është klient i joni. Ky personi është në Prishtinë dhe i jep me pare këto diploma”, rrëfen 24 vjecarja.

Vajzat që e ushtrojnë punën e masazheres e dinë shumë mirë se mund të jenë nën llupën e hetuesve policorë apo edhe inspektorëve të ndryshëm. Ato madje, janë shumë të kujdesshme rreth komunikimit që bëjnë në mes vete por edhe me klientët. Numrat e telefonit nuk ia japin askujt, për më tepër ato nuk i kanë as në pronësi, por i blejnë nga shitësit ambulantë për të mos u vënë re nga organet e rendit në rast të ndonjë hetimi.

“Unë nuk ia jap asnjë klientit numrin tem, as Sanpchat-in. Neve na përgjojnë telefonat, se i dëgjoj nganjëherë ka dy zëra në telefon”, thotë Egzona. “Nuk i regjistrojna numrat e telefonave në emër tonin, bile një numër të telefonit ma ka ble një klient, kshtu në rrugë, jo në postë edhe tash edhe mbushjet nuk i blej në postë po në rrugë, kshtu në dorë”.

Secila masazhere ka klientët e vet të cilët kujdesen për dhurata sa herë që shkojnë për masazh. Egzona tregon qaforen e shtrenjtë që një klient i saj që jeton në Suedi ia ka bërë dhuratë, ndërsa për kolegen e saj tregon se si pranoi dhuratë mbathje të firmës së njohur.

“Nitës klienti ja ka pru patikat origjinale ‘Versace’”, thotë ajo.

Vizitorët e qendrave të masazhit nuk janë vetëm shqiptarët. Këto sallone shpesh frekuentohen edhe nga të huajt që jetojnë në Prishtinë. E si duket, vajzat që e ofrojnë masazhin kalojnë më mirë me këta të fundit sesa me shqiptarët.

“Te ne vijnë edhe të huaj, që jetojnë ktu. Por, dallimi është se këta në fillim të pyesin se a ka diçka më shumë se masazh, ose te recepsioni ose në dhomë edhe kuptojnë shumë mirë, janë të kuptueshëm nuk ta sillin si shqiptarët”, thotë ajo. Ndërsa, kujton edhe stinën e verës kur vijnë mërgimtarët.

“Verës ka më shumë punë, vijnë këta të jashtit edhe lajnë bakshisha më shumë”. Edhe përvojat janë më të mira me ta sesa me shqiptarët.

Puna e një masazheres në lokalet e këtij lloji në Prishtinë paguhet të paktën dyfish më shumë sesa rroga mesatare në Kosovë, ndonëse në disa sallone masazhi ajo ndryshon dhe është e rregulluar në forma të ndryshme.

Burimi i BIRN ka treguar se nga puna që bën brenda një muaji, paga i arrin deri në 700 euro edhe pse në vendin e saj të punës nuk kanë rrogë mujore por paguhen me përqindje- sa më shumë klientë brenda ditës aq më shumë para do të fitosh.

“Pare na dalim mirë nuk është keq, deri në 700 euro e ma shumë nashta na shkon muaji”, thotë ajo.

“E kemi me përqindje na, nuk kemi naj rrogë mujore, për shembull nëse vjen ti si klient për një orë i paguan 30 euro, për mu janë 10, nganjëherë ka edhe bakshish”.

Sipas një vëzhgimi që ka bërë BIRN në rrjete sociale, aty ku edhe sallonet e masazhit e promovojnë punën e tyre, çmimet për masazhë janë të njëjta në secilin lokal që ofron këtë shërbim. Kështu, për një orë masazh çmimi është 30 euro. Ndërsa pronarit i takojnë 20 euro, për masazherën mbeten 10 euro. Por, disa nga to kohë pas kohe bëjnë zbritje. Kur ka ndonjë festë apo me rastin e “Black Friday” klientët patën rastin të përfitonin nga zbritja.

Trafikimi me qenie njerëzore në sallonet e masazhit

Kosova ka mekanizma institucionalë e ligjor për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, por kjo dukuri ende mbetet sfidë për të gjithë. Për 18 vite me radhë, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore (QMVPT) si organizatë jo- qeveritare ka punuar për t’i strehuar dhe rehabilituar viktimat e trafikimit në Kosovë. Deri në vitin 2007, kjo Qendër ishte e tipit të mbyllur- nuk dihej për vendndodhjen e as për punën që bënte për shkak të natyrës së vetë fushës së trafikimit.

BIRN ka zhvilluar një bisedë me përfaqësuesit e Qendrës dhe ata kanë treguar për punën dhe aktivitet që bën kjo organizatë jo- qeveritare.

“Deri në vitin 2007, Kosova ishte vend transit dhe i destinimit për trafikim me qenie njerëzore, pas këtij viti konsiderohet edhe vend i origjinës”, thonë në Qendër.

Sipas Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në vitin 2007 për herë të parë i kanë pranuar 5 vajza kosovare viktima të trafikimit.

Që nga themelimi deri në vitin 2008, në këtë Qendër kanë gjetur strehim dhe rehabilitim 552 vajza, shtetase të huaja, viktima të trafikimit me qenie njerëzore. Ndërsa, trendi i trafikimit ka ndryshuar pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Që nga kjo kohë deri më tani në Qendër janë strehuar 304 vajza shqiptare, në mesin e tyre edhe shtetase të Shqipërisë.

Qendra përveç rehabilitimit, ofron edhe re-integrim për viktimat, duke ofruar trajnime, psikologë dhe vende pune. Në mënyrë që kjo hapësirë të mos ndalë punën, Qendra ka një kërkesë për ekzekutivin kosovar.

“Qeveria e Kosovës duhet të shtojë vëmendjen te masat që merren në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, duhet po ashtu të krijojë qëndrueshmëri për Qendrën sepse, në të kaluarën ka pasur raste kur e kemi mbyllë për periudha të ndryshme kohore, dhe nuk kemi pasur ku t’i dërgojmë ato vajza që kanë qenë”, thonë në Qendrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Teksa flasin për trafikimin në përgjithësi, përmendin edhe formën më të re të kësaj dukurie që bëhet përmes qendrave që ofrojnë masazh në kryeqytet. Kanë edhe një mesazh për ata që i frekuentojnë sallonet e masazhit.

“Ne u bëjmë thirrje njerëzve, mos i shfrytëzoni sallonet e masazheve që ofrojnë ato shërbime sepse atje po bëhet punë e paligjshme”, thonë në Qendër.

“Ato hyjnë për një vend pune, si në çdo biznes tjetër dhe bashkë me shoqe përfundojnë në një punë që është në kundërshtim me ligjin”.

Gjatë vitit 2018, kjo Qendër ka pranuar dy vajza, viktima të trafikimit në lokalet e masazhit në Prishtinë.

“Kemi pranuar dy vajza, njëra 16 vjeç e tjetra 18, me rekomandim të Policisë së Kosovës dhe departamenteve përkatëse atje”. Të njëjtat më nuk janë pjesë e qendrës për arsye se kanë përfunduar rehabilitimin.

Aktualisht në këtë Qendër janë 12 viktima të trafikimit, duke përfshirë edhe ato viktima potenciale për trafikim me qenie njerëzore.

Në sallonet e masazhit shpesh herë pronarët gjejnë vajza nën moshën 18 vjeçare për t’i punësuar. Gjatë vitit 2018, Policia e Kosovës në katër lokali masazhi ka hasur duke punuar persona nën moshën 18 vjeç.

“Në katër lokale masazhi janë hasur duke punuar 5 persona nën moshën 18 vjeçare ku tri prej  tyre janë identifikuar viktima të trafikimit, shtetase të  Kosovës dhe dy të tjera nga Shqipëria”, ka deklaruar zyra për informim e forcave të rendit.

Sipas Policisë, të njëjtat lokale edhe janë mbyllur pastaj.

Përgjegjësia institucionale ndaj qendrave të masazhit dhe licencimi i tyre

Të gjitha bizneset që regjistrohen në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare e që kanë pjesë të veprimtarisë biznesore masazhimin, thirren në nën aktivitetin primar me kodin 86.90. Të pyetur nga BIRN se cila është përgjegjësia e ARBK-së në raport me punën e dyshimtë që mund të kryejnë këto biznese, ata kanë dhënë këtë përgjigje.

“ARBK ka karakter administrativ, pra ne vetëm i regjistrojmë ndërsa se çka bëjnë pastaj janë institucionet tjera që merren me këtë. Të gjitha aktivitetet nga Nomeklatura Evropiane NACE Rev. 2 i konsiderojmë legale dhe ato veprimtari mund te zhvillohen nga bizneset”, thuhet në përgjigjen e ARBK-së.

Licencimin për bizneset që për veprimtari kanë masazhimin e trupit nuk e lëshon as Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre, kjo ministri lëshon licencim vetëm për institucione shëndetësore.

“MSh licencon institucione që ofrojnë shërbime terapeutike të fizioterapisë, që ofrohen nga fiziatrit dhe fizioterapeutet e që bien në kategorinë e institucioneve shëndetësore, por nuk licencon  qendra që ofrojnë shërbime tjera apo masazhe relaksi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas kësaj ministrie, institucioni që i licencon bizneset është i obliguar edhe t’i monitorojë ato.

“Në rastin e qendrave të masazheve, MSh-ja nuk i ka licencuar ato, prandaj për monitorim te tyre duhet të pyesni inspektoratet e institucioneve që i kanë licencuar”, përfundon përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Meqë regjistrimi i këtyre bizneseve bëhet në Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht në ARBK, BIRN ka pyetur Inspektoratin në këtë ministri rreth monitorimit dhe licencimit për sallonet e masazhit në komunën e Prishtinës.

Lulzim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në MTI, ka thënë se kjo trupë inspektuese nuk lëshon leje për punën e masazhit.

“Përveç regjistrimit në ARBK, këto biznese nuk marrin tjetër dokument për ushtrimin e veprimtarisë afariste në MTI. As licencimi nuk është në kompetencën e MTI-së”, ka deklaruar Syla. Ai ka treguar edhe për rastet në të cilat Inspektorati i Tregut mund të mbyllë llojet e biznesit që ofrojnë masazh.

“Inspektorati i tregut i MTI-së këto pika i mbyll në rast se ushtrojnë veprimtari biznesore

të paregjistruar”, ka thënë Syla.

Ndërsa, sa i përket kushteve që duhet të plotësojnë këto biznese, ai ka thënë se për këtë gjë janë përgjegjës Inspektorati Sanitar i komunës së Prishtinës dhe Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë.

Fizioterapia vs. masazhi

Irfan Tifeku, fizioterapeut nga Prishtina thotë se nëpër vende tjera evropiane, kriteret për të hapur një sallon të masazhit janë të njëjta sikur për ta hapur një klinikë.

“Nuk jam në dijeni se çfarë burokracish institucionale duhet të ketë për të hapur një sallon të tillë masazhi, por në Britani ashtu si klinika edhe masazha duhet të ndjekin te njëjtat procedura për t’u licencuar dhe për t’u futur ne tregun e punës”, thotë Tifeku.

Irfan Tefiku, Fizioterapeut

Ai po ashtu ngreh shqetësime mbi ambientet e punës në këto qendra masazhi, për produktet që përdorin dhe mundësinë e bartjes të ndonjë sëmundje.

“Licencimi i tyre të bëhet vetëm pasi të jenë bërë të gjitha analizat e mirëfillta të ambienteve të punës, të mjeteve te tyre të punës, çfarë vajrash përdorin, çfarë protokolli ndjekin në trajtimin e pacienteve/klientëve të tyre dhe mbi të gjitha ti kryejnë  analizat e mirëfillta për ndonjë sëmundje eventuale ngjitëse”, deklaron fizioterapeuti Irfan Tifeku.

Madje, ai dyshon se sallonet e masazhit vetëm po përdorin emrin si të tilla, ndërsa ofrojnë të tjera shërbime.

“Në të ashtuquajturat ‘sallone masazhi’ unë mendoj që ushtrohet një veprimtari komplet ndryshe, gjë tjetër duke e mbuluar me emrin “masazh”, por nëse bëhet punë e mirëfilltë terapia- masazh atëherë duhet t’i përkrahim këto lloj iniciativash, por fillimisht inspektorati duhet të jetë shumë i kujdesshëm në monitorimin e veprimtarisë së këtyre salloneve në vërtetimin e punës që ata kryejnë”, thotë ai.

“Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në klinikat e fizioterapisë diagnostifikohen, rehabilitohen dhe mjekohet për diagnoza nga më të ndryshme duke filluar tek ato me dhimbjet e lehta deri tek ato me dhimbje të rënda dhe të papërballueshme”, shton Tifeku.

Siç shpjegon fizioterapeuti kosovar, kualifikimi për një fizioterapeut është të paktën të ketë diplomë të masterit të lëshuar nga një institucion i akredituar në Kosovë, siç është Fakulteti i Mjekësisë në UP, drejtimi Fizoterapi.

Ndërsa kualifikimin për të ushtruar profesionin e masazhit duhet të kryhet një program i terapisë së masazhit e që njihet nga Ministria e Arsimit, e që përdorët për qëllim të përdorimit të Terapistëve të Regjistruar të Masazhit (RMT) ose Terapistëve të Masazhit (MT).

E derisa të definohet përgjegjësia institucionale dhe të dihen kushtet që duhet të plotësojnë lokalet që ofrojnë masazhin, Egzona ka plane për të ardhmen e saj.

“Unë e kam caktu terminin në Ambasadë, mezi po pres me shku te tezja në Gjermani, atje kam me punu çfarëdo pune, nëse është nevoja edhe me fshi banjo se ktu nuk po muj ma”, thotë ajo.

 

*Emri është pseudonim i vendosur nga BIRN për të ruajtur identitetin e vërtetë të saj.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është
përgjegjësi e Valon Fana dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit
Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.